Anxhela Tato
Lajmi nga “Daily News”, atentatorët janë 2 shtetas shqiptarë dhe 1 kosovar. Ministria e Brendshme shqiptare mohon kombësinë
Zv.kryeministri turk Beshir Atalaj: Sulmi, për të dëmtuar zgjedhjet, dyshime se përfshihet “Al-Kaeda”
Atentati në Turqi mund të jetë i lidhur me grupin terrorist të “Al-Kaedës”, me qëllim krijimin e panikut në prag të zgjedhjeve. Ky është komenti që i është bërë ngjarjes së djeshme nga ana e përfaqësuesve të qeverisë turke, ndërsa ende nuk specifikohet shtetësia e autorëve të krimit, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe 5 të tjerë u plagosën. Nga të dhënat e para të publikuara në mediat turke thuhej se të arrestuar janë shtetas shqiptarë, por kjo deklaratë është mohuar nga vetë Ministria e Brendshme. Ndërkohë që në një konferencë për shtyp ministri i Brendshëm turk, Efkan Ala, ka bërë publik faktin se të arrestuarit janë me origjinë nga shtete perëndimore, por flasin gjuhën arabe. Ndërkaq, qeveria është në pritje të një konfirmimi nga shtete përkatëse. Sulmi terrorist ndodhi në orët e paradites në një postbllok policie në Turqinë Qendrore. Automjeti i marrë me qira nga tre atentatorët po udhëtonte në drejtim të Stambollit, kur është ndaluar nga patrulla. Në tentativë për t’iu shmangur kontrollit autorët e krimit kanë hapur zjarr, duke i marrë jetën një xhandari, një polici dhe drejtuesit të një kamioni.
Turqia
Ministri i Brendshëm, Efkan Ala, ka bërë të ditur se është kapur atentatori i tretë, pas një sulmi të dyshuar të “Al-Kaedës” në një njësi të xhandarmërisë në krahinën qendrore anatoliane Nigde më 20 mars, nga i cili mbetën të vdekur tre persona dhe pesë të tjerë u plagosën. Dy prej atentatorëve, E. S., 18 vjeç, dhe E. A., janë shtetas shqiptarë, ndërsa Ç. R., 23 vjeç, është shqiptar i Kosovës, ndonëse të gjithë ishin duke folur arabisht, sipas raporteve. Sipas lajmit të publikuar “Hurriyet Daily”, në deklaratën e ministrit thuhet se tre të arrestuarit mund të jenë anëtarë të Shtetit Islam të Irakut dhe Levant (Isil) dhe “Al-Kaedës”. Policia sekuestroi shtatë granata, tre kallashnikovë dhe tri bajoneta. Sulmi i atentatorëve ka ndodhur në një pikë kontrolli, ndërsa ata ishin duke udhëtuar për në Stamboll në një taksi me qira në Hataj. Një xhandar, një polic dhe shofer kamioni u vranë në sulm, ndërsa pesë të tjerë mbetën të plagosur. Zëvendëskryeministri Beshir Atalaj tha se informacioni që ai kishte marrë, vuri në dukje lidhjet siriane, duke thënë: “Disa njerëz mund të dëshirojnë të shkaktojë trazira para zgjedhjeve. Ne nuk kemi vuajtur nga sulmet terroriste për një kohë të gjatë, – u tha gazetarëve Atalaj, – por është e kuptueshme se kjo që ndodhi nuk është një sulm i brendshëm terrorist, por vjen nga jashtë Turqisë, për të helmuar atmosferën parazgjedhore”. Ndërkohë, Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan e ka përshkruar incidentin si një “sulm të egër terrorist”.
Ministria e Brendshme e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë nga ana e saj bën të ditur se asnjë prej shtetasve që dyshohen për sulmin nuk janë shqiptarë. “Në kontaktet që kemi vendosur, asnjë prej shtetasve të përfshirë në këtë sulm nuk është shqiptar nga Shqipëria”, – thanë burime të MB-së. Më herët, gjatë vitit, agjencitë e zbulimit thanë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar, ndërsa askush nuk ka numra të saktë të tyre. Më 11 mars, policia e Tiranës arrestoi 8 persona, ndërsa shpalli në kërkim 6 të tjerë nën akuzën e krijimit të celulave të rekrutimit të besimtarëve myslimanë për të luftuar me grupet e opozitës në Siri.
Reagime
Ministri turk Efkan Ala: Autorët e atentatit, me kombësi perëndimore
“Terroristët, të cilët vranë dy oficerët e sigurisë në Turqinë Qendrore, janë me origjinë perëndimore”, – është shprehur ministri i Brendshëm Efkan Ala. Ai është shprehur për gazetarët se specifikimi i kombësisë do të zbulohet pas marrjes së konfirmimit nga vendet përkatëse. Tre persona, duke përfshirë një ushtar dhe një polic, u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri në krahinën qendrore turke të Nidges ditën e enjte. “Terroristët hapën zjarr nga një taksi që ata kishin marrë me qira në provincën jugore të Hataj”, – tha ministri i Brendshëm. Ala shtoi se forcat e sigurisë kapën dy nga tre atentatorët, të cilët ishin shtetas të huaj nga vende perëndimore. “Granata dore, plumba dhe armë zjarri janë gjetur në qeset e lëna në rrugë nga ana e atentatorëve”, – tha ai. Ministri tha se janë duke vazhduar përpjekjet për të kapur atentatorin e tretë. Sulmuesit hapën zjarr kur xhandarmëria dhe ekipet e policisë turke u përpoqën të ndalonin makinën e tyre në një pikë kontrolli në anë të rrugës pranë qytetit të Ulukislas. Xhandarmëria dhe forcat operacionale të policisë u vunë menjëherë në ndjekje të sulmuesve, të cilët ikën në një kamion që kishin shtënë në dorë. Ministria e Brendshme ka thënë se personi i tretë i mbetur i vrarë në sulm është shoferi i kamionit.
SHBA
Sherri për një femër, vritet 15-vjeçari shqiptar
I qëlluar në kokë para 6 ditësh, një 15-vjeçar shqiptar, Kristjan Ndoj, ndërroi jetë në shtratin e spitalit në qytetin e Sheltonit në Konektikat të SHBA-së, duke lënë të tronditur banorët e zonës, të cilët pothuajse të gjithë i përkisnin komunitetit shqiptar. Kristjan Ndoji, 15 vjeç, ndërroi jetë të enjten, ndërsa ishte qëlluar më 15 mars nga persona që ende ndodhen të lirë. Mediet amerikane i kanë dhënë hapësirë këtij lajmi, ku Flamur Peraj, që merret me pica, shprehet: “Çdo gjë është e qetë këtu sot, por ne jemi në gjendje shoku”. Ndoji përshkruhet si djali që rrinte i buzëqeshur dhe sytë e tij të ndritshme, në të gjelbër mund të dalloheshin në një dhomë, ndërsa ai nuk kishte shqiptuar ndonjë fjalë të keqe, në marrëdhëniet me miqtë. Në të shtënat është përfshirë një vajzë e re dhe i dashuri xheloz. Ka pasur raporte për kërcënime telefonike në adresë të Kristjanit. “Ne jemi të vetëdijshëm për kërcënimet që i janë bërë”, – tha Robert Kozlowsky, eksperti i policisë, që shtoi se po hetohej në disa pista. Ndërkaq, kjo ngjarja duket se ka sensibilizuar të gjithë komunitetin amerikan, teksa deri të enjten 333 njerëz kishin dhuruar 16.718 dollarë, përmes një faqeje interneti, për të ndihmuar familjen Ndoj për shpenzimet e varrimit. Fatkeqësia për shqiptarin nisi të shtunën, rreth orës 17:00, kur një grup adoleshentësh u takuan jashtë shtëpisë së një vajze. Ndërkaq, rreth orës 08:45, disa të shtëna erdhën nga zona e pyllëzuar nëpër rrugë. Miku i tij vrapoi në një shtëpi aty pranë dhe kërkoi ndihmë, pasi Ndoj ishte qëlluar 2 herë në kokë dhe këmbë. Ende nuk dihet motivi i plotë për këtë vrasje, por policia dhe prokuroria i kanë përqendruar hetimet në pistën e grindjes mes adoleshentëve për të fituar të drejtën për të dalë me një femër.




