Universiteti/ Formula e re për maturantët, ja sa pikë shton mesatarja

gjimnazQeveria, plan për të ulur kuotat e pranimit për në universitet

Notat e provimeve me zgjedhje publikohen këtë javë

Formula e re për llogaritjen e pikëve i jep më shumë rëndësi mesatares. Ka qenë një urdhër i Ministrisë së Arsimit, i cili ka rritur peshën e mesatares nga 20% në 26%. Në këtë mënyrë një maturant, i cili ka mesatare të lartë, do të përfitojë nga 50-150 pikë më shumë në krahasim me një vit më parë. Ish-drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu, shpjegon se formula e re shton rreth 50 pikë. “Nga libri i transparencës së maturës 2013, mora një shembull të një maturanteje gjimnaziste, me koefiçent të shkollës 1.4. Ajo kishte këto tregues për drejtimin Gazetari:

Mesataren M = 8.37
D1 =7.80,
D2 = 9.84
Z1 (Anglisht) = 7.79 me koefiçent 1.3
Z2 (biologji bërthamë) = 9.84 me koefiçent 1
Kjo maturante kishte marrë 5405.7 pikë duke u renditur si fituesja e fundit në drejtimin Gazetari
Për të njëjtat rezultate, por me formulën e re të MSH 2014,ku pesha e mesatares M është 26%, e lëndëve të detyruara D1 & D2 20% dhe atyre me zgjedhje Z1 & Z2 është 17%. Një maturantë me të njëjtat rezultate, këtë vit do të grumbullonte 5457.7 pikë, pra 52 pikë më shumë se në vitin e kaluar”, – shkruan Vejsiu në profilin e tij në rrjetet sociale. Në këtë mënyrë maturantët përpara se të plotësojnë formularin A2, duhet t’i bëjnë vet llogaritjet në bazë të formulës së mëposhtme.

 

Kuotat

Kuotat e pranimit për vitin 2014-2015 ende nuk janë publikuar nga qeveria. Është Ministria e Arsimit që i propozon Këshillit të Ministrave kuotat për vitin e ardhshëm dhe në bazë të këtyre kuotave zgjidhen dhe fituesit. Burime jozyrtare për gazetën shprehen se kuotat e pranimit për në universitete do të ulen. Ministria e Arsimit ka në plan që të ulë kuotat për një sërë degësh, duke filluar që nga dega e Juridikut.

 

Formulari

Këtë javë, Ministria e Arsimit do të publikojë rezultatet e provimeve me zgjedhje dhe javës tjetër pritet publikimi i formularit A2. Çdo kandidatë do të ketë mundësi të zgjedhë 10 preferenca për të konkurruar për në Universitet. “Për të fituar të drejtën e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik të Shqipërisë, çdo maturant/kandidat që kërkon të vazhdoje studimet e larta, duhet të plotësojë formularin A2, online, sipas një kalendari dhe udhëzimeve përkatëse që do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Çdo maturant/kandidat ka të drejtë të përzgjedhë jo më shumë se 10 programe studimi”, – përcakton guida e maturantit.

 

Formula për llogaritjen e pikëve

Për llogaritjen e pikëve do të procedohet si më poshtë: M, D1, D2, Z1 dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme të lartë, vlerësimet në lëndët e detyruara “Letërsi dhe Gjuhë Shqipe” dhe Matematikë” dhe në ato me zgjedhje. K, F1 dhe F2, përkatësisht koefiçenti i shkollës dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP). Llogaritja e shumës -S- të pikëve të maturantëve/kandidatëve,të cilët kanë rezultuar kalues në provimet me detyrim dhe me zgjedhje, behet me formulën: S={[26*M+20*(D1+D2)]*K+17*(Z1*F1+Z2*F2)}*5.

 

 Gjimnazi/ E rrallë, në një shkollë private në Durrës ngelin të gjithë maturantët

Një shkollë private në qytetin e Durrësit ka shënuar rekord në historinë e maturës shtetërore. Të gjithë maturantët e këtij gjimnazit “Talenti”, nuk kanë mundur të marrin notë kaluese në provimin e matematikës. 284 maturantët e kësaj shkolle, disa te ditës dhe pjesa tjetër me korrespodencë, nuk kanë arritur të kalojnë në provimin e Matematikës. Të shokuar nga ky rezultat me 100 % mbetës, krerë te Ministrisë deklarojnë rishikimin e licencave të shkollave private dhe veçanërisht atyre me korrespodencë.

Vendosja për herë të parë e pragut të pikëve para provimit të maturës, nxori në pah jo vetëm cilësinë e dobët të diplomave kryesisht në shkollat private, por dhe nivelin e mësuesve.

 

 

Nisma/ Hiqen 150 tekste shkollore nga qarkullimi

Rreth 150 tituj tekstesh ka hequr Ministria e Arsimit dhe Sportit nga tregu i librit shkollor, për sistemin parauniversitar. Ky reduktim tekstesh erdhi si pasojë e kërkesës që kanë bërë arsimtarët për mbingarkesë, ndërkohë që autoritetet e arsimit kanë nisur një reformë edhe në sistemin e altertekstit. ”150 tituj nuk janë më, janë tërhequr nga qarkullimi. Reduktohet shumëllojshmëria e titujve për arsye sepse nuk ka nevojë që të kemi 10 tekste gjuhe, 10 tekste matematike etj. Alterteksti supozon më shumë sesa 2 tekste. Variantizimi kaq i madh i librit të matematikës dhe kemi maturantë të ngelur, pikërisht tregojnë këtë gjendje që jemi në një situatë që kemi tregues që të bëjnë të trishtuar dhe që natyrisht duhet të ndërhysh shumë fort dhe me shumë kompetencë”, – tha Nora Malaj. Zv.ministrja shprehet se shtëpitë botuese kanë nisur hartimin e teksteve dhe në shtator, të gjithë nxënësit do ti kenë gati. Ndërkaq ajo thotë se do të vazhdojë të ndiqet skema e shpërndarjes së teksteve falas për disa kategori të caktuara .

”Janë disa alternativa, mund të bëhet shpërndarja e teksteve në bazë të shkollës, në bazë të klasës dhe të jenë mësuesit dhe prindërit të bëjnë ndarjen e tyre. Do të shikojmë hap pas hapi sesi do të veprojmë edhe më shtëpitë botuese sepse ato janë ato që marrin përgjegjësinë juridike. Tekset e fëmijëve romë dhe egjiptianë do të jenë falas dhe do të rimbursohen nga shteti”, – theksoi zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit.

Share it :