Tendera mln euro dhe pronat e ushtrisë, si Rama futi Ron Yeffet në biznesin e armëve përmes KAYO

Do të ndalemi sot në një skandal që ka përfshirë edhe NATO-n, ku një kompani izraelite po hetohet për korrupsion, e drejtuesit e saj bashkë me zyrtarë të aleancës akuzohen se kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal. Pas në këtë histori nuk mbetet edhe Shqipëria, pasi kudo ku ka anë të errëta korrupsioni në glob, çuditërisht shfaqet edhe emri i vendit tonë apo kryeministrit Edi Rama. Do tju njohim fillimisht me një prezantim të shkurtër të temës, dhe më pas marrim faktet me radhë.

Për herë të parë me zë e figurë, përfshirja e shtetasve izraelitë në Shqipëri, fal marrëveshjeve të Edi Ramës, u përmendën nga ish-zëvenëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ka qenë një nga njerëzit më të afërt të Ramës, për shkak të pozicionit, e sot në azil, për shkak të përndjekjes politike.

Por duket se plani i kryeministrit Edi Rama, me mikun e tij izraelit u realizua edhe pas largimit të Ahmetajt, vetëm, se jo në fushën e financave e të borxhit publik, por në një sektor po aq të rëndësishëm, atë të armatimit dhe ushtrisë.

Në dy vitet e fundit, kryeministri Edi Rama shfrytëzon thuajse çdo dalje për të treguar se Ushtria shqiptare po rilind, e madje, siç dikur me satelitët Albanian one dhe Albanian Two, këtë herë mori përsipër të deklaronte se tashmë flamurin shqiptar do e kishin edhe dronët e prodhuar, falë këtyre marrëveshjeve sekret.

Kjo është deklarta e kryeministrit Edi Rama pak muaj më parë, pasi kishte firmosur marrëveshje për të kaluar ushtrinë dhe armatimin e ushtrisë shqiptare në dorë të disa kompanive izraelite. E 7 muaj më parë, nga Vlora, kryeministri Edi Rama, sëbashku me zv. kryeministren Belinda Balluku dhe Ministrin e Mbrojtjes, Piro Vengu, do të firmosjen memorandumin e bashkëpunimit, që do ti hapte më pas rrugën për qindra miliona euro pagesa për kompaninë izraelite Elbit Systems.

Kryeministri Edi Rama do të deklaronte se kjo ishte një kthesë historike për ushtrinë shqiptare, e sipas tij falë marrëveshjes me kompaninë izraelite Elbit System.

Në rresht të parë, në këtë takim qëndronte i ulur edhe Ron Yeffet, izraeliti i cilësuar si miku personal i kryeministrit Edi Rama njëherësh edhe këshillues i tij, e që sëfundmi u përfshi edhe me kompaninë e tij në sektorin e mjeteve ushtarake, që po ashtu e kontraktuar dhe e paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Ndërsa kryeministri Edi Rama e cilëson histori suksesi marrëveshjen me Elbit System, me këto marrëveshje e futi Shqipërinë, në analet më të errëta të korrupsionit të Aleancës së NATO-s.

Një skandal ka plasur sëfundmi në NATO, ku miqtë dhe bashkëpunëtorët e Edi Ramës të Elbit System akuzohen për korrupsion në fushën e armatimit, e sipas autoriteteve belge, kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal. Firmat e mbrojtjes, përfshi Elbit System dyshohet se kanë paguar ryshfete me vlerë miliona euro për të siguruar kontrata përmes Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s për të furnizuar aleancën ushtarake dhe 32 shtetet e saj anëtare. Si vendim paraprak, Kompania, Elbit Systems është pezulluar nga agjencia e prokurimit të NATO-s për shkak të skandalit të korrupsioni që përfshin akuza për ryshfet dhe praktika të sanksionueshme.

Media prestigjoze Follow the Money (FTM), e cila raporton se ka siguruar dokumente, raporton se  Agjencia e Prokurimit Publik në NATO, pezulloi kompaninë izraelite Elbit Systems dhe degën e saj Oruion Advanced Systems prej 31 korrikut.

Pas pezullimit, hetimet u thelluan për akuza serioze që tregonin përfshirje të mundshme në praktika korruptive nga kompania izraelite. Disa muaj më parë, u lëshuan disa urdhër arreste për vendet anëtare të NATO-S, përfshirë Belgjikën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u vunë në pranga disa ish-gjeneralë të NATO-s, të cilët më pas u kthyen në bashkëpunëtorë.

Ata dyshohet se ishin pikërisht njerëzit që ndërmjetësonin kontratat e majme financiare për blerjen e armatimeve me kompaninë Elbit Systems. Dyshimet janë se kompania izraelite, pa paguar ryshfete me vlerë potencialisht miliona euro për të siguruar kontrata përmes NSPA-së për të furnizuar aleancën ushtarake dhe shtete të saj anëtare.

Hetimet janë duke u zhvilluar në Belgjikë dhe Luksemburg, ku ndodhet selia e agjencisë, ndërsa mes urdhër arresteve është dhe ai për një konsulent të dyshuar që vepronte në emër të kompanisë Elbit Systems, i quajtur Eliau Eluasvili. Hetuesit dyshojnë se gjatë një periudhe disavjeçare Eluasvili i mundësoi Elbit Systems të siguronte kontrata të shumta, kushtet e të cilave u manipuluan.

Akuzat e ngritura deri më tani, janë për “korrupsion aktiv dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale”. Vetëm për vitin 2025, sipas mediave që kanë kryer investigimin, janë kryer rreth 10 miliardë euro porosi në fushën e armatimeve. NATO vendosi këtë verë të pezullojë disa programe të lidhura me grupin Elbit Systems, i cili pati një xhiro prej 6.83 miliardë dollarësh vitin e kaluar.

Lista përfshin pesëmbëdhjetë kontrata të pezulluara nga NATO. Trembëdhjetë janë kontrata të dhëna për Elbit Systems dhe degën e saj Orion Advanced Systems. Ato ishin kontrata për furnizimin e siguresave ajrore dhe bombave siguresash, fishekzjarrëve për avionë dhe predhave 155 mm për forcat e armatosura të NATO-s.

Një nga kontratat në listë dallohet për madhësinë e saj: programi i përmirësimit të jetës së mesme për anijet patrulluese në det të hapur të marinës portugeze me një buxhet total prej 100 milionë eurosh për periudhën 2016-2024, një pjesë e të cilit NATO ia dha Elbit.

Deri këtu, çdo kush mund të mendoj se një kompani prestigjoze izraelite që po hetohet nga NATO, nuk është një problem shqiptar. Apo edhe se qeveria shqiptare nuk mund ta dinte se ishte në hetim, e tashmë e pezulluar nga NATO.

Por, në vijim do tju tregojmë, se këtu problemi bëhet shqiptar. Ndërsa NATO e hetoi, mori masë paraprake pezullimi të projekteve ekzistuese, i ndaloi pjesmarrjen në projektet e reja, kryeministri shqiptar, jo vetëm që nuk eci në të njëjtën linjë me NATO-n, por në vend të bllokimit, zgjeroj bashkëpunimin me këto kompani.

Falë memorandumit të Bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes Izraelite dhe marrëveshjeve me kompaninë objekt hetimi nga NATO, kryeministri Edi Rama deklaronte se tashmë ushtria shqiptare po rilindte.

Projektet që po e rilindnin ushtrinë e popullit më të varfër të Europës,  mbahen sekret nga qeveria, madje edhe kostot e këtyre projekteve, që nuk do të kalojnë nëpërmjet NATO-s, bashkëpunimit me qeveri të ndonjë shteti tjetër, por do të kalojnë drejtëpërsëdrejti nga buxheti i qytetarëve shqiptarë në llogari të disa kompanive private të hapura rishtazi nga persona të përfolur për lidhje dhe miqësi me kryeministrin Edi Rama. E pas tyre si frunitor, do të jetë kompania nën hetim nga NATO, Elbit Systems, me origjinë izraelite.

Ndërsa për shqiptarët këto kontrata dhe kostot e tyre konsiderohen sekret, janë mediat e huaja, sëbashku me ato izraelite që japin detaje.

Gazeta izraelitye Haaretz, shkruan se firma izraelite e mbrojtjes Elbit Systems do të furnizojë Shqipërinë, një anëtare të NATO-s, me sisteme të përparuara artilerie, duke përfshirë obusë, mortaja dhe dronë, dhe do ta ndihmojë vendin të zhvillojë prodhimin e saj vendas.

E sipas këtij artikulli, marrëveshja aktuale është një hap tjetër në forcimin e marrëdhënieve të mbrojtjes midis Izraelit dhe Shqipërisë, një proces që përputhet me përpjekjet e kryeministrit shqiptar Edi Rama për të zhvilluar një industri vendase mbrojtëse.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar midis qeverive izraelite dhe shqiptare në shtator, Elbit Systems do t’i furnizojë Shqipërisë obusë ATMOS 155 mm të montuara në kamionë dhe sisteme mortajash SPEAR 120 mm të bazuara në mortajën CARDOM të Elbit.

Kompania gjithashtu do të furnizojë dy lloje dronësh taktikë me rreze të shkurtër veprimi, Magni-X dhe Thor.

Madhësia e marrëveshjes nuk dihet, por marrëveshjet e mëparshme ATMOS që Elbit Systems raportoi tregojnë se secila njësi shitet për 5 milionë dollarë.

Droni kuadrokopter Magni-X mund të mbahet në shpinë, dhe Elbit Systems thotë se ka aftësi plotësisht autonome, duke e lejuar atë të fluturojë në zona me ndërprerje të rënda të GPS.

Magni-X mund të mbajë një ngarkesë prej 1.5 kg, duke përfshirë kamera për shikim gjatë ditës dhe natës, ndër sensorë të tjerë. Mund të funksionojë deri në 60 minuta pa ndërprerje.

Sipas marrëveshjes, Elbit Systems do të bashkëpunojë me kompaninë qeveritare shqiptare KAYO, e cila u krijua në vitin 2024 për të çuar përpara zhvillimin e një industrie vendase të mbrojtjes.

Firma do të ndërtojë një fabrikë prodhimi prej 5,000 metrash katrorë rreth 53,800 këmbë katrorë në veri të Shqipërisë. Marrëveshja me Izraelin përcakton që Elbit Systems do t’i sigurojë Shqipërisë dhjetë dronë në fazën e parë, duke e ndihmuar më vonë vendin të ngrejë linja prodhimi për dronë dhe sisteme artilerie.

Marrëveshja e paraqitur për miratim nga qeveria shqiptare nuk përmend shumën e marrëveshjes dhe as nuk specifikon burimet e financimit. Haaretz citon një zyrtar të lartë të qeverisë shqiptare kur shkruan se Shqipëria normalisht nuk “publikon detaje të këtij lloji gjatë negociatave, veçanërisht kur përfshihen kontraktorë të mëdhenj të mbrojtjes si Elbit Systems ose Lockheed Martin”.

Kryeministri premtoi se Shqipëria do të ishte në gjendje të pajiste ushtrinë e saj me dronë të prodhuar në vend deri në vitin 2027, dhe raportet në vend thonë se teknologjia izraelite është pas premtimit, shkruan Haaretz. Rezulton se Elbit Systems është një nga përfituesit kryesorë të forcimit të marrëdhënieve, pasi nënshkroi një marrëveshje në prill për të hapur një shkollë fluturimi në Vlorë, një qytet në bregdetin e Mesdheut, gjithashtu në bashkëpunim me KAYO.

Më tej artikulli i Haaretz, e lidh afrimin e Shqipërisë me faktorin izraelit, nga qëndrimi që kryeministri shqiptar Edi Rama mbajti ndaj regjimit të Iranit, që ndërpreu çdo marrëdhënie dhe e akzuoi Iranin se fshihej pas sulmeve kibernetike në vitin 2022.

Britania e Madhe, vetëm javën e shkuar ndërpreu çdo marrëdhënie me Elbit System, duke anuluar kontrata aktuale deri në 2. 6 miliardë dollarë. Në dosje pretendohej se Elbit UK kishte shkelur rregullat e emërimeve në biznes kur Philip Kimber, një ish-brigadier i Ushtrisë Britanike, thuhet se kishte ndarë informacione me firmën pasi kishte lënë ushtrinë. Kimber merrte pjesë në takime kritike në firmë për të diskutuar kontratën e trajnimit që ai dikur e kishte mbikëqyrur në ministri, pretendonte raporti.

Në një rast, Kimber ishte i pranishëm në një takim të Elbit dhe i ulur larg pamjes së një kamere. Ai thuhet se tha se “nuk duhet të ishte atje”, sipas raportit të sinjalizuesit.

Në përgjigje të një kërkese për lirinë e informacionit, Ministria e Mbrojtjes më vonë pranoi se e kishte mbajtur dosjen për shtatë muaj pa hetuar pretendimet e saj.

Burime të brendshme në ministri ia hodhën fajin e vonesës hetimore “mbikëqyrjes administrative”.

Mes kritikave në rritje ndaj Izraelit brenda establishmentit ushtarak britanik, katër ish-oficerë të lartë të ushtrisë, në një letër drejtuar Kryeministrit Keir Starmer, i kërkuan së fundmi qeverisë të ndalojë përfshirjen me kompanitë e armëve në pronësi të Izraelit ose të mbështetura nga Izraeli.

Por Shqipëria edhe pse një vend anëtar i NATO-s, duket se nuk ka ecur në të njëjtën linjë, duke vijuar me bashkëpunimin. Syri Tv pyeti Minitrinë e Mbrojtjes, nëse ka zbatuar vendimin e Aleancës për të ndërprerë bashkëpunimin me këtë kompani. Ndryshe nga Ministria e Mbrojtjes që bën transparencë për mediat kur bëhet fjalë për ccështje të rëndësisë kombëtare dhe me interes publik, përfaqësuesit e qeverisë shqiptare refuzuan të japin informacion, me justifikimin se kontrata është sekret.

Ministria e Mbrojtjes

Referuar email tuaj ju bejme me dije se ky informacion nuk mund te behet publik, sepse nje nga elementet e kontratave/marreveshjeve te nenshkruara ne kuader te bashkepunimit nderqeveritar midis Shqiperise dhe Izraelit eshte ruajtja e konfidencialitetit te specifikave.

Në asnjë rast gazetarët e emisionit ‘Plug’ nuk kërkuan detaje nga kontrata, por vetëm informacion për pjesën që vetë qeveria e ka bërë publike, atë të vijimit apo jo të kësaj kontrate. Por me këtë përgjigje, Ministra e Mbrojtjes indirekt konfirmon se kontrata është aktive për sa kohë duhet respektuar edhe konfidencialiteti i saj.

E për më tepër, kjo kontratë në momentin e nënshkrimit u publikua në fletoren zyrtare bashkë me detajet e saj, e deri më sot, në Fletoren Zyrtare nuk është publikuar asnjë njoftim për pezullimin apo anulimin, publikim i cili është hap ligjor nëse do të kishte ndonjë vendim të tillë.

Kjo ishte panorama e përgjithshme e marrëveshjes me kompanitë izraelite ushtrinë shqiptare. Marrëveshje që disa i cilësojnë kontrata klienteliste, NATO ngre dyshime korrupsioni, ndërsa disa të tjerë i lidhin me blerje të influencave politike.

Por cila nga këto treja ishte interesi i qeverisë shqiptare dhe Edi Ramës për të lidhur marrëveshje me Elbit Sistems?

Në vijim, do tju sjellim një analizë të aktivitetit dhe zbatimit të këtyre marrëveshjeve në Shqipëri, ku kompanitë e krijuara dhe kontraktuara, ngrenë dyshimet se janë fluska që po përdoren për të thithur miliona euro, pasi jo vetëm pa eksperiencë në këtë fushë, por s’kanë as mundësinë teknike e burime njerëzore për zbatimin e projekteve për të cilat marrin miliona euro.

E për zbatimin e kësaj skeme në Shqipëri, Edi Rama krijoj KAYO-n, të drejtuar nga Ardi Veliu, e pas tij në lojë futet edhe Ron Yeffet, miku i tij izraelit, që nga shfaqja në krahë të Elbit System bëhet pjesë e kompanive private që do të thithin milionat në emër të modernizimit të ushtrisë.

Kryeministri Edi Rama duket se ka patur plotësisht të drejtë, kur u shpreh se ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë budallenj, që të bëjnë tendera të drejtë, të marrin oferta konkuruese apo të shpenzojnë buxhetin e ushtrisë pa abuzuar me fondet e shqiptarëve. E këto fonde, siç tha vetë kryeministri nuk do të shkojnë më jashtë por do të përkthehen në investime në Shqipëri, ku shteti do të përfitojë sërish nga ngritja e kompanisë publike KAYO, të cilën mori përsipër ta mbrojë njësojë si AKSHI-n e Mirlinda Karçanajn.

Por e vërtëta duket se qëndron shumë më ndryshe nga sa deklaron kryeministri, pasi kjo kompani është ngritur dhe për sa kohë ka nisur të funksiojë, ka patur për qëllim shmangien e konkurencës, garave dhe fondet për ushtrinë të kanalizohen tek kjo kompani, ku Ardi Veliu nën komandën e Edi Ramës, do t’i kanalizojë më pas te kompanitë private me të cilat kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi, që siç do e analizojmë më pas, qëndrojnë interesa të errëta të miqve të Edi Ramës.

I gjithë operacioni, nisi në shtator të vitit 2024 me themelimin e Shoqërisë KAYO, edhe pse sipas dokumenteve, rezulton se në këtë periudhë është konkretizuar veç kopsitja e dokumeteve, pasi gjithçka ka qenë mirëmenduar që kohë më parë. Kjo shoqëri është themeluar menjëherë pas miratimit të ligjit 88/2024.Sipas këtij ligji kjo shoqëri ka si qëllim:

Neni 1
“KAYO” sh.a., shoqëri shtetërore për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, të municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake (në vijim “Shoqëria”), si dhe përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së saj.
Neni 2

Objekti i veprimtarisë 1. Shoqëria ka objekt veprimtarie projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin, asgjësimin dhe tregtimin, brenda dhe jashtë vendit, të të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve, përfshirë edhe armët ushtarake, të municioneve, të teknologjive dhe pajisjeve ushtarake, si dhe çdo aktivitet të lidhur me këtë veprimtari, në funksion të politikave kombëtare të sigurisë e mbrojtjes dhe rritjes së kapaciteteve ushtarake. 2. Përgjatë zhvillimit të veprimtarisë së saj, Shoqëria ndjek gjithashtu interesa ekonomikë dhe tregtarë.

Neni 4
Objektivat e Shoqërisë Shoqëria ka këta objektiva kryesorë:
1. Zhvillon me eficiencë aktivitetin e saj, duke kontribuuar në ngritjen, zhvillimin dhe forcimin e industrisë së prodhimit e të tregtimit të armëve, me qëllim sigurimin e nevojave të Forcave të Armatosura dhe ato të sigurisë në Republikën e Shqipërisë, si dhe të realizimit të fitimit ekonomik.
2. Prodhon dhe furnizon me pajisje të nevojshme Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera përgjegjëse të sigurisë për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e interesave kombëtarë.
3. Ndërton, zhvillon dhe përmirëson kapacitetet vendase për të prodhuar e furnizuar Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera përgjegjëse të sigurisë me pajisje të nevojshme për operacionet e tyre.
4. Mobilizon kapital shtetëror dhe/ose privat në funksion të zhvillimit të aktivitetit të saj.
5. Nxit investimet në teknologji dhe inovacion për prodhimin, përdorimin, tregtimin e armëve brenda dhe jashtë vendit.
6. Bashkëpunon me subjekte të ndryshme shtetërore e private, kombëtare dhe ndërkombëtare, për zhvillimin e objektit të veprimtarisë së saj.
7. Financon ose bashkëfinancon projekte në fushën e mbrojtjes e të sigurisë kombëtare ose shoqëri të themeluara në bashkëpunim me subjekte private dhe/ose publike të ngritura për realizimin e tyre.
Pra shihet qartë që kjo kompani ka objektiva të qarta për zhvillimin e industrisë për prodhimin dhe tregëtimin e armëve, si dhe prodhimin e pajisjeve të tjera që u duhen institucioneve të sigurisë.

Në nenin 10, të këtij ligji krijohet edhe shtegu i kalimit të fondeve tek privatët. Sipas këtij Neni, KAYO ka të drejtë të krijojë edhe shoqëri të tjera në bashkëpunim me subjekte të tjera private:

NENI 10
Marrëdhëniet me palët e treta
1. Shoqëria ka të drejtë të hyjë në marrëdhënie me palët e treta, subjekte shtetërore ose private, vendase apo të huaja, në të gjitha fazat e zhvillimit të veprimtarisë së saj, në përputhje me kriteret dhe procedurat e caktuara me këtë ligj.

2. Shoqëria, vetë ose me kërkesë të palëve të treta, bashkëpunon me subjekte private nëpërmjet pjesëmarrjes në bashkim operatorësh ekonomikë, në partneritet publik, privat, sipas legjislacionit tregtar në fuqi dhe/ose nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme kontraktore të lejuara nga legjislacioni civil e tregtar.

3. Kushtet e negocimit të Shoqërisë me subjekte private miratohen, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të Shoqërisë, nëpërmjet ministrit përgjegjës për mbrojtjen. Pas këtij miratimi, Shoqëria vijon procedurat sipas pikave 4, 5 dhe 6 të këtij neni.

4. Në rastet kur Shoqëria kërkon të bashkëpunojë me partnerë privatë, procedurat e përzgjedhjes së bashkëpunëtorit privat janë
procedura konkurruese të zhvilluara nga Shoqëria në përputhje me parimet e transparencës, të proporcionalitetit, efikasitetit, ruajtjes së informacionit të klasifikuar, përfitueshmërisë, fizibilitetit ekonomik dhe tregtar të projekteve, trajtimit të barabartë, reciprocitetit dhe të sigurisë ligjore, si dhe sipas përcaktimeve në këtë ligj e aktet e brendshme rregullatore të Shoqërisë.

5. Në rastet kur Shoqërisë i paraqiten kërkesa për bashkëpunim nga palë të tjera shtetërore ose private, Këshilli Mbikëqyrës autorizon administratorin të ngrejë grupin e negocimit të ofertës, i cili ngarkohet për vlerësimin dhe negocimin e kërkesës së paraqitur, në përputhje me strategjinë e zhvillimit të Shoqërisë. Raporti i grupit të negocimit i paraqitet Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë, i cili miraton ose jo bashkëpunimin në rastin konkret.

6. Në rastet kur bashkëpunimi lidhet me interesat e shtetit në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, të evidentuara në dokumentet strategjike, sipas vlerësimit të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Shoqëria mund të përzgjedhë drejtpërdrejt një subjekt publik apo privat me të cilin do të bashkëpunojë. Në këto raste, Këshilli Mbikëqyrës autorizon administratorin të urdhërojë ngritjen e grupit të negocimit, i cili, në përputhje me vendimin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, vlerëson subjektin me të cilin negocion në mënyrë të drejtpërdrejtë. Raporti i grupit të negocimit miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

Bazuar nga sa më sipër, 8 muaj pas miratimit të tij, në qërshor të vitit 2025 Këshilli i Ministrave miraton VKM 322, për ti hapur rrugëkrijimit të kompanive të reja, të cilat do ti analizojmë gjerësisht në vijim.

VENDIM Nr. 322, datë 11.6.2025
PËR MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO” SHA, ME SHOQËRI TREGTARE PRIVATE PËR PRODHIMIN OSE PËRSHTATJEN E MJETEVE MOTORIKE TË POSAÇME
VENDOSI:
Ky vendim ka përobjekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me shoqëri tregtare private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim, me qëllim, mes të tjerave, prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile.
Shoqëria “KAYO” sh.a. do të ketë një pjesëmarrje jo më të ulët se 45% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private, sipas këtij vendimi.
Shoqëria “KAYO” sh.a. do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2 , që do t’i vihen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
Shoqëria “KAYO” sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, minimalisht:
a) një vlerë investimi jo më të ulët se 15 milionë euro në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve;
b) punësimin e jo më pak se 150 (njëqind e pesëdhjetë) punonjësve në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve;
c) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të mjeteve të blinduara, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të standardeve të NATO-s;
ç) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.

Shoqëria “KAYO” sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e mjeteve ushtarake dhe mjeteve për përdorim nga strukturat e sigurisë e të emergjencave civile. Pra me këtë vendim Këshilli i Ministrave Autorizon KAYO dhe Administratorin Ardi Veliu të krijojë një shoqëri tregtare me një kompani private për prodhimin OSE PËRSHTATJEN e mjeteve motorike.

Sipas VKM, KAYO do të kishte jo më pak se 45% të aksioneve në këtë kompani dhe do të kontribuonte në këtë shoqëri me një pronë publike 20.000 m2.

Kurse pala private do duhet të garantonte një investim 15 milion euro në 3 vite, punësimin e jo më pak se 150 punonjësve në 3 vite si dhe ofrimin e linjave tekologjike për prodhimin e mjeteve të blinduara sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura.Sigurisht të mos harrojmë se sipas ligjit duhet që kjo kompani do të duhet të përzgjidhet nëpërmjet procedurave konkurruese ose ti drejtohet me nje propozim KAYO.
Por brenda një muaji, u rishikuan edhe një herë interesat e përfitimit nga kompania private në kurriz të kompanisë shtetërore. Në muajin korrik të 2025, me një tjetër VKM, Edi Rama ndryshon Vendimin e qershorit, për ti ulur edhe më shumë të drejtat e KAYO-s te kompanitë e reja të themeluara në bashkëpunim me privatin.

VENDIM Nr. 387, datë 10.7.2025
PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR. 322, DATË 11.6.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE ‘KAYO’ SHA, ME SHOQËRI TREGTARE PRIVATE PËR PRODHIMIN OSE PËRSHTATJEN E MJETEVE MOTORIKE TË POSAÇME”
VENDOSI:

Në pikën 2 të vendimit nr. 322, datë 11.6.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kushteve të negocimit të shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me shoqëri tregtare private për prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme”, numri 45 zëvendësohet me numrin 20.

Më këtë ndryshim brenda muajit tashmë KAYO në shoqerinë e re të krijuar do të ketë jo 45% të aksioneve por 20%.Me ndryshimin final për të minimizuar interesin të shtetit te kmpanitë e reja, duket se ishte gati edhe krijimi i kompanisë së parë.

Nga investigimi i emisionit Plug rezultoi se në datën 4 Gusht 2025, vetëm 20 ditë pas hyrjes në fuqi të VKM themelohet shoqëria TIMAK DEFENCE.

Pra sipas përcaktimeve ligjore brenda 20 ditëve janë kryer procedurat e mëposhtëme:Hyn në fuqi VKM që krijon kuadrin ligjor për krijimin e një shoqerie të tillë;

Merret vendimi nga Asambleja e KAYO për të krijuar një shoqëri të tillë;
Hapet dhe mbyllet procedura konkuruese nga KAYO ose nëse ka patur ofertë nga subjekti privat;

Autorizohet Ardi Veliu për ngritjen e grupit të negocimit, negociohet dhe përmbyllen me sukses si dhe firmoset marrëveshja e bashkëpunimit.

Pra shihet qartë se kjo VKM ishte thjesht hapja e rrugës për një pazar të përcaktuar më parë dhe kjo kuptohet kur analizojmë shoqërinë TIMAK. E për më tepër është e pamjaftueshme që brenda 20 ditëve të ideohet, projektohet, analizohet dhe konkretizohet një marrëveshje e till, e aq më shumë për tëparë interesat e shtetit, siç shprehet kryeministri Edi Rama.

TIMAK DEFENCE themelohet në 4 gusht të vitit 2025 me aksion 80 % kompaninë TIMAK dhe 20% KAYO, siç me VKM-në e dytë u ul pa asnjë sqarim përqindja e akisoneve në këtë kompani, duke i lënë privatit thuajse të gjithë pjesën e fitimit.Administratore e kësaj kompanie do të jetë ARJETA PUCA.

Po kush është kompania TIMAK?

TIMAK themelohet në vitin 2016 me aksioner 50% APOSTOL PAPA dhe 50% ARJETA PUCA.Edhe pse një kompani e suksesshme në vitin 2021 Apostol Papa i shet aksionet ortakes Ajeta PUCA.

Kompania vazhdon të ushtroj aktivitet të suksësshëm sidomos në tenderat publik por do e analizojmë në detaje pak më vonë.Menjëher pas miratimit të VKM së parë në 11 qërshor të vitit 2025, Arjeta Puca vendos të shes 49% të aksioneve shtetasit RON YEFFET.

Pikërisht këtu del në skenë edhe qëllimi dhe personazhet kryesorë të kësaj skeme. Ron Yeffet është miku izraelit i kryeministrit Edi Rama, i cili siç e patë në fillim të emisionit u shfaq në Vlorë sëbashku me kompaninë Elbit Sistem të sanksionuar nga NATO. Gjithashtu është personi, të cilin Arben Ahmetaj e identifikon si mikun e kryeministrit, të cilit do i jepte borxhin publik, tokën e ambasadës Shqiptare në SHBA, e shumë përfitime të tjera.

Sipas kontratës së datës 19.06.2025, Ron YEFFET blen 49 % të aksioneve të shoqërisëTIMAK për vlerën qesharake të 490 euro, edhe pse vetëArjeta Puca i kishte blerë nga ortaku në vlerën 1000 euro.Kujtojmë se TIMAK ishte një kompani e konsoliduar dhe vetëm fitimi i vitit 2024 ishte 1.3 milion euro.

Po kush janë Arjeta Puca, Apostol Papa dhe si u bë TIMAK brena një kohe të shkurtër, kompania e preferuar e tenderave?

Sipas deklarimeve të saj Arjeta Puca është një vajzë shqiptare e emigruar me familjen e saj në Ankara në moshën 4 vjeçe, ka ardhur rrallë për pushime në Shqipëri dhe ditën që ka mbushur 30 vjeçe ka vendosur të rikthehet pasi e kishte marrë malli për atdheun.

Po sipas një interviste në Prill të vitit 2021, Arjeta Puca deklaron se fillimisht e ka patur shumë të vështirë pasi nuk dinte as gjuhën, nuk kishte as lidhje dhe nuk kuptonte as procedurat. Madje, nëasnjë nga intervistat Arjeta Puca nuk e përmend ortakun e saj Apostol Papa.

Por nga një personazh që nuk dinte as gjuhën, e me njohje në Shqipëri vetëm në periudhat e shkurtra të pushimeve, Arjeta Puca rezulton sot pas disa transakisoneve të dyshimta aksionesh, si ortakja Ron Yeffet, miku i kryeministrit Edi Rama, e një prej lobuesve të interesave të kryeministrit shqiptar në vende aleate të Shqipërisë.

Po në të njëjtën intervistë, Puca flet edhe për suksesin e kësaj kompanie, të cilin ja kushton punonjësve të saj, e siç thekson merr edhe punonjës me ekspertizë nga jashtë, madje nuk nguron të flas as për suksesin e prodhimeve të punonjësve të saj.

Madje edhe kryeministri Edi Rama, të premten e fundit, u përpoq tu mbushte mëndjen shqiptarëve se këto investime do të ishin mundësi të reja punësimi, për burrat dhe gratë shqiptare, që tashmë do të punësohen edhe në industrinë ushtarake. E madje sipas kryeministrit, shteti shqiptar nuk do të paguaj asnjë lekë, e këto do të gjenerohen nga kompania private.

Por sa qëndrojnë këto deklarime. A janë këto kompani vërtetë prodhuese tëmjeteve ushtarake, fal punësimeve, pa marrë asnjë lekë nga taksapaguesit shqiptar?

Nga anlizimi i të dhënave rezulton se kompania TIMAK, jo që nuk ka punësuar qindra punonjës, e të ketë kontribuar. Por sipas bilanceve të saj, kompania TIMAK ka vetëm një punonjës të deklaruar dhe të ardhurat e saj ndër vite janë nga institucionet shtetërore dhe buxheti i taksapaguesve shqiptar.

Në vitin 2016, kur dhe u themelua kompania TIMAK nuk deklaron të ardhura, ndërsa në vitin 2017 deklaron 100.000 euro faturim dhe 30.000 euro fitim.Numri i punonjësve rezulton të jetë veç 1.

Vlera e pajisjeve që ka kjo kompani është 9.000 euro që do të thotë se TIMAK thjesht ka importuar ose blerë mjete nga subjekte të tjerë, pasi nuk ka as pajisje, as punonjës e as kapital për këto prodhime.

Po në bilanc shprehet se kompania ka 70.000 euro detyrime ndaj ortakëve.Ekonomiste e kësaj kompanie është shtetasja Lumturi Velaj, një personazh që do të ndalemi në vijim të investigimit për shkak të rëndësisë së rolit të saj.

Në vitin 2018 kjo kompani 10 fishon shitjet pasi tashmë janë në vlerën 1 milion euro dhe fitim 300.000 euro.

Numri i punonësve është 3, pra ende flasim për një kompani që blen dhe shet mjete dhe nuk prodhon mjete.

Në vitin 2019 faturimi është 620.000 euro dhe fitimi 280.000 euro.

Në bilancin e vitit 2020 përftojmë të dhëna intersante pasi deklarohen 700.000 euro të ardhura të paarkëtuara nga klientët ku kryesisht janë ENTE SHTETËRORE.

Të ardhurat për vitin 2020 dhe pse vit pandemik janë 1.4 milion euro dhe fitim 80.000 euro.

Në vitin 2021 pas largimit të ortakut Apostol Papa bie dhe faturimi në vlerën 200.000 euro dhe fitim 10.000 euro.

Në vitin 2022 të ardhurat janë në vlerën 630.000 euro dhe fitim 30.000 euro.Gjatë këtij viti shpenzimet për paga janë shumë të ulta që tregojnë se ka patur vetëm 1 punonjës.

Në vitin 2023 faturimi shkon në vlerën 2.8 milion euro dhe fitim 340.000 euro, një rritje galopante edhe pse vazhdon të ketë 1 punonjës që tregon se këto mjete ose importohen dhe nuk prodhohen ose importohen dhe modifikohen këtu me punonjës të padeklaruar nga shoqëria TIMAK.

Pra duket qartë që edhe para ndërtimit të skemës me KAYO nga kryeministri Edi Rama, TIMAK fitimet i kishte nga fondet shtetërore, e për më tepër pa patur mundësinë e prodhimit të mjeteve të sigurisë, siç përpiqet tu thojë shqiptarëve kryeministri.

Ndërkohë në datën 23 korrik, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, depozitohet statuti i ri i kompanisë ku ndryshon dhe objekti i aktivitetit për tu përshtatur me marrëveshjen që do të firmosnin me KAYO.

Sipas statutit të ri, Arjeta PUCA në rolin e themelueses së Shoqërisë dhe Ron YEFFET në rolin e INVESTITORIT kanë lidhur një marrëveshje bashkëpunimi në datën 17 qershor vetëm pak ditë pasi u miratua VKM e parë për themelimin e kompaninsë TIMAK DEFENCE.

Po sipas satutit rezulton se fitimet e kësaj kompanie do të ndahen 50 me 50 dhe jo 51 me 49 siç janë aksionet. Pra duket qartë se në kohën që në Këshillin e Ministrave gatuheshin VKM-të për këtë skemë, në zyrat e kompanisë TIMAK gatuhej gatishmëria e kësaj kompanie për të plotësuar kuadrin ligjor.

Edhe njëherë faktohet se nuk bëhet fjalë për ngritjen e një kuadri ligjor për ti ardhur në ndihmë e menaxhuar fondet e ushtrisë, por për nxjerrejn e ligjeve dhe VKM-ve për ti hapur rrugë skemës ku në qendër qëndron Ron Yeffet, izraeliti i shfaqur në Vlorë në krah të drejtuesve të Elbit System, që u pezullua nga NATO pikërisht për këto veprime, manipulimin e tenderave të NATO duke ndërhyrë paraprakisht tek zyrtarët e vendeve anëtare të Aleancës.

Deri tani ju treguam sesi Edi Rama përdori kompaninë TIMAK për të bërë futur në biznesin e armëve mikun e tij izraelit RON YEFFET. Për këtë përzgjodhi një kompani të linjës, e për ti hapur rrugë qindra milionë eurove në sektorin e armatimit të ushtrisë së rrënuar shqiptare, qendisi edhe VKM-të e posaçme.

Por si u përzgjodh kompania TIMAK  e Arjeta Puca për këtë bashkëpunim dhe a ishte rastësore ardhja e emigrantes në Shqipëri në 2016. Të dhënat tregojnë se jo, pasi duket se shqiptarja e turqisë, ishte në ortakëti me një person me lidhje të forta pranë Partisë Socialiste, e ky ishte ortaku i saj i parë Apostol Papa.

Sipas të dhenave që ka mundur të mbledh emisioni PLUG, Apostol Papa me vendlindje Mzhan, Përmet, në vitin 2015 është regjistruar si person fizik me emrin tregtar “ILIRIA PALACE” me adresë në VAQARR.

ILIRIA PALACE është një investim miliona euro në Vaqarr ku mbahen evente festive. Nuk dihet burimi i të ardhurave të Apostol Papa, pasi para vitit 2015 nuk ka të dhëna për punësimin e tij. Po në këtë shoqëri ekonomiste është shtetasja Lumturi Velaj.

E sicc përflitet rëndomtë në zonën e Kombinatit e më gjerë në Tiranë, ILIRIA PALACE lidhet me emra të njohur të Partisë Socialiste.
Nësë shohim dhe adresën fillestare të shoqërisë TIMAK, e cila është Kështjella Konti këto dyshime përforcohen edhe më shumë.
Plug vazhdoi investigimin dhe rezultoi se shtetasja Lumtur Velaj ka mbajtur funksionin e ekonomistes në kompaninë XHOI LLOTO ku aksioner ka qënë shtetasit Mark Frroku dhe Ervin Canollari.

Ervin Canollari është lidhje familjare e Krenar Canollarit me të cilin ka patur edhe biznes dhe kanë të njëjtën vendlindje me shtetasin Apostol Papa, Mazhan Përmet.

Kujtojmë se krenar Canollari ka qënë krahu i djathtë i Saimir Tahirit dhe deri në vitin 2015 ka mbajtur detyrën e kryetarit të Minibashkisë 6. Se si interesat e Arjeta pucës u lidhën me këta personazhe, e deri ku shkojnë këto lidhje biznesi, i mbetet SPAK ta hetojë.  Ajo qe dihet me siguri është së nipti APOSTOL PAPA, TIMAK dhe TIMAC i themeluar nga Arjeta Puca në 2020 kanë përfituar miliona euro nga buxheti I shtetit.

Një shqyrtim i detajuar i të dhënave zyrtare të prokurimeve publike zbulon se dy subjekte private, Apostol Papa dhe Timak, brenda pak viteve kanë përfituar në total mbi 2milione euro nga fondet publike.Bëhet fjalë për tenderë që në letër janë shpallur si konkurrues, por që në praktikë përfundojnë tek të njëjtët operatorë ekonomikë, duke ngritur dyshime serioze mbi garën reale, kriteret e përzgjedhjes dhe mënyrën se si shpërndahen paratë e taksapaguesve.

Subjekti Apostol Papa, i regjistruar si person fizik me aktivitet kryesisht në fushën e bareve, restoranteve dhe shërbimeve të kateringut, shfaqet në sistemin e prokurimeve publike përmes një bashkimi operatorësh ekonomikë, një formë e përdorur shpesh për të kapërcyer kriteret teknike dhe financiare që një subjekt i vetëm nuk do t’i përmbushte dot.

Një prej tenderave është ai i funizimit me ushqim të Repartit Ushtarak nr. 1060, Babrru, tender në vlerën 20.9 milionë lekë. Sipas të dhënave të OpenCorporates, Apostol Papa figuron i përfshirë në dy kontrata publike, me një total prej 46.5 milionë lekësh. Të njëjtin sukses si Apostol Papa nis të ketë edhe kompania e tij në bashkpronësi me Arjeta Pucën.

Kompania Timak shfaqet si një përfitues i rregullt i tenderëve publikë, veçanërisht nga bashkitë. Profili i saj përkon me një model të njohur në prokurimet publike: një kompani që fiton vazhdimisht kontrata për blerje mjetesh, makinerish dhe pajisjesh, shpesh me vlera të larta. Në Bashkinë Lezhë, një prej tenderave është në vlerën 41 milionë lekë për funizimin me mjete teknologjike.

Në këtë tender bie në sy fakti se ndërsa fondi limit ishte 41 milionë kontrata lidhet me vlerën 49. 1 milionë lekë pra rreth 8 milionë më e lartë. Ndërkaq në një tjetër tender me vlerë 23. 4 milionë lekë, po në Bashkinë Lezhë, Timak ka fituar kontratën për furnizim me mjete për rehabilitim rruge
Timak rezulton fituese edhe në një seri tenderësh të tjerë:
• mjete zjarrfikëse për bashki të ndryshme,
• makineri për mirëmbajtje rrugësh,
• automjete dhe pajisje për shërbime komunale.

Vlerat individuale variojnë nga 10 deri në mbi 30 milionë lekë, duke e çuar totalin e kontratave të përfituara nga kjo kompani në mbi 150 milionë lekë, apo 1. 5 milionë euro./Emisioni Plug

Share it :