Vendimi/ Konflikti i pronësisë, Nik Muri dënohet 23 vjet burg për vrasjen e nipit

Sonila Mesareja

 Krimi brenda familjes/ Djali Çesk Muri merr pafajësinë nga Krimet e Rënda pas marrjes përsipër të krimit nga i ati 55-vjeçar

 gjyqVrasja e nipit për një konflikt pronësie do t’i kushtojë 23 vite nga jeta e tij Nik Murit, i akuzuar për vrasjen e Gjin Murit më 10 korrik të vitit të kaluar në fshatin Rrenc të Komunës Guri i Zi në Shkodër. Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur të pafajshëm djalin e Nikut, Çesk Murin, pasi krimi është marrë përsipër nga i ati, i cili ka përjashtuar nga përfshirja në këtë ngjarje djalin 24-vjeçar. Akuza për të cilën u dënua 55-vjeçari është ajo e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, e cila parashikon masë të rëndë dënimi për krimet brenda familjes pas ndryshimeve në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale. Konflikti mes palëve kishte nisur prej kohësh dhe mes tyre ndodhnin shpesh debate të cilat në thelb kishin probleme pronësie. Edhe natën e ngjarjes, fillimisht debate nisi për motive banale, pse bagëtitë e nipit i kishin ngrënë hardhitë dhe më pas degjeneroi në përdorimin e armës dhe për pasojë edhe vrasjen e nipit Gjin Muri.

 

Akuza

Prokuroria e Krimeve të Rënda bën me dije se Nik e Mark Muri janë vëllezër mes tyre. Nga dëshmitë e grumbulluara pas krimit rezulton se mes tyre ka pasur prej vitesh konflikte, aq sa ato janë reflektuar edhe te familjarët e tyre, duke acaruar së tepërmi gjendjen mes tyre. Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe natën e ngjarjes kur Mark Muri dhe djemtë e tij Aleksandër, Gegë e Gjin janë përplasur me xhaxhanë dhe djalin e tij. Sipas akuzës, ka qenë Çesk Muri që i shtyrë nga i ati ka qëlluar ndaj kushëririt të parë, Gjinit me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend, ndërkohë që më pas krimin e ka marrë përsipër i ati, duke mos shprehur aspak pendesë për veprimin e kryer. Ndërkohë që akuza bëri me dije se ka qenë vetë viktima 32-vjeçare që ka njoftuar policinë se ishte rrethuar banesa e tij dhe po e qëllonin me armë zjarri për ta vrarë. Të plagosur në këtë përplasje me armë mes familjarësh kanë mbetur edhe dy vëllezërit e viktimës Aleksandër e Gegë, si dhe kushëriri i tyre Çesk Muri.

 

Ngjarja

Sipas akuzës, shtetasi Nik Muri, 55 vjeç, ka shkuar te banesa që po ndërtonte aty pranë nipi i tij, Gjin Muri, dhe ka nisur të debatojë. Më pas në debat janë përfshirë edhe meshkujt e tjerë të dy familjeve. Grindja mes tyre ka nisur fillimisht për motive banale, ku Nika i ka kërkuar llogari nipit se bagëtitë i kishin ngrënë hardhitë. Kaq është dashur që mes palëve të fillojë edhe debati për pronësinë e rrugës në vendin ku familja e Mark Murit kishte nisur të bënte një ndërtim. Pas pak minutash gjithçka ka dalë jashtë kontrollit kur shtetasi Çesk Muri, 24 vjeç, në bashkëpunim me babain e tij, Nik Murit, ka marrë armën e zjarrit në banesën e tyre aty pranë dhe ka nisur të qëlloj në drejtim të djemve të xhaxhait. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Gjin Muri, 32 vjeç, dhe janë plagosur shtetasit Aleksandër e Gegë Muri, vëllezërit e viktimës si të plagosur lehtë. Ndërkohë që nga goditja me sende të forta kanë mbetur të plagosur edhe dy të akuzuarit si autorë e ngjarjes babë e bir Nik dhe Çesk Muri.

 

Letra e Tahirit drejtuar Nishanit/ UGJSH: Personat e liruar ende nën hetim, letra e ministrit, e nxituar

 Dy ditë pas letrës së dërguar nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, për Presidentin e Republikës, në cilësinë e kreut të KLD-së, Bujar Nishani, ka reaguar edhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë. Ata e kanë konsideruar si të nxituar këtë letër, si dhe publikimin e emrave të gjyqtarëve në të, pasi çështjet janë nën hetim dhe për sa kohë një person është me këtë status, ai prezumohet i pafajshëm dhe ata nuk mund të cilësohen kriminelë. “E lexuam me vëmendje deklaratën e fundit të ministrit të Brendshëm z. Saimir Tahiri drejtuar Presidentit të Republikës Sh.T.Z. Bujar Nishani, ku i kërkon ndëshkimin e disa gjyqtarëve, për shkak të dhënies së disa vendimeve me objekt caktimin e masave të sigurimit. Së pari dëshirojmë të theksojmë se Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të bazuar në fakte dhe që kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, rritjes së cilësisë së vendimeve gjyqësore, forcimit të pavarësisë së gjykata dhe forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës” bëjnë me dije në reagimin e tyre, duke shtuar se “por, nga ana tjetër shpreh shqetësimin e tij të thellë kur sheh se, përfaqësues të lartë të politikës dhe ekzekutivit bëjnë deklarata dhe ndërmarrin veprime, të përsëritura, të cilat nuk kanë për qëllim rritjen e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, forcimin e pavarësisë së vendim-marrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë ne vend”. Me tej ata shprehen mbi efektin e kësaj letre në publik apo gjyqësor, duke shtuar se “ky efekt jopozitiv rritet akoma më tepër kur, deklarata apo veprime të tilla iu referohen vendimeve të dhëna në shkallë të parë, jo ndaj “kriminelëve”, por ndaj “personave nën hetim”, të cilët sipas KEDNJ, Kushtetutës dhe K.Pr.Penale prezumohen të pafajshëm derisa të provohet e kundërta, në fund të një procesi penal. Ndërkohë që, vendimet e cituara në letrën e Ministrit të Brendshëm drejtuar Presidentit të Republikës, duke publikuar në mënyrë jo etike dhe të gabuar edhe emrat e gjyqtarëve, bazohen në dyshime (jo prova), janë pjesë e fillimit të një procesi penal dhe nuk janë vendime përfundimtare, të cilat bazohen mbi prova (jo dyshime) dhe mund të jenë të njëjta ose, të kundërta me vendimet e caktimit të masave të sigurimit”. Më tej, UGJSH vijon me argumentin se Republika e Shqipërisë është një republikë parlamentare, ku ndarja e pushteteve e sanksionuar qartësisht në Kushtetutë, është një ndër shtyllat kryesore mbi të cilat është ndërtuar, qëndron dhe zhvillohet shoqëria jonë demokratike. Në këtë kuadër kushtetues funksionon sistemi gjyqësor dhe ushtrohet vendim-marrja nga gjykatat. Është ky kuadër kushtetues dhe ligjor, i cili ka përcaktuar saktë subjektet, kohën dhe mënyrën e kontrollit të një vendimi gjyqësor. Është ky kushtetues dhe ligjor, i cili kurrsesi nuk lejon përfaqësues të pushteteve të tjera të anatemojnë vendimet e gjykatave e aq më keq, të kërkojnë ndëshkimin e gjyqtarëve, kur nuk u pëlqejnë vendimet e tyre, pa përfunduar ende procesi i verifikimit të një vendimi gjyqësor. “Së fundmi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dëshiron të theksojë edhe një herë angazhimin e tij maksimal në luftën kundër çdo fenomeni antiligjor të vërejtur në punën e përditshme të gjykatave, sikurse dëshiron të theksojë edhe angazhimin e tij të plotë në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave dhe forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vend”, – përfundon reagimi publik i UGJSH-së.

 

 

Share it :