Alma Çuka
Endir Bushati, kryetare e AMA-s, hetohet nga Prokuroria për mosveprim lidhur me piraterinë e medieve lokale në dëm të shoqërisë “Digitalb”. Pezullimi nga detyra u kërkua nga Prokuroria, me motivacionin e hetimit. Shkalla e parë e gjyqësorit e pezulloi Bushatin në 20 qershor dhe tre muaj më vonë u kërkua zgjatja e hetimeve
Gjykata e Apelit heq masën e pezullimit nga detyra për kryetaren e Autoritetit të Medieve Audiovizive, Endir Bushati, vendosur nga Gjykata e Tiranës në 20 qershor, me kërkesë të Prokurorisë. Endir Bushati rikthehet në punë në postin që mbante deri pak muaj, atë të kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive. Vendimi i shkallës së parë u ankimua menjëherë nga Bushati, e cila që në krye të herës e ka cilësuar në shkelje të hapur me ligjin dhe kërkesën e prokurorit me mangësi të theksuara procedurale. Në këtë mënyrë, sipas vendimit të Apelit, Bushati mund të rifillojë punën në krye të AMA-s. Gjykata e Shkallës së Parë tre muaj pas nisjes së hetimeve dhe marrjes së vendimit për pezullim, kishte pranuar një kërkesë të Prokurorisë për të zgjatur edhe tre muaj pezullimin e Bushatit në krye të AMA-s. Avokati i Bushatit, Besnik Çerekja, e ankimoi vendimin e Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit dhe gjatë ditës së djeshme trupa gjykuese i dhanë të drejtë Bushatit. Ky vendim vjen dy ditë para se Parlamenti pritet të votojë projektvendimin për kryetarin e ri të Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Akuzat e Prokurorisë
Në bazë të kallëzimit të shoqërisë “Digitalb sh.a”, në datën 23.5.2014, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar kallzimin penal për veprën penale të Shpërdorimit të Detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në ngarkim të shtetases Endir Bushati.
Nga hetimet e zhvilluara për këtë procedim penal ka rezultuar se shoqëria “Digitalb sh.a” është e licencuar për ushtrimin e veprimtarisë audiovizive si platforme satelitore numerike nga KKRT me vendimin 785, datë 25.2.2009. Ky subjekt thotë akuza ka konstatuar se transmetimet e kanaleve dhe programeve të saj, në mënyrë të paautorizuar e për rrjedhojë të kundërligjshme, transmetohen nga subjekte të licencuar ose jo nga organi kompetent (ish KKRT sot AMA) siç janë operatorët televizive kabllore ose platforma numerike satelitore. Në kallëzim thuhet se shoqëria “Digitalb”, i është drejtuar me disa shkresa kryetares së AMA që prej vitit 2009, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Prokuroria pohon se duke mos vepruar sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, Kryetarja e AMA ka lejuar që këto subjekte të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme materialisht, në formën e shitjes së programeve të tyre dhe transmetimeve të paligjshme.
Reagimi i Bushatit
E pezulluar nga detyra që prej datës 20 qershor me vendim Gjykate të Shkallës së Parë, Endir Bushati, ka reaguar menjëherë pas vendimit të Apelit. Më në fund drejtësia u shpreh lirshëm duke thënë fjalën e saj, kundër qëndrimit politik. Unë jam shprehur edhe për vendimin e shkallës së parë, të cilin e kam konsideruar të paligjshëm dhe me ndikim politik, aq me tepër që ai vendim u dha nga një gjyqtar, i cili ka shërbyer në radhët e KQZ-së, për llogari të subjektit të Partisë Socialiste. Ashtu sikundër hedh poshtë edhe akuzat e Prokurorisë për “Shpërdorim detyre”, ngritur pas kallëzimit të depozituar nga shoqëria “Digitalb”. Si mundet që një operator ne treg si Digitalbi, i cili nuk ka paraqitur asnjë dokument në zyrat e AMA për blerjen e të drejtave televizive, të kërkojë mbrojtje dhe akuzojë operatorët e tjerë për pirateri. Si mundet që një televizion që bënë transmetime piraterike, të kërkojë drejtësi”.
Kallëzimi/ Abuzuan me detyrën, KLSH kallëzon 7 drejtues të Agjencisë së Burimeve Natyrore
Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në prokurori shtatë drejtues dhe ish-drejtues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, pasi auditi konstatoi shkelje.
Sipas KLSH-së, “agjencia është vetëpërjashtuar nga rregullat për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Mosaplikimi i masave administrativo-ligjore nga ky institucion, ka lejuar abuzimin nga ana e shoqërive koncesionare, të cilat gëzojnë leje shfrytëzimi të bëjnë një shfrytëzim të paskrupullt të burimeve nëntokësore, duke shkatërruar në shumicën e rasteve zonat mjedisore në të cilat ata operojnë.” KLSH i ka dërguar organit të prokurorisë dy kallëzime penale, së bashku me të gjithë dokumentacionin përkatës të auditimit, për shtetasit T. M., P. Gj., P. S., S. B., G. A., L. B. dhe B. Xh., drejtues dhe ish-drejtues të AKBN, me akuzën e konsumimit të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, KLSH bën të ditur se “në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 502/1 prot., datë 16.5.2014, ka ushtruar auditim në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), me objekt auditimi: “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së aktivitetit ekonomik e financiar dhe mbi objektin e veprimtarisë së AKBN, zhvillimin, mbikëqyrjen e shfrytëzimit racional të burimeve natyrore në bazë të politikave qeverisëse dhe monitorimin e post shfrytëzimit të tyre në sektorin minerar, hidrokarbur dhe hidroenergjetik”. Nga kontrolli janë konstatuar shkelje që kapin shpërdorim me vlera të mëdha parash. Nga analiza e këmbimeve valutore rezultoi se, si pasojë e keqmenaxhimit të qëllimshëm financiar nga ana e drejtuesve të AKBN, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën prej 7.239.530 Lekë.
Shorti/ Banda e tritolit, Flora Harejdinaj kryeson trupin gjykues
Gjykata e Krimeve të Rënda hedh shortin dhe përcakton trupën gjyqësore që do të gjykojë të pandehurit e akuzuar për krime me anë të bombave me telekomandë. E ashtuquajtura banda famëkeqe e “tritolit”, banda e ekzekutimeve mafioze me pagesë të realizuara nga vrasësi Julian Sinanaj në bashkëpunim me kushërinjtë Mëhillaj nga Vlora, pritet të përballet në gjykatë me plot 35 akuza. Shorti ka përzgjedhur kryesuese të këtij procesi gjyqtaren me eksperiencë 11-vjeçare në Krimet e Rënda Flora Hajredinaj. Sinanaj do të jetë në togën e të pandehurve së bashku me Andon Mëhillajn, Genis Mëhillajn në mungesë, Marion Mitron, Ilir Karcinin, Ndriçim Gjokonën dhe Alban Mexhajn, nën akuzë për një sërë vrasjes dhe grupi të strukturuar kriminal. Kryesuesja Flora Hajredinaj do të ndihmohet në këtë proces nga kolegët e saj Ilirjana Olldashi, Idriz Mulkurti, Ardit Mustafa dhe Luan Hasneziri.
Arratisja/ Tentativa e arratisjes, mbeten në burg gardianët dhe bashkëpunëtori
Gjashtë gardianët e Peqinit do të qëndrojnë në burg. Gjykata e Elbasanit vendosi arrest me burg për punonjësit e burgut të sigurisë së lartë dhe për Jetmir Guzin i cili dyshohet se do të ndihmonte Fran Marashin, Gëzim Gurin dhe vëllezërit Genci dhe Admir Tafili të arratisen. I pari që doli para trupit gjykues ishte punonjësi i burgut të Peqinit, Gëzim Beluli, për të cilin Gjykatësi, Arben Vrioni, pranoi kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurisë arrest me burg. Beluli, sipas hetimeve kryente komunikime të vazhdueshme telefonike me të dënuarin Genci Tafilaj. Më pas gjykata vendosi arrest me burg për gardianët Avni Biça, Bilbil Ymerin, Abedin Hallullin, Petrit Marnoj, Fatmkir Aliajn. Sipas prokurorisë dy përgjegjësit e sektorit të sigurisë dhe ligjeve, Abedin Hitaj dhe Petrit Marnoj kanë dhënë miratimin për lejet që kishin marrë të dënuarit. Ndërsa për policët Avni Biça, Gëzim Beheluli dhe Bilbil Ymeri, prokuroria thotë, se çdo ditë takonin të dënuarit brenda institucionit dhe flisnin në telefon, edhe kur nuk ishin në shërbim. Vellezërit Admir e Genc Tafili si dhe Fran Marashi e Gëzim Guri, kanë tentuar të arratisen nga burgu i Peqinit, përmes lejeve shpërblyese që do të siguronin. Ata janë arratisur edhe një vit më parë nga burgu i Drenovës në Korçë, por janë kapur disa ditë më pas.




