Nënkryetari dhe kreu i grupit parlamentar të PD-s, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë e cila riktheu për rishqyrtim në Apel çështjen për vulën dhe logon e PD.
Përmes një postimi në platformën “X”, Bardhi shkruan se Gjykata e Lartë duhet t’i japë fund tejzgjatjes së absurdit. Bardhi shkruan se Partia Demokratike është pronë e anëtarëve të saj dhe një aset kombëtar.
Ndër të tjera demokrati shkruan se kjo zvarritje e dëmton opozitën.
“Pas zbardhjes së vendimit të GjL për konfliktin e brendshëm ligjor në PD, është e domosdoshme që GjA menjëherë dhe pa asnjë vonesë të mëtejshme t’i jap fund tejzgjatjes së këtij absurdi që vijon prej 2 vitesh dhe që duhet të ishte zgjidhur me vullnet e përgjegjshmëri politike.
PD është pronë e anëtarëve të saj, aset kombëtar, dhe çështje e interesit publik, që ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në jetën publike, shtetërore, institucionale të vendit. Çdo zvarritje do të ishte e papranueshme, sepse dëmton opozitën dhe përmes saj dëmton Shqipërinë!”, shkruan Bardhi.




