Vendimi i UEFA-s/ PD: Rama nuk loboi, u hoq më evropian se evropianët. Të angazhohet shteti për kombëtaren

Basha: I padrejtë vendimi i UEFA-s, Rama t’i lërë llogjet në “FB” dhe të angazhojë të gjitha resurset e shtetit në mbështetje të kombëtares për një vendim të drejtë, bazuar mbi të vërtetën

 Gerti_Bogdani24tetorPartia Demokratike akuzoi Kryeministrin për vendimin e padrejtë që dha UEFA dje ndaj kombëtares, duke u shprehur se Rama nuk bëri mjaftueshëm që vendimi të ishte i duhuri. Sipas deklaratave të selisë blu, Kryeministri Rama nuk investoi mjaftueshëm në lobing për gjithçka ndodhi në stadiumin e Beogradit më 14 tetor. Po ashtu, edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri thirrje kreut të qeverisë të “lërë llogjet në “Facebook” dhe të angazhojë “shtetin” më mbështetje të kombëtares”.

 

Angazhimi

Ndërsa e quajti krejtësisht të padrejtë vendimin e UEFA-s që i dha 3 pikët në tavolinë kombëtares serbe, kryetari i Partisë Demokratike, Luzim Basha, i bëri thirrje Kryeministrit të angazhojë të gjitha resurset e shtetit në mbështete të kombëtares shqiptare dhe një vendimi të drejtë. Sipas Bashës, kreu i mazhorancës të tregojë më shumë vëmendje ndaj çështjes në fjalë dhe t’i lërë statuset në “Facebook”.I padrejtë vendimi i UEFA-s. Kryeministri t’i lërë llogjet në “FB”, të angazhojë të gjitha resurset e shtetit në mbështetje të kombëtares dhe një vendimi të drejtë bazuar mbi të vërtetën!”, – shkroi dje në rrjetin social kreu i opozitës, Lulzim Basha.

 

Përparësitë

Të njëjtin qëndrim si kryetari ka mbajtur edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Në një deklaratë, demokratët akuzuan Kryeministrin se shpenzon miliona për lobing personal, ndërsa për ekipin kombëtar nuk bëri asgjë. “Kryeministri shqiptar shpenzon miliona dollarë për lobizëm personal, miliona lekë për udhëtime turistike në SHBA, u jep qindra mijë euro miqve të vet pronarë mediash për organizime konferencash, por nuk gjen asnjë minutë kohë e asnjë qindarkë për të lobuar për Shqipërinë e kombëtaren tonë për vendimin në UEFA”, – deklaroi deputeti demokrat Gerti Bogdani. “Kjo padrejtësi e vendimit të UEFA-s vjen jo vetëm si rrjedhojë e lobimit serb, por edhe si mungesë e angazhimit të shtetit tonë. Ky absurditet vendos shenjën e barazimit mes mllefit, racizmit dhe dhunës serbe dhe heronjve të kombëtares sonë”, – u shpreh Bogdani. Gjithashtu, PD akuzoi Kryeministrin Rama se në vend që të merrej me homologët dhe ndërkombëtarët që t’i vinte në ndihmë kombëtares, ai vuri si përparësi të tij vizitën në Beograd. “Ndërkohë, Kryeministri serb u telefonoi të gjitha kancelarive dhe homologëve të vet për të lobuar, për t’u shpjeguar çfarë ndodhi dhe duke luajtur rolin e viktimës. Ndërsa Kryeministri ynë tentoi të hiqej më evropian se evropianët, duke insistuar të zhvillojë vizitën në Beograd, aty ku u fishkëllye himni ynë kombëtar, aty ku u kënduan kore ‘vritini shqiptarët’, aty ku heronjtë e kombëtares u dhunuan në mes të fushës. Ndërkohë që makineria e diplomacisë serbe u vu në lëvizje menjëherë dhe mbyti mediat ndërkombëtare me shtrembërim faktesh, Kryeministri ynë u mjaftua me disa statuse në “Facebook” dhe disa cicërima në “Twitter””, – u deklarua nga selia blu. Po ashtu, PD-ja ka vlerësuar se qëndrimi i Kryeministrit Rama ka ndihmuar UEFA-n të verë shenjën e barazimit mes performancës shqiptare dhe asaj serbe në stadiumin “Partizani” në Beograd. “Ky vendim vlerëson dhunën dhe racizmin, por vlerëson edhe qëndrimin e Ramës që insistoi për vizitën në Beograd dhe nuk e denoncoi fuqishëm atë akt të shëmtuar, sikur të mos kishte ndodhur asgjë e sikur të kishte barazi mes palëve. Ndaj, edhe UEFA e kishte të lehtë të vendoste barazinë”.

 

Thirrja

Në këtë kontekst, partia më e madhe opozitare i bëri thirrje Kryeministrit dhe diplomacisë shqiptare të bëjnë pak nga ajo që bënë djemtë e kombëtares më 14 tetor në kryeqytetin serb. “Duhet që këto ditë deri në shqyrtimin në apel, Kryeministri dhe diplomacia shqiptare ta marrin seriozisht çështjen e të lobojnë të paktën sa homologët e tyre serbë. Të bëjnë të paktën sa 1 e milionta e asaj që bënë lojtarët tanë në fushë”, – e mbylli deklaratën deputeti demokrat Gerti Bogdani.

 

 Ish-kryeministri/ Berisha: Kombëtarja, viktimë e politikës, UEFA vendosi për Ramën e Vuçiçin

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha dënoi vendimin e dhënë nga qeveria e futbollit duke u shprehur se ai ishte një vendim politik. Sipas Berishës, UEFA “shplau” Federatën Serbe nga “racizmi” dhe vendimi duke dënuar ekipin shqiptar dhe e gjithë kjo, theksoi ai, ishte në funksion të takimit që planifikuar të dy kryeministrave, Rama dhe Vuçiç. “Dje Komisioni Disiplinor i UEFA-s, në një vendim të padrejtë sa vetë padrejtësia, dënoi njëlloj agresorin dhe viktimën. Me këtë vendim “shplau” Federatën Serbe nga racizmi, që veç sa nuk hëngri të gjallë lojtarët tanë në fushë dhe, siç kishte paralajmëruar, e dënoi atë për teknikalitet me 3 pikë. UEFA, ekipin tonë jetim, për të mos thënë dhe më tepër, e dënoi njëlloj me atë të Serbisë, me 3 pikë për ndërprerje ndeshje, në një kohë që e gjithë bota i pa sulmet shtazore të tifozëve dhe rojeve të stadiumit ndaj lojtarëve tanë në fushën e stadiumit, tunelin dhe mjediset e çlodhjes”, – deklaroi ish-kryeministri. “Në këtë ndeshje, – shkroi Berisha, – triumfoi racizmi, referuar koreve të stadiumit “vritni shqiptarët”. – Kështu triumfoi racizmi pasi nuk u dënua. Ekipi ynë ra për së dyti viktimë, por kësaj here e politikës. Ky është një vendim i turpshëm dhe vetëm politik, kryekëput në funksion të takimit Rama – Vuçiç!!”, – shkroi ish-kryeministri Sali Berisha.

 

 Daçiç: Ndeshja të riluhej… por ka edhe probleme të pazgjidhura në rajon

Ndryshe nga deklaratat e pasndeshjes më 14 tetor, ministri i Punëve të Jashtme Serbe, Ivica Daçiç, ka komentuar vendimin e qeverisë së futbollit si të padrejtë. Edhe pse të dyja palët, sipas Daçiçit, kanë dalë të humbura, vendimi më i mirë do të ishte që ndeshja të riluhej edhe një herë. Komenti i ministrit të Jashtëm përfaqësonte edhe atë të qeverisë serbe. “Ky është qëndrimi i qeverisë, por pa dyshim në rajon ka ende probleme të pazgjidhura”, – u shpreh Daçiç për mediat serbe. Ministri serb është ndalur edhe në anëtarësimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, zyrtarizimi i të cilës pritet të bëhet në dhjetor. Daçiç ka theksuar se dikasteri që ai drejton do të bëjë gjithçka të jetë e mundur që anëtarësimi i Kosovës të mos ndodhë.

Share it :