‘U angazhua për lirinë tonë’ Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen Machada i dorëzon medaljen e saj Donald Trump
Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado i ka dhënë medaljen e saj të Çmimit Nobel për Paqen Presidentit Donald Trump gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se ky veprim ishte ‘njohje e angazhimit të tij për lirinë e vendit të saj”
Mendoj se sot është një ditë historike për ne venezuelasit”, tha ajo pasi u takua personalisht me Trump për herë të parë, disa javë pasi forcat amerikane kapën Presidentin e Venezuelës Nicolas Maduro në Karakas të cilin e akuzojnë për trafiku droge.
Trump shprehu mirënjohjen e tij në një postim në rrjetet sociale, duke thënë se ky veprim ishte “një gjest i mrekullueshëm respekti të ndërsjellë”.
Megjithatë, presidenti amerikan ka refuzuar të mbështesë Machadon si udhëheqësen e re të Venezuelës, pavarësisht se lëvizja e saj pretendon fitoren në zgjedhjet e kontestuara gjerësisht të vitit 2024. Trump, ndërkohë, ka pasur kontakte me kryetaren në detyrë të shtetit në Venezuelë, Delcy Rodríguez, ish-zëvendëspresidente e Maduros.
Duke komentuar takimin me Machada, Presidenti Amerikan tha se ishte një “nder i madh”, duke e quajtur atë “një grua e mrekullueshme që ka kaluar shumë sprova”.
Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Machado iu drejtua mbështetësve të mbledhur te portat jashtë, duke u thënë në spanjisht, sipas Associated Press: “Mund të mbështetemi te Presidenti Trump.”
“I paraqita presidentit të Shteteve të Bashkuara medaljen e Çmimit Nobel për Paqe,” u tha më vonë Machado gazetarëve në anglisht, duke e quajtur atë “një vlerësim për angazhimin e tij unik ndaj lirisë sonë”.
Trump, i cili shpesh fliste për dëshirën e tij për t’u nderuar me Çmimin Nobel për Paqe, kishte shprehur pakënaqësi kur çmimi iu dha Machados vitin e kaluar.
BBC i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për një koment.
Machado tha javën e kaluar se do ta ndante çmimin me Trumpin, por Komiteti Nobel sqaroi më pas se kjo nuk është e mundur.
“Pasi një Çmim Nobel shpallet, ai nuk mund të revokohet, të ndahet apo t’u transferohet të tjerëve,” thuhet në një deklaratë të komitetit javën e kaluar. “Vendimi është përfundimtar dhe mbetet i tillë përgjithmonë.”
E pyetur për një reagim ndaj deklaratave të Machados, komiteti e drejtoi BBC-në te deklarata e tij e mëparshme.
Përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, Qendra e Paqes Nobel shkroi në X se “një medalje mund të ndryshojë pronar, por titulli i laureatit të Çmimit Nobel për Paqe nuk mundet”.
Trump e ka përshkruar më parë Machadon si një “luftëtare të lirisë”, por ka hedhur poshtë idenë e emërimit të saj për të drejtuar Venezuelën pas largimit të Maduros, duke argumentuar se ajo nuk gëzon mbështetje të mjaftueshme brenda vendit.
Që prej rrëzimit të Maduros më 3 janar, administrata Trump ka lëvizur me shpejtësi për të riformësuar sektorin e naftës në Venezuelë, i cili ishte nën sanksione amerikane. Të mërkurën, një zyrtar amerikan tha se SHBA kishte përfunduar shitjen e parë të naftës venezueliane, me vlerë 500 milionë dollarë (373 milionë paund).
Anije cisternë që dyshohet se po transportonin naftë venezueliane nën sanksione janë sekuestruar gjithashtu nga SHBA-ja, me forcat amerikane që thanë se të enjten kishin hipur në një cisternë të gjashtë./ BBC/



