Tekniku Dunga/ Boll me lot, te Brazili fillon revolucioni

carlos dungaTekniku Dunga ka folur për herë të parë për detyrën e tij të re, duke komentuar disa ngjarje që prekën Seleçaon gjatë Botërorit dhe se çfarë duhet bërë për të ecur para

Një Brazil që nuk do të lotojë, por do të luftojë. Kjo ka qenë kryefjala e teknikut të ri Dunga, i cili flet për herë të parë në detyrën e re si trajner. Ashtu si edhe gjuajtja e tij kur ishte futbollist, është edhe temperamenti i teknikut që tashmë do të mundohet të ndryshojë fytyrën e Brazilit të ri. Një kombëtare që ka nevojë për ndryshime si në anën psikologjike, por edhe të lojës. Zgjedhja e Dungës, që veç të tjerash ka gjeneruar edhe jo pak kritika në atdheun e tij, është përkrahur fort nga Gilmar Rinaldi. Dunga konsiderohet si njeriu i duhur për ta zhvendosur vëmendjen nga marketingu te stërvitjet. Sipas shumë kritikëve, në Botërorin e fundit lojtarët u shpërqendruan nga sponsorët e shumtë dhe Nejmari në këtë drejtim është “shembullor”. Në aspektin tekniko-taktik, Dunga në atdhe është konsideruar gjithmonë më i kujdesshëm nga sa duhet, futbolli i tij është paksa i mërzitshëm. “Mjaft me lotët, njerëzit e fortë nuk qajnë. Imazhet e lotëve pas ndeshjes kundër Kilit stonojnë me botën e futbollit”. Dungës nuk i kanë pëlqyer imazhet e lojtarëve brazilianë si në lot gëzimi pas fitores me 11-metërsha kundër Kilit në 1/8-at si ato të trishtimit pas disfatës së bujshme 7-1 të pësuar nga Gjermania. Trajneri i ri nuk e kursen një shigjetë edhe për paraardhësin e tij Felipe Skolari, në lidhje me zgjedhjen për t’i besuar një psikologu për futbollistët e tij gjatë Botërorit. “Nuk e di nëse është zgjedhja e duhur. Nuk kam asgjë kundër, por vështirë që një futbollist të hapet në pesë minuta. Gjëja e parë që mendon është, po nëse psikologu i tregon gjithçka trajnerit?” Dungës nuk i ka pëlqyer edhe se si u trajtua çështja “Nejmar” pas dëmtimit të sulmuesit në sfidën kundër Kolumbisë. “Mesazhi që u transmetua ishte: Humbëm një luftëtar. Por nëse shkojmë në luftë, nuk mund të ndalemi dhe të qajmë humbjet. Duhet t’i japim forcë ushtarit që hyn në vend të tij”. Dunga shfajëson Tiago Silvën, pavarësisht se vendosi që të mos gjuante penalltinë kundër Kilit. “Situata është shumë komplekse. Ai ka menduar “nëse gaboj nuk mund të shkel më në Brazil”. Por të paktën ishte i ndershëm dhe pati kurajon të thoshte se nuk ishte i përgatitur për atë gjë”. Në fund Dunga i lejon vetes edhe disa batuta në lidhje me polemikat që kanë shoqëruar rikthimin e tij në stolin e Seleçaos. “Nëpër rrugë nuk shikoj ndaj meje gjithë këtë refuzim që shfaqet nëpër sondazhe. Në 10 të anketuar, 10 janë kundër meje. As Juda nuk kishte kaq shumë njerëz kundër. Thoshin se ishte radha e Tites, gjithmonë thonë se është radha e dikujt tjetër, por tani është radha ime”. Tashmë pritet që të shikohen ndeshjet e para miqësore të kombëtares për të parë se ku do të lëvizë Dunga dhe do të shikohet se sa efiçent do të jetë.

 

 Mesi vazhdon të hetohet

Mesi akoma nuk e i ka mbyllur punët me gjykatat, pas provave që katër herë fituesi i Topit të Artë nuk ka paguar rregullisht taksat. Ai është deklaruar i pafajshëm dhe së bashku me babain e tij, Horge Mesi, u kanë paguar mbi pesë milionë euro autoriteteve spanjolle dhe është menduar se ky proces ka përfunduar. Megjithatë, një gjykatës ka vendosur që të vazhdojë me procedurat hetuese ndaj futbollistit dhe babait të tij. Gjatë procesit gjyqësor të vitit të kaluar, 27-vjeçari pati deklaruar se të gjitha bizneset ia kishte besuar babait të tij, mirëpo gjykatësi thotë se ka dëshmi të mjaftueshme se Mesi e ka ditur dhe ka bashkëpunuar në ndërtimin e strukturave financiare për të shmangur tatimet, duke qenë se nënshkrimi i lojtarit është në të gjitha dokumentet.

 

 Kaka: Nuk pendohem që zgjodha Realin

Braziliani Kaka nuk është penduar për vendimin e tij për t’iu bashkuar Realit të Madridit në vitin 2009. 32-vjeçari u largua nga Milani për të kaluar në “Santiago Bernabeu” për 65 milionë euro, mirëpo gjatë qëndrimit atje, asnjëherë nuk e tregoi futbollistin. i cili bëri emër në San Siro. Megjithatë, Kaka është i kënaqur për karrierën e tij te galaktikët, edhe pse nuk pati shumë triumf. “Qëndrimi im te Reali i Madridit nuk ishte dështim. Kam zhvilluar 12 ndeshje, kam shënuar 28 gola dhe kam luajtur mesatarisht 30 ndeshje për sezon. Për më shumë, fitova tre trofe: La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës”, – është shprehur ish-milanisti. Tashmë lojtari është i huazuar te Sao Paolo, ndërkohë që kartonin e tij e ka Orlando Siti.

 

 Arsenali nënshkruan me Çambersin

Arsenali, i papërmbajtshëm në merkato. Londinezët kanë kompletuar transferimin e Kalum Çambers nga Sauthemptoni. Topçinjtë do të paguajnë 20 milionë euro në total për transferimin e 19-vjeçarit. Ekipi i Arsen Vengerit e ka kërkuar mbrojtësin që nga muaji i kaluar dhe pas arritjes së marrëveshjes personale, tashmë është arritur edhe marrëveshja ndërmjet klubeve dhe transferimi është zyrtarizuar. Çambers bëhet lojtari i pestë që është larguar nga St. Mary’s në këtë afat kalimtar. Lojtari është produkti i Sauthempton ashtu si Uolkot dhe Çamberlein.

 

 Atletiko zyrtarizon Grizmanin

Atletiko Madridi njoftoi se ka arritur marrëveshje për transferimin e Antuan Grizmanin, i cili do të kalojë te kampioni i Spanjës. Lojtari do të kalojë ekzaminimet mjekësore ndërkohë që bardhekuqtë do t’i paguajnë 25 milionë euro Real Sociedadit për nënshkrimin e francezit. “Atletiko Madridi dhe Real Sociedadi kanë arritur marrëveshje për transferimin e Antuan Grizmanit. Futbollisti i ri francez do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore, para se ta nënshkruajë kontratën me klubin”, – shkruhej në deklaratën e klubit kryeqytetas.

 

 Inzagi: Duhet të përmirësohemi

Milani, edhe pse me trajner të ri, prapë i dobët. Skuadra kuqezi nuk po arrin të shfaqet si skuadër e frikshme, ndryshe nga çfarë është deklaruar nga drejtuesit e klubit. Skuadra ka pësuar tetë gola në dy ndeshje, ndërkohë që ka shënuar vetëm një. Baloteli me shokë pësuan humbje prej 5-1 nga Mançester Siti në një ndeshje miqësore, ndërsa në një përballje paraprake pësuan me rezultat 3-0 nga Olimpiakosi. Statistika të frikshme këto dhe që nuk janë një ogur i mirë për Inzagin. Trajneri i Milanit deklaroi se skuadra e tij duhet të përmirësohet në të gjitha aspektet, në mënyrë që të jetë konkurruese në sezonin e ri. “Të gjithë e kanë të qartë se duhet të përmirësohemi në shumë pjesë të fushës. Nuk kemi punuar gjatë kohë dhe po kthehemi nga përfundimi në vend të tetë. Duhet të punojmë shumë”, – ka deklaruar ish-sulmuesi milanist.

 

Share it :