Florenc Drizari
Claudia Vollmer: Ideja është të kemi një administratë zgjedhore më profesionale përmes një personeli të trajnuar më mirë
Kualifikimi i administratës zgjedhore (i KQZ-së) bëhet sërish objekt kritikash nga OSBE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë në Shqipëri. Raportet e fundit të misioneve vëzhguese të OSBE/ODIHR-it kanë nxjerr në pah nevojën për rritjen e profesionalizmit të administratës zgjedhore, edhe përmes përmirësimit të trajnimit të komisionerëve zgjedhorë. Ky shqetësim bëhet më i dukshëm në nivelet e dyta dhe të treta të administratës zgjedhore. Ndërkaq, përtej këtij shqetësimi, KQZ vijon punën pothuajse prej një viti me gjysmën e anëtarëve, edhe pse aktualisht vendi nuk ndodhet në prag të një fushatë zgjedhore. Pas dorëheqjes që dhanë tre anëtarët e opozitës socialiste në prill të 2013-ës, KQZ administroi zgjedhjet parlamentare me katër anëtarët e shumicës së djathtë, PD-së, që pas zgjedhjeve të përgjithshme do të dilte në opozitë si forcë politike. Por edhe pas përfundimit të zgjedhjeve për pushtetin legjislativ, nuk pati ndonjë nismë konkrete nga shumica e majtë për plotësimin e anëtarëve të KQZ-së, edhe pse nuk munguan zërat për rikonfigurimin e të gjithë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Aktualisht pozita dhe opozita kanë një debat të hapur politik për çështjen e respektimit të institucioneve të pavarura, ndërkohë që çështja e KQZ-së është lënë në hije edhe për faktin se vendi nuk ndodhet në prag të një periudhe zgjedhore. Zgjedhjet e ardhshme janë ato për pushtetin vendor dhe pritet të mbahen në verën e vitit 2015.
Takimi
Një ditë më parë në Tiranë u diskutua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, praktikat dhe platformat më të mira për trajnimin e komisionerëve zgjedhorë. Shembuj konkretë të qendrave për trajnim zgjedhor u sollën nga drejtueset e dy strukturave të tilla në Gjeorgji dhe Moldavi.
“Pjesëmarrësit – përfshirë përfaqësues të partive politike, ekspertë zgjedhorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe policisë – ranë dakord për të eksploruar më tej mënyrat për ngritjen e një qendre të trajnimit zgjedhor në Shqipëri për të rritur profesionalizmin e administratës zgjedhore dhe për të eliminuar problemet në këtë fushë.
Ideja është të kemi një administratë zgjedhore më profesionale përmes një personeli të trajnuar më mirë”, – tha Claudia Vollmer, shefe e Departamentit të Demokratizimit në Prezencën e OSBE-së,-thuhet një njoftimin për shtyp të zyrës së OBES-së në Tiranë.
Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi, në këtë takim theksoi se administrimi i zgjedhjeve në të shkuarën është prekur negativisht nga emërimet e vonuara ose zëvendësimet e minutës së fundit të komisionerëve zgjedhorë nga ana e partive politike. Ajo tha se, në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, partitë zëvendësuan mbi një të tretën e komisionerëve të nivelit të dytë, një shifër shtatë për qind më e lartë se në zgjedhjet e 2009-ës.
PD, tjetër denoncim qeverisë për emërime me precedentë në administratë
Partia Demokratike denoncoi nëpërmjet zëdhënëses Laura Vorpsi, atë që e quajti modelin e Edi Ramës për administratën dhe shërbimin shëndetësor. Në nëntor të vitit të kaluar, tha Vorpsi, Ukë Camaj u dënua nga Gjykata me 1 milion lekë gjobë, për falsifikim dokumentesh shkollorë dhe pas këtij vendimi ai u emërua në administratën publike.
“Kemi këtu vendimin e gjykatës, madje edhe urdhrin e prokurorisë për asgjësimin e diplomës false, në zbatim të vendimit të gjykatës. Vetëm një muaj më pas, në dhjetor të vitit 2013, Ukë Camaj u emërua nëndrejtor Ekonomik në Spitalin Rajonal të Tropojës. Ja dhe urdhri për emërimin e tij nga shëndetësia falas e rilindjes. Kjo është administrata e Edi Ramës, këto janë meritat që vlerëson kjo qeveri. Ky është modeli që ka zgjedhur Edi Rama për Tropojën. Ky është shërbimi shëndetësor që Edi Rama ka ndërmend të ofrojë për qytetarët e Tropojës”, – deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike.
Mazhoranca nuk heq dorë nga AMA
Mazhoranca duket e vendosur për të shqyrtuar mandatin e anëtarëve të AMA-s. Një ditë më parë, shumica parlamentare riktheu debatet për AMA-n, duke kërkuar shkarkimin e kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive. Pas më shumë se 3 orë debat dhe mungesës së kompromisit, demokratët kanë braktisur punimet e Komisionit të Medias, duke e lënë të vetme mazhorancën për të miratuar kalendarin njëjavor të punimeve, ku është e përfshirë dhe memo e Drejtorisë së Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, ku thekson se që prej datës 24.9.2012 e në vijim, Endira Bushati, qëndron në detyrë pa mandat të ligjshëm.
Opozita e kundërshtoi fort këtë vendim të mazhorancës, pasi, sipas tyre, qëllimi i vetëm është vënia nën kontroll politik të Autoritetit të Mediave Audiovizive. Ata e cilësojnë memon të falsifikuar dhe për këtë arsye kanë vendosur të kallëzojnë penalisht përgjegjësit.




