Salmoni, qumështi i sojës, fasulet e kuqe, kumbullat e thara, manaferrat, janë ushqimet kryesore të cilat ngadalësojnë plakjen. Sipas studimeve të kryera së fundi, ushqimet e mësipërme kanë përmbajtje që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë te organet e njeriut.
Salmoni
Salmoni ka sasi të mëdha antiinflamatore omega-3 për të ndihmuar në mënyrë të ngadalshme procesin e plakjes.
Qumësht soje
Dy gota qumësht soje në vend të qumështit normal mund të rritin butësisht nivelet e hormoneve, sidomos gjatë menopauzës dhe njëkohësisht mund të mbajnë të fortë lëkurën.
Fasulet e kuqe
Ato janë një burim shumë i mirë i flavonoideve, një familje e rëndësishme e antioksiduesve, që mund të mbajnë nën kontroll plakjen. Përveç kësaj, indeksi i ulët glicemik i tyre dhe përmbajtja e lartë e fibrave, shpjegon kontributin e tyre për të mbajtur nivelet e glukozës në gjak të qëndrueshme.
Kumbulla të thara
Konsumimi i sa më shumë kumbullave të thara mund t’ju bëjë të dukeni më të rinj! Arsyeja që ato konsiderohen si një ushqim antiplakje është se procesi i tharjes përqendrohet në lëkurë për të ruajtur antioksiduesit që ndodhen në fruta.
Manaferrat
Të gjitha llojet e manaferrave përmbajnë vitaminë C, me anë të së cilës stabilizojnë kolagjenin dhe ngadalësojnë zbërthimin e tij për t’i dhënë lëkurës një pamje të re. Për të marrë më të mirën e manaferrave, bëni një përzierje të gjithë llojeve – të konservuara, apo të freskëta.
Studimi në Francë
Në të vërtetë, plakja nuk është asgjë tjetër përveçse riprodhimi i gabuar i qelizave në mënyrë të vazhdueshme, që pak nga pak sjell degradimin e organizmit. E përditshmja ruse “Pravda”, duke iu referuar një studimi të bërë në Francë, përcakton disa nga vitaminat të cilat ndikojnë në procesin e plakjes. Në këtë vend, që prej tetë vitesh, 13 mijë vullnetarë kanë pranuar t’i nënshtrohen marrjes së një pilule ku përzihen pesë lloje antioksiduesish natyralë, si betakaroteni, vitaminat C dhe E, zinku dhe seleni. Rezultatet kanë treguar si nivelet e vdekshmërisë dhe të plakjes mund të ulen deri në 30%, çka do të përkthehej jo vetëm me më shumë vite jetë, por edhe me më shumë vite bukuri e rini. Megjithatë, për të arritur këto rezultate nuk është e domosdoshme të marrësh recetën e mjekëve francezë, pasi janë të shumta ushqimet që përmbajnë antioksiduesit kaq shumë të dobishëm. Vaji i ullirit është një shoqërues shumë i mirë i çdo pjate, për shkak të yndyrave të tij natyrale dhe antioksiduesve.
Rrushi, molla, banania dhe pjepri janë të pasur me vitaminë C. Domatja, lajthitë e bajamet përmbajnë sasi të mëdha të vitaminës E dhe zinkut, ndërsa betakaroteni gjendet me shumicë tek karotat. Pavarësisht studimit, ajo që mjekët theksojnë, është se mënyra më efektive për të zgjatur jetën është duke hequr dorë nga veset e rrezikshme si duhanpirja apo alkooli.
Studimi, ushqimet me kripëra sjellin mbipeshën
Kohët e fundit jemi dëshmitarë të një numri të madh studimesh, të cilat përpiqen të zbulojnë faktorët që rritin rrezikun për mbipeshë. Kjo gjendje shumëfaktorëshe manifestohet edhe te fëmijët edhe te të rriturit, ndërsa është e lidhur me gjendjet inflamatore në organizëm që më vonë mund të sjellin deri te zhvillimi i sëmundjeve kronike. Studimet e deritanishme konfirmojnë se niveli i lartë i kripës në organizëm më së shpeshti është pasojë e sasisë së madhe të konsumimit të ushqimit, ndërsa me ushqimin e tepruar krijojmë shtresa të indit dhjamor në organizëm. Po ashtu, mbipeshën e sjell edhe aftësia e kripës për ta tërhequr ujin dhe në këtë mënyrë e mban në organizëm. Një studim i ri, i zhvilluar te adoleshentët, ka treguar se mbi 95 për qind e të rinjve marrin sasi të tepruara të kripës me ushqim dhe në këtë mënyrë rrezikojnë mbipeshën. Pjesëmarrësit në studim kanë pasur edhe nivel të lartë të leptinës – hormonit që rregullon oreksin, mirëpo nëse niveli i tij është vazhdimisht i lartë, atëherë ky hormon mund ta humbë funksionin e vet në organizëm dhe njerëzit mund të vazhdojnë të hanë edhe kur nuk janë të uritur. Autorët e studimit kanë thënë se te participantët ishte i rritur rreziku për zhvillimin e proceseve inflamatore dhe sëmundjeve autoimune. Ekspertët këshillojnë që ushqimi i kripur dhe ushqimi i shpejtë (‘fast food’) të zëvendësohet me pemë dhe perime, në mënyrë që të zvogëlohet hyrja e kripës në organizëm dhe të përmirësohet statusi shëndetësor.




