Vendimi i Gjykatës së Tiranës Akuza policisë për dhunë dhe vjedhje, gjykata urdhëron Prokurorinë të hetojë

Sonja Caka

gjykata e tiranesKërkesa drejtuar gjykatës nga Elidon Gruda. Akuza dy efektivëve se e dhunuan gjatë një shoqërimi dhe i vodhën 10 mijë lekë

 

Një 27-vjeçar ka fituar betejën e parë përballë dy efektivëve të policisë së komisariatit nr.3 në kryeqytet, të cilët i akuzon për dhunë dhe vjedhje. Pas pushimit të kallëzimit të tij nga ana e organit të akuzës, ka qenë Gjykata e Tiranës dhe konkretisht gjyqtari Petrit Çomo ai që ka urdhëruar Prokurorinë të vijojë hetimet dhe të zbardhë akuzat e të riut Elidon Gruda ndaj dy efektivëve të patrullës që i përkasin si strukturë komisariatit nr.3, të cilët i akuzon se e kanë dhunuar dhe shoqëruar padrejtësisht, çka e ka detyruar t’i drejtohet për hetime edhe SHKB-së, por edhe e kanë vjedhur ndërsa kanë ushtruar kontroll ndaj tij në momentin e shoqërimit. Bëhet fjalë për mungesën e 10 mijë lekëve, të cilat nuk i ka gjetur më në xhepa kur është kthyer në banesë. Tashmë, organi i akuzës së kryeqytetit është urdhëruar të hetojë me kujdes akuzat e të riut, mbi dhunën e ushtruar dhe vjedhjen e konstatuar, me qëllim hedhjen dritë mbi këto akuza të rënda ndaj efektivëve të një prej komisariateve më të mëdha në kryeqytet. Një ndër veprimet hetimore për të cilën është urdhëruar Prokuroria është edhe ballafaqimi i kallëzuesit me dy efektivët që akuzon, veprim që nuk është kryer nga prokurori i çështjes gjatë hetimit 9-mujor.

Kallëzimi

I riu Elidon Gruda i është drejtuar gjykatës me një kërkesë, me anë të së cilës kundërshton vendimin e prokurorisë për pushimin e procedimit penal nr. 1936, viti 2012. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se në bazë të kallëzimit të bërë nga shtetasi Elidon Gruda, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është regjistruar procedimi penal nr. 1936, viti 2012, për veprën penale të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal. Sipas kallëzimit rezulton se Gruda, në datë 14.03.2012, rreth orës 20.30, ka qenë duke shkuar nga lodrat që ndodhen në qendrën e Tiranës, për tek automjeti i tij, të cilin e kishte parkuar tek rrugica prapa ish-Lidhjes së Shkrimtarëve. Në momentin që iu afrua makinës, i është afruar një automjet policie, nga i cili kanë zbritur dy punonjës policie. Punonjësit e policise, pasi e kanë pyetur kërkuesin se çfarë donte andej, i kanë thënë: “Çfarë pune mor hajdut”, i kanë nxjerrë nga xhepat çfarë kishte, si dhe kanë ushtruar dhunë ndaj tij, duke e goditur. Më pas, ia kanë futur prapë sendet në xhep dhe e kanë prangosur. Elidon Grudën e kanë shoqëruar për në komisariatin e policisë nr. 3, Tiranë. Sipas kallëzuesit, punonjësit e policisë, edhe kur ka shkuar në  komisariat, e kanë goditur, si dhe kane ushtruar presion psikologjik ndaj tij, megjithese ai u ka thënë se ishte i sëmurë. Pas kësaj, kërkuesi është detyruar të nxjerrë nga xhepi sendet që kishte nëpër xhepa. Pas kërkesës se tij, i është lejuar të komunikonte në telefon me xhaxhanë e tij, shtetasin Arsim Gruda, të cilit i ka shpjeguar ngjarjen. Shtetasi Arsim Gruda ka shkuar në komisariat dhe ka takuar shefin e krimeve. Më vonë, në zyrë ka shkuar dhe vetë kërkuesi dhe u është thënë që të bënin kallëzim në SHKB. Së bashku me xhaxhanë, Gruda ka shkuar në spital, ku ka bërë ekzaminimet dhe mjekimet përkatëse. Pas kësaj, i riu ka shkuar në banesën e tij dhe gjatë natës ka patur dhembje. Në mëngjes ka vënë re se i mungonin 10 mijë lekë. Të nesërmen, 27-vjeçari ka shkuar përsëri në komisariatin nr. 3, Tiranë, ku është takuar me shefin e komisariatit dhe shefin e krimeve. Që andej, kërkuesi ka shkuar dhe ka bërë kallëzim në SHKB. Materialet i janë dërguar organit të prokurorisë, i cili ka filluar çështjen penale.

Hetimi

Pasi ka zhvilluar hetimet, organi i prokurorisë me vendimin e dt. 06.11.2012, ka vendosur në bazë të nenit 328/1/dh të Kodit të Procedurës Penale, pushimin e procedimit penal nr. 1936, viti 2012, me arsyetimin se provohet se veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, Bledar Beluli e Selam Bisheva kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, si dhe zbulimin dhe identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale, funksione këto që burojnë nga Kushtetuta dhe ligji.  Duke mos qenë dakord me këtë vendim, Gruda i është drejtuar gjykatës.

Vendimi

Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së Elidon Grudës, i cili ëkrkonte nga Gjykata urdhërimin e vazhdimit të hetimeve, gjykata çmoi se organi i prokurorisë nuk ka kryer të gjitha veprimet hetimore për të arritur në një përfundim të drejtë e të bazuar në ligj. Gjykata çmon se ky veprim hetimor, pra ballafaqimi, duhet të kryhet nga prokurori. Gjithashtu, prokurori mund të kryejë edhe ndonjë veprim tjetër hetimor, në rast se do ta çmojë të arsyeshëm për zbardhjen e çështjes.

Pretendimet e Grudës

Gjatë gjykimit, Elidon Gruda e konsideroi vendimin e pushimit të hetimeve si të padrejtë dhe të pabazuar në ligj. Për pasojë duhet të prishet dhe hetimet të vazhdojnë. Sipas avokatit, prokuroria nuk ka kryer hetime të plota për zbardhjen e çështjes. Nuk është hetuar ushtrimi i dhunës së egër e të panevojshme nga patrulla e policisë ndaj një kalimtari në rrugë, i cili ka qenë i vetëm, i paarmatosur dhe i sëmurë. Nuk është hetuar fakti pse policia pasi ka ushtruar kontroll personal dhe nuk ka mbajtur procesverbal. Nuk është hetuar se kush është personi që ka njoftuar me telefonin celular nr. 0695207153, për grabitjen e një gruaje. Madje, nuk është kryer asnjë ballafaqim i kallëzuesit me policët e shoqërimit. Kallëzuesin e kanë shoqëruar në polici në datë 14.03.2012, në orën 20.30 dhe e kanë lenë të lirë në orën 22.00 të po kësaj date, pa e pyetur fare për arsyet e shoqërimit dhe pa marrë asnjë masë ndaj tij, nëse sipas tyre ai kishte kryer ndonje veprim të kundraligjshëm. Janë lejuar shkelje proceduriale në zgjatjen hetimit të çështjes. Çështja është mbajtur në hetim rreth 9 muaj dhe i dëmtuari nuk është njoftuar në asnjë rast për zgjatjen e afatit të hetimeve.

 

Detaj

10 mijë lekë është shuma që Elidon Gruda pretendon se i është vjedhur nga dy policë të patrullës

 

 

Share it :