Rreth një vit e gjysëm më parë, rrogat e deputetëve u dyfishuan dhe shkuan në më shumë se 3 milion lekë në muaj, ndërsa rroga e kryeministrit shkoi në 4 milion lekë. Rritjen e rrogës së tij, Rama nuk e përmend asnjëherë në takimet me pensionistët, por për t’i ngushëlluar disi pensionistët, Rama tha se disa deputetë janë si “zhele”.
Thonë hiqjani deputetëve fare, pse i marrin, pse i rriten pagat deputetëve, Për shkak të një numri të caktuar deputetësh, figura e deputetit është bërë zhele, shumica e deputetëve nuk e meritojnë fare këtë lloj perceptimi dhe në fund të ditës, pagat për Kuvendin janë paga për Kuvendin, pavarësisht se ç’mund të themi për disa deputetë e për disa të tjerë.
Por edhe sikur ta pezullonin fare parlamentin dhe të merrnin të gjitha pagat e deputetëve, ka ndikim 30 lekë, sikur ta pezullonin komplet qeverinë bashkë me deputetët, 30 lekë.
Dhe sigurisht është muhabet kot, sepse nuk mund ta bëjmë hiq një gjë dhe shto një gjë. Nga ato paga merren sigurime shoqërore” u shpreh kryeministri në një takim me pensionistë në Durrës.
Kundër retorikës së kryeministrit është ajo që vjen nga Lëvizja Bashkë, që edhe sot, edhe kur u rritën pagat e pensionistëve ishte me këta të fundit në protestë. Arlind Qori thotë se në Itali, paga e një deputeti është sa 10 herë pensioni minimal, ndërsa në Shqipëri, paga e një deputeti është 41 herë më shumë se pensioni minimal.




