Çmimet “CIF”, të deklaruara në Shqipëri, do të krahasohen me çmimet e tregtimit me shumicë të shteteve referente: Itali, Greqi, Serbi, Maqedoni dhe Kroaci
Ngrihet komisioni për çmimin e barnave. Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave ka miratuar komisionin e veçantë për barnat, i cili pritet të “ripërcaktojë” çmimet. “Mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri, brenda datës 31 tetor të çdo viti, deklarojnë me shkresë, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, çmimet “CIF” në euro ose dollarë, për barnat e importit dhe çmimet “EXW” (ex-work) në lekë, për barnat e fabrikuara në vend. Dorëzimi i çdo zarfi të mbyllur me deklarimin e çmimeve bëhet në protokollin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe shoqërohet me nënshkrimin e personit të autorizuar nga kompania për këtë veprim dhe të punonjësit të protokollit, i cili pranon dokumentacionin. Çdo zarf i ardhur në ministri regjistrohet në një regjistër të veçantë, me numrin rendor përkatës dhe datën e marrjes së tij në dorëzim. Ai duhet të jetë origjinal, i firmosur dhe i vulosur nga mbajtësi i autorizimit për tregtim. Në rast të kundërt, deklarimi do të quhet i pavlefshëm dhe nuk do të merret në shqyrtim nga komisioni. Ministria përgjegjëse për shëndetësinë njofton, nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare, të gjithë mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri, për deklarimin e çmimeve “CIF” në euro ose dollarë, për barnat e importit dhe çmimet “EXW” (ex-work) në lekë, për barnat e fabrikuara në vend, pranë saj, brenda datës 30 shtator. Komisioni i Çmimit të Barnave, brenda datës 5 nëntor të çdo viti, mblidhet, me njoftim të kryetarit, për hapjen e zarfeve të çmimeve të deklaruara, të cilat siglohen nga anëtarët e pranishëm në komision”, – përcakton vendimi i qeverisë.
Çmimet
Çmimet “CIF”, të deklaruara në Shqipëri, do të krahasohen me çmimet e tregtimit me shumicë të shteteve referente: Itali, Greqi, Serbi, Maqedoni dhe Kroaci. Në rastet kur mungon informacioni për çmimet e tregtimit me shumicë nga shtetet referente, krahasimi do të bëhet me çmimet e shitjes me pakicë të barit. Komisioni i Çmimit të Barnave verifikon edhe çmimet e deklaruara të tregtimit me pakicë të barit në vendin e origjinës, në formularin e deklarimit të çmimit nga mbajtësi i autorizimit të tregtimit. Në rast se të dhënat e deklaruara nga mbajtësi i autorizimit për tregtim mbi çmimin e shitjes me pakicë të barit në vendin e origjinës janë të ndryshme, komisioni merr vendim që barit të mos i miratohet çmimi për vitin pasardhës. Komisioni i Çmimit të Barnave verifikon edhe dokumentacionin e importeve të barnave, të kryera dhe të depozituara pranë Agjencisë Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore, gjatë 12 muajve të fundit. “Çmimi i referencës për Shqipërinë” do të jetë çmimi më i ulët nga elementet e mëposhtme:
– çmimi që aplikohet ndër pesë shtetet referente
– çmimi i tregtimit me pakicë të barit në vendin e origjinës
– çmimi i barnave të importuara në Republikën e Shqipërisë, gjatë 12 muajve të fundit.
Çmimi i barit gjenerik duhet të jetë deri në 80% të çmimit të barit origjinator, të regjistruar pranë Agjencisë. Nëse bari origjinator nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë, atëherë do të merret për bazë çmimi i tij në vendet e referencës dhe të origjinës. Çmimi i shitjes me pakicë të barit në Republikën e Shqipërisë duhet të jetë më i ulët ose i njëjtë me çmimin e shitjes me pakicë të tij në vendin e origjinës. Barnat, për të cilat nuk është deklaruar çmim, ose të cilat nuk janë regjistruar/riregjistruar deri më 31 tetor të vitit aktual, humbasin të drejtën për t’u futur në listën e barnave të rimbursuara për vitin pasardhës. Informacioni për krahasimin e çmimeve të barnave do të merret nga botimet zyrtare, të publikuara nga institucionet homologe në vendet e referencës. Drejtoria Farmaceutike, në ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, brenda datës 31 dhjetor të çdo viti, bën shpalljen, në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, e listës së përgjithshme me çmimet “CIF/EXW”, të miratuar nga Komisioni. Kjo listë dërgohet zyrtarisht tek Agjencia Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Vendimi i qeverisë për komisionin përcakton:
Komisioni i Çmimit të Barnave të kryesohet nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe të ketë në përbërje:
– Një përfaqësues nga Drejtoria Farmaceutike, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
– Një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat.
– Një përfaqësues nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
– Një përfaqësues nga Agjencia Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore.
Komisioni i Çmimit të Barnave, kur është e nevojshme, mblidhet me njoftim të kryetarit për të miratuar çmimet e deklaruara për barnat që regjistrohen gjatë vitit kalendarik pasardhës. Në këto raste, miratimi i çmimit të barnave bëhet brenda 30 ditëve pas depozitimit të deklarimit të tyre pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë. Miratimi i çmimeve të barnave bëhet me votim të hapur dhe vendimi merret me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. Në rast se ka barazim votash, vota e kryetarit është vendimtare.




