Florenc Drizari
Mungesa e fondeve detyron qeverinë të japë me koncesion rrugë dhe shërbime në mjekësi
Ahmetaj: Buxheti nuk ka mundësi të ndërtojë rrugë si Durrës-Kukës. Do shohim mundësinë t’i japim disa segmente me koncesion
Beqaj, qeveria synon të japë me koncesion disa shërbime, si koronarografisë, imazherisë, dializës, laboratorët etj.
Mungesat e fondeve në buxhetin e shtetit duket se kanë detyruar qeverinë të japë me konçension tek privati mirëmbajtjen dhe ndërtimin e disa aksever rrugore në vend, duke ndërmarrë një projektligj të ri për ti trajtuar ndryshe nga koncesionet e tjera këto shërbime që do të ofrohen. Gjithashtu qeveria synon dhënien me koncension edhe për disa shërbime në fushën e mjekësisë. Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dje nen për nen dhe në tërësi katër projektligje në fushën e taksave, shëndetësisë dhe koncesioneve, ndërkohë që të pranishëm ishin ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe zv.Ministri i Financave, Ervin Mete. Duke folur për projektligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, Ministri Ahmetaj tha se qeveria shqiptare synon dhënien me koncension për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve të rëndësishme të vendit, pasi, si ndërtimi, ashtu edhe mirëmbajtja, kanë kosto të lartë. Ndërkohë, partneriteti mes shtetit dhe privatit sipas tij shihet si një alternativë që i jep zgjidhje kësaj problematike. Në raportimin e një dite më parë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, Ahmetaj, u ndal tek diskutimi për partneritetin publik-privat për disa segmente rrugore. Duke folur për rrugën Durrës-Kukës, ministri Ahmetaj tha se duhen edhe 200 milionë dollarë që të përfundojë ky segment rrugor. “Po shqyrtojmë që disa segmente rrugore t’i ndërtojmë përmes partneritet publik-privat. Buxheti nuk ka mundësi të bëjë vepra si rruga Durrës-Kukës, duhen edhe 200 milionë dollarë që të përfundojë kjo rrugë. Do shqyrtojmë mundësinë të japim me koncesion disa rrugë”,-deklaroi Ahmetaj.
Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke prezantuar projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””, foli për synimet e qeverisë për dhënien me koncesion të disa shërbimeve në mjekësi, si atë të koronarografisë, imazherisë, dializës, laboratorët, kontrolle bazë të shëndetit.
“Kjo do ofrojë shërbim më të mirë dhe nuk do t’i kushtoj buxhetit, pasi do mbulohet nga të ardhurat e buxhetit i shëndetësisë”. Sipas Beqajt, ky shërbim pritet që pas 4 vitesh të ofrohet sa më afër vendbanimeve të pacientëve, ndërkohë zgjerimin fillestar do në bëhet në rrethet Korçë, Vlorë dhe Lezhë.
Taksat e reja
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputetët e maxhorancës në rrëzuan nismën e qeverisë për të vendosur dy taksa të reja kombëtare, mbi kartat e telefonave dhe automjetet. Gjatë diskutimit të draftit, thuajse të gjithë deputetët janë shprehur kundër këtyre dy taksave, duke votuar kundër nenit përkatës. Në draftin fillestar Ministria e Financave kishte parashikuar që të taksonte me një tarifë fikse vjetore çdo kartë celulare, por edhe automjet, për të financuar shërbimin e urgjencës mjekësore.
Braçe: Ja e vërteta e rrëzimit të taksave dhe e rrugëve me koncesion
Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erjon Braçe, në një koment të bërë në profilin e tij në internet, në “Facebook”, shkruan mbi vendimet e djeshme të komisionit që drejton, duke pranuar rrëzimin e dy taksave nga deputetët socialist dhe keq interpretimet e lindura sipas tij, për dhënien e rrugëve me koncesion. “Per respekt ndaj qytetareve dhe së vertetës: E para, Po, është e vertetë që sot (dje) Komisioni i Ekonomisë nuk mbeshteti vendosjen e dy tarifave kombëtare, thuajse për të gjithë (me pak përjashtime), të ardhurat prej të cilave do të adresoheshin për urgjencat mjekësore. Ne menduam se këto tarifa të destinuara duhet të adresoheshin në forme dhe në një ligj tjetër, konkretisht ne ligjin për Sigurimin e Detyrueshem të Mjeteve Motorike. Qeveria pranoi arsyetimin tonë. E dyta, nuk është e vertetë që Komisioni i Ekonomisë miratoi dhënien e rrugëve me koncesion për ndërtim dhe mirëmbajtje. Kjo mundësi është e garantuar prej vitesh, shumë vitesh në ligjin aktual. Komisioni miratoi sot (dje) një projektligj sipas të cilit koncesionet e këtij lloji nuk do të trajtohen si koncesionet e zakonshme. Kaq. E treta, nuk është e vërtetë se si pasojë e këtij akti Qeveria do të vendosë një taksë të re për të gjithë qytetarët. Në ligj nuk thuhet kërkund kjo.Po, në praktikat e këtij lloji kudo në Evropë, ka autostrada, në të cilat lëvizja kryhet përmes një bilete për ata që levizin në të”,-ka shkruar deputeti socialsit, Erjon Braçe.
Ndryshimet në Kodin Penal, Isaraj: Të reformohet Gjykata e Krimeve të Rënda
Zevendesministri i Drejtësisë Arben Isaraj deklaroi një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve se ka ardhur koha që të reformohet Gjyakta e Krimeve të Rënda. Gajtë diskutimeve për disa ndryshime në Kodin Penal ai theksoi se gjithçak gjykohet në Gjykatën e Lartë dhe se gjyqtarët po zëvendësohen me absurditet. “Eshte koha të reformojmë Gjykatën e Krimeve të Rënda. Kjo gjykatë nuk gjykon më. Gjyqtarët zëvendësohen me absurditet ndërkohë që gjithçka gjykohet në Gjykatën e Lartë. Gjykata e Krimeve ka nevojë të ristrukturohet”- u shpreh Isaraj. Ndërkohë kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj u shpreh se debati do diskutohet në reformën në drejtësi. Ai bëri me dije se ditën e nesërme do të diskutohet projektligji për funksionimin e KLD-së.




