Ulërimat me Ambrozian/ Ç’ndodhi në kryeministri pasi u fikën kamerat
Kryeministri i zuri pritë gazetares Ambrozia Meta në korridoret e kryeminstrisë për t’u shfryrë në ulërima, pas debatit që patën në konferencë
Në momentet e tensionit me Ambrozia Metën në sallën e konferencave në kryeministri, shumëkujt mund t’i ketë bërë përshtypje se si shefi i qeverisë Edi Rama u tregua më i përmbajtur se zakonisht përballë gazetares; nuk pati shpërthime nevrastenike dhe as nuk e baltosi personalisht atë. Ndërsa sulmonte televizionin Syri Tv me akuzat për pastrim parash dhe deformonte emrin e drejtuesit të televizionit, Çim Peka, Rama ishte i kursyer me vetë gazetaren, duke iu lutur vazhdimisht që ajo të ndalej dhe ta lejonte të fliste.
“Do më lësh të flas deri në fund?” pyeste Rama vazhdimisht, “Jam aq i lirë sa je ti dhe të tjerët që thoni gjërat që doni” argumenton ai. “Unë dua fjalën këtu. Si mund t’i kërkohet dikujt të japë përgjigjen që do ti?” pyet i habitur kryeministri në debat e sipër me Ambrozia Metën, e cila nga ana tjetër i kujtoi bisedën me ish-ministrin e financave Arben Ahmetaj, i cili ka pranuar se nuk ka fakte për hetimin e Syrit për pastrim parash.
Gjatë bisedës në studion e Syri Tv, gazetarja tregoi se debati u acarua me akuza të ndërsjellta me Ramën që vazhdimisht përpiqet ta intimidojë përmes akuzave për televizionin ku punon.
“Në ato momente që ka nisur sërish të flasë për hetimin ndaj televizionit, unë i kam thënë që kjo është një çështje që duhet ta zgjidhë prokuroria. Në momentin kur ka nisur të flasë për paratë me të cilat mbahet televizioni, i kam kujtuar që ai është njeriu që ka shpallur investitor strategjik tre pronarët e mediave kombëtare, Vizion Plus, Top Channel edhe TV Klan, për të mos kaluar pastaj tek biznesmenët e tjerë të televizioneve që i dalin në dosjen Balluku që i ka favorizuar me tendera, dhe në momentin që ai është shprehur i shqetësuar për paratë me të cilat mbahet televizioni.
Ky nuk ishte Rama i zakonshëm që del shpejt nga shinat kur është para gazetarëve. Rama jo vetëm shan dhe ofendon, por edhe përqesh, edhe imiton zërat në studio, ka pasur raste që hungërin, madje ka shkuar edhe në prekje të tepruara si në rastin e Ambrozia Metës në oborrin e Partisë Socialiste.
Por në situatën e krijuar sot, ai u duk të lutej që ta lënë të flasë, ndërkohë që gazetarja pa mikrofon jehonte me zërin e saj në sallë. Sigurisht, kjo zgjati në momentin që i kërkoi llogari për 50 milion eurot e tunelit të Llogarasë.
Unë i kam kujtuar paratë që qytetarët kanë humbur në tunelin e Llogarasë dhe i kam thënë, ju lutem meqë shqetësoheni, na thoni ku shkuan 50 milionë eurot e tunelit të Llogarasë. Kjo e ka acaruar pak më shumë situatën. Në këto momente kryeministri, siç ju e keni parë, ka ndërprerë konferencën për të kaluar në një pushim” tha Meta.
Qetësia e Ramës ka zgjatur deri sa konferenca ishte në transmetim direkt në të gjitha televizionet. Sepse kur kamerat u fikën, Rama i ka kërkuar Ambrozia Metës të largohet nga salla sepse ishte e përjashtuar, ndërsa vetë ka dalë i pari në korridor duke pritur që ajo të kalonte aty për të dalë.
Këtë pritë që ia bëri kryeministri, gazetarja e ka treguar në këtë mënyrë:
“Në momentin që ka ndërprerë konferencën, ka dalë dhe më ka thënë që duhet të dalësh jashtë nga konferenca. Në momentin që unë kam shkuar për të dalë jashtë, për të mos e agravuar më shumë situatën, ka qenë një punonjës i gardës që nuk donte të më lejonte të dilja, sepse në ato momente Rama ishte duke kaluar në korridor. Dhe unë i kam kërkuar ta hap derën sepse për sa kohë që më kërkoi daljen nga konferenca, unë doja të largohesha. Dhe në këto momente ne jemi përballë sërish në korridor, ku kryeministri më ka thënë që je e përjashtuar përgjithmonë nga konferencat. Pra më ka nxjerrë jashtë. Pra kam marrë karton të kuq në kryeministri, nuk mund të hyj më në konferencat e tij. Nuk është hera e parë në fakt që kryeministri bën këtë gjë….” tregoi Meta.
Por dy kolegëve të saj, duke parë situatën e acaruar dhe kur kanë kuptuar se Rama po e priste në korridor janë ngritur ta shoqërojnë jashtë, me frikën se situata mund të degradonte më tej. Njëri prej tyre, Isa Myzyraj ka vendosur ta shoqërojë kolegen e tij jashtë në korridor, ku e priste një Edi Ramë krejt tjetër nga ai para kamerave. I xhindosur dhe me duart që i lëvizte poshtë e lart, ndërsa thërriste sa kishte në kokë se “Je e përjashtuar” dhe se “Nuk do vish më në konferencë” Rama është shfryrë me ulërima ndaj gazetares.
“Edhe situata që u krijua ishte shumë e acaruar sidomos momentin kur u mbyllën kamerat, sepse në momentin kur kemi qenë në korridor, bërtiste me të madhe që “Je e përjashtuar”, “Nuk do të vish me në konferencë”. Kam përshtypjen është i gjithë tensioni i akumuluar nga çështja “Balluku” që e ka vënë në një kurs përplasje të drejtpërdrejtë me ambasadat” ka treguar Ambrozia Meta.
Duke parë që bashkë me Ambrozia Metën kishte dalë në korridor edhe Isa Myzyraj, Rama s’ka qenë në gjendje të arsyetojë dhe me mllefin e papërmbajtur që e kishte pushtuar në ato momente, ka nxjerrë jashtë edhe gazetarin tjetër, një veprim i palogjikshëm dhe aspak normal sepse ai ende nuk kishte bërë asnjë pyetje në konferencë.
Kush e ka ndjekur konferencën për mediat, ka parë se si kryeministri ishte rikthyer në sallë me sy të zgurdulluar, teksa përpiqej me çdo kusht të normalizonte zërin që i dridhej nga nervat, një gjendje që në kryeministri ia njohin mirë, por që ai ishte përpjekur ta fshehë.
Një ditë më parë, Lapsi.al raportoi për një mbledhje të pazakontë në kryesinë e Partisë Socialsite, kur Rama ishte sjellë me vartësit e tij si me një tufë pulash të pavlera, duke mos llogaritur as ofendimet, por as kërcënimet.
Në shkrimin “Si i kërcënoi Rama anëtarët e kryesisë për votimin e sotëm” Lapsi.al iu referua një burimi në sallë që tregoi se kryeministri dukej në një gjendje jo të mirë: “Ka qenë një nga mbledhjet me haluçinante të kryesisë në të cilat kam asistuar ndonjëherë. Në gjendje të tillë Ramën se kisha parë që prej kohës kur Luli i vodhi ato dhjetë votat për bashkinë duke e detyruar të dilte nga zyra. Ishte i shqetësuar, bërtiste pa shkak dhe dukej hapur që nuk i kontrollonte dot emocionet”./Lapsi.al




