Gëzim Saliu
Kancelarja: Vendimi për statusin, me vështrim pozitiv, çështja është kur dhe jo nëse do ta merrni
Rama: Të vendosur për reforma. Merkel: Investitorët gjermanë duan siguri juridike
Marrja e statusit kandidat nga Shqipëria do të varet nga raporti që do të përgatisë në qershor Komisioni Evropian, kur do të bëhet e ditur nëse vendi ka shënuar progres në reformat e përcaktuara si kritere kryesore nga Brukseli. Kështu bëri të ditur dje qëndrimin zyrtar të Gjermanisë Kancelarja Angela Merkel në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë, Edi Rama, në kuadër të vizitës zyrtare që ky i fundit zhvilloi dje në Berlin. Duke nënvizuar faktin se Gjermania do ta shohë pozitivisht dhënien e statusit ndaj Shqipërisë, Merkel theksoi se çështja kryesore në këtë proces nuk ka të bëjë me faktin nëse vendi do ta marrë statusin kandidat, por me kohën se kur do ta përfitojë atë. “Ne i trajtojmë vendet në bazë të raporteve të Komisionit Evropian. Komisioni Evropian paraqet raporte për statusin, për gjendjen e punëve. Hapi tjetër që vjen tani për Shqipërinë është statusi i kandidatit. Ne në qershor do të marrim një raport të ri dhe me atë që dëgjova unë, do të ketë sigurisht edhe përparime. Komisioni do t’i ketë regjistruar këto përparime dhe ne do t’i shikojmë me një vështrim pozitiv dhe do të vendosim me një vështrim pozitiv për statusin e kandidatit për Shqipërinë. Është gjithmonë një çështje se kur, nuk është një çështje nëse do ta marrë. Nuk duhet të keni frikë, se nuk do të jepet statusi i kandidatit, por vetëm raportet duhet ta bëjnë të mundur që t’ua japim”, – tha Merkel, duke bërë të ditur njëkohësisht: “Kryeministri, mua më ftoi për vizitë dhe unë i thashë se do ta respektoj këtë ftesë. Po të më pyesni pas një viti, unë do të kem qenë në Shqipëri”.
Konferenca
Pas takimit me dyer të mbyllura, Kryeministri Rama dhe Kancelarja Merkel dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp në të cilën u nënvizua rëndësia e ecjes përpara të vendit në prioritetet e vendosura nga Bashkimi Evropian. Nga ana e saj, Merkel u shpreh se Gjermania po ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri. “Ne jemi informuar rreth angazhimit dhe entuziazmit që ndiqen këto procese, ndërtimi i një procesi juridik dhe pavarësia e drejtësisë. Ne po i ndjekim me intensitet këto zhvillime në Gjermani. Nuk është shumë e thjeshtë të ndjekësh një rrugë të tillë dhe Kryeministri Rama na bëri shumë të qartë dhe na shpjegoi se kanë ndryshuar shumë gjëra”. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë shqiptare i pohoi Kancelares se qeveria e drejtuar prej tij është e vendosur për të garantuar ecurinë në rrugën e modernizimit dhe reformave. Sipas Ramës, fillimi i mbarë i qeverisë është vetëm nisja e një procesi ku Shqipëria kërkon të ecë më shpejt drejt Evropës, por duke e konsideruar theksoi ai, Evropën, destinacionin brenda nesh dhe integrimin evropian, një proces të patjetërsueshëm për modernizimin e vendit. “Vendi ynë është në Evropë dhe ne do të bëjmë gjithçka, ditë pas dite, që të meritojmë atë respekt dhe të meritojmë atë vend që shqiptarët aspirojnë, që me ndihmën e Gjermanisë, me ndihmën e Kancelares, me ndihmën e gjithë partnerëve tanë evropianë, ne do të mund t’jua japim duke bërë si duhet të gjitha detyrat tona”, – u shpreh Kryeministri. Ndërkohë, në konferencën e përbashkët, Kancelarja nënvizoi gatishmërinë për inkurajimin e investitorëve gjermanë që të investojnë në Shqipëri, por theksoi nevojën e reformës në sistemin juridik. Nga ana e tij kryeministri Rama garantoi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për të krijuar kushtet për tërheqjen e investimeve gjermane në Shqipëri.
Situata në Evropë/Rama dhe Merkel: Në 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, kombet më pranë njëri-tjetrit
Një tjetër temë diskutimi mes Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Kryeministrit Rama në takimin e djeshëm ishte edhe situata në Evropë, ku të dy shefat e qeverive shprehën besimin se në viti 2014, kur Evropa përkujton edhe 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, kombet evropiane do të jenë më pranë njëri-tjetrit. “Ne duhet të përpiqemi që, pikërisht në këtë vit, 2014-a, që është një vit përkujtimor, në 100-vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore, që 100 vjet më vonë, ne kemi mësuar nga historia. Kjo do të thotë që ne duhet të flasim me njëri-tjetrin, duhet të bashkëpunojmë më ngushtë me njëri-tjetrin. Prandaj, unë e konsideroj perspektivën evropiane jo si një perspektivë të çfarëdoshme, por për një vrull të nevojshëm”, – tha Kancelarja. Në të njëjtin kontekst, Kryeministri Rama pohoi se viti 2014 është i pari vit në historinë e Ballkanit që ka ardhur pa konflikt. “Ne jemi të bindur se me mbështetjen dhe lidershipin e Gjermanisë dhe me mbështetjen e të gjithë partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara dhe Evropës së bashkuar, ne do të mund ta transformojmë këtë moment të madh paqeje, në një hapësirë mundësish të reja për zhvillim ekonomik, social dhe pa dyshim, për integrimin rajonal dhe evropian”, – deklaroi Rama.
Vizita në Berlin/Kryeministri, takim me kreun e grupit parlamentar të CDU-së dhe me Presidentin e Bundestagut
Kryeministri Rama vijoi turin e vizitave në Gjermani, ku pas takimit me Kancelaren Merkel, ai zhvilloi një takim me kreun e grupit parlamentar të CDU Kauder. Në qendër të takimit, kryefjalë ishte integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku Kauder shprehu vlerësim për punën e ekzekutivit të ri. “Qeveria e re në rrugën e duhur për progres. Shohim progres ne luftën kundër korrupsionit”, – tha ai gjatë fjalës së tij, duke shtuar se Gjermania do jap mbështetjen e saj për integrimin e Shqipërisë në BE. Nga ana tjetër, Kauder vlerësojë iniciativën e qeverisë shqiptare për nxitjen e investimeve nga sipërmarrësit e huaj në vendin tonë. Ndërkohë kreu i ekzekutivit shqiptar theksoi se siguria, inovacioni dhe progresi do të jenë prioritetet e qeverisë që ai drejton. “Falënderoj CDU për mbështetjen ndaj Shqipërisë. Ne jemi të vendosur të integrojmë Shqipërinë në BE”, – tha ai. Po ashtu në kuadër të vizitës së tij në Gjermani kryeministri Rama u takua ditën e djeshme dhe me Presidentin e Bundestagut Lammert, ku ky i fundit sipas njoftimit të kryeministrisë, ka theksuar se mbështet integrimin evropian të Shqipërisë dhe i ka uruar suksese qeverisë dhe kryeministrit Rama. Lammert ka theksuar se Shqipëria i përket Bashkimit Evropian. Nga ana e tij kreu i ekzekutivit shqiptar ka vlerësua mbështetjen e Gjermanisë, duke e cilësuar si partner kyç për Shqipërinë. “Qëllimi ynë është të modernizojmë Shqipërinë”, – ka pohuar Rama.




