Takimi Kreu i LSI-së: Bashkëpunim me opozitën e re. Sequi: Vizioni i Metës s’ka nevojë për këshilla

Gëzim Saliu

sequiAmbasadori i BE-së: Gjithëpërfshirja, fjala kyçe për integrimin e vendit

 

Gjithëpërfshirja dhe bashkëpunimi mes mazhorancës së re dhe opozitës së re, në kuadër të përmbushjes së reformave të domosdoshme për integrimin e vendit në BE, ishin mesazhet e përbashkëta të kreut të LSI-së, Ilir Meta, dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në vend, Ettore Sequi. Në takimin e zhvilluar dje mes tyre në selinë e LSI-së, u nënvizua rëndësia e ecjes përpara të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, ku sipas kryediplomatit Sequi vendi i ka të gjitha mundësitë për të marrë statusin kandidat për në BE. “Pas këtyre zgjedhjeve ne kemi besim se do të ketë një tranzicion të qetë drejt pushtetit në mënyrë që të përqendrohet puna te axhenda e reformave të cilat janë të nevojshme për Shqipërinë. Jam veçanërisht i kënaqur nga përdorimi i fjalës “gjithëpërfshirje” dhe që është një fjalë kyçe, sepse procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është një proces, i cili përfshin të gjithë vendin. Të gjitha mundësitë për të marrë statusin e vendit kandidat janë aty për Shqipërinë dhe kemi besim se kjo do të jetë e mundur edhe në sajë të këtij angazhimi të ri”, – deklaroi ambasadori.

 

Takimi

Për kreun e LSI-së, Meta, bashkëpunimi mes mazhorancës së re dhe opozitës së re në vend do të jetë pika kyçe e platformës së qeverisë së majtë. Duke bërë të ditur angazhimin për të çuar përpara të gjitha reformat që shpejtojnë marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, Meta tha se tashmë ekziston mundësia për një krijuar një filozofi të re mes qeverisë dhe opozitës. “Pak javë më parë ne arritëm me konsensus në Parlament gjatë fushatës elektorale të miratonim tri ligjet, edhe pse me vonesë. Tani besoj se është e gjithë mundësia për të krijuar një klimë me themele të qëndrueshme dhe afatgjata të bashkëpunimit dhe të gjithëpërfshirjes midis mazhorancës së re dhe opozitës së re. Është mundësia për të përfshirë në këtë proces reformash edhe shumë faktorë të tjerë të shoqërisë sonë, shoqërisë civile, grupet e interesit, qarqet akademike dhe universitare në mënyrë që këto reforma të fitojnë një temp të ri, por edhe të gëzojnë një konsensus sa më të gjerë shoqëror dhe politik”, – tha ai pas përfundimit të takimit me ambasadorin e BE-së. Ndërkohë, ky i fundit, i pyetur nga gazetarët nëse i ka dhënë ndonjë këshillë konkrete kreut të LSI-së, i cili do të drejtojë Kuvendin e Shqipërisë, në kushtet kur mazhoranca ka 84 deputetë dhe mund të marrë vendime pa pasur nevojën e votave të opozitës, Sequi tha: “Unë besoj që përvoja dhe vizioni i z. Meta nuk kanë nevojë për këshilla. Edhe në fakt fjalën “gjithëpërfshirje” ne të dy e kemi përmendur edhe në të kaluarën, kështu që nuk shoh asnjë arsye përse fjala gjithëpërfshirje të mos jetë një fjalë po aq kyçe edhe në të ardhmen”. Në të njëjtin kontekst, Meta bëri të ditur se mazhoranca e re nuk do të përdorë forcën e kartonëve në Kuvend, pasi, sipas tij, për çështje të rëndësishme nuk do të mjaftonte thjesht një votim i bazuar mbi numra, por mbi një konsensus sa më të gjerë me përfshirjen e opozitës. “Ky ka qenë është dhe do të jetë vullneti ynë në të ardhmen dhe ne besojmë se në këtë mënyrë demonstrojmë një filozofi të re të mazhorancës së re dhe presim një përgjigje të re nga opozita e re për filozofinë e saj për të ardhmen”, – deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta.

 

 

 

 

 

Meta me ambasadorin Ye Hao: Shqipëria do të bashkëpunojë ngushtë me Kinën

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës, Ye Hao, ku ky i fundit shprehu urimet më të sinqerta për rezultatin e arritur pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe garantoi për intensifikimin e marrëdhënieve politike, ekonomike e tregtare mes Kinës dhe Shqipërisë. Nga ana e tij, Meta, duke vlerësuar modelin e reformave ekonomike të ndërmarra nga Kina, u shpreh se Shqipëria do të bashkëpunojë ngushtë me Kinën, si një vend mik dhe shumë i fuqishëm për t’u mbështetur në të ardhmen. Në përfundim të takimit kreu i LSI-së dhe Ambasadori Ye Hao ndanë bindjen se me krijimin e qeverisë së re, duhet të fillojë menjëherë puna për vendosjen e objektivave konkrete të përbashkëta në planin e bashkëpunimit ekonomik për 4 vitet e ardhshme.

 

Ambasadori i SHBA-së

Arvizu: Pjesëmarrja e gjerë në votime, mësim për palët politike

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Alexander Arvizu, e ka cilësuar dje pjesëmarrjen e gjerë në votime si një mësim për palët politike në vend. Sipas kryediplomatit amerikan, shqiptarët besuan te vota e tyre dhe jo te protestat, duke i dhënë një mësim të mirë fituesit dhe humbësit të zgjedhjeve të 23 qershorit. “Besoj si gjithë shqiptarët edhe ju jeni duke folur, duke menduar për zgjedhjet. Sigurisht edhe ne kemi qenë duke e bërë këtë. Neve në ambasadë na ka bërë përshtypje, na ka bërë vërtet përshtypje dhe jemi mahnitur nga gjithë përgjigjja e popullit shqiptar gjatë këtij procesi. Besoj më mirëkuptoni kur e them këtë, kjo nuk ka lidhje me atë që fitoi apo me atë që humbi. Por besoj që kjo është një nga pikat më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Është pika e kthesës në historinë e Shqipërisë. Gjithashtu ajo që është e rëndësishme është arsyeja që njerëzit në mënyrë individuale apo kolektive të gjithë vendosën dhe dolën për të votuar. Individët morën hapat e tyre, besuan votën e tyre për ata që do të donin t’i zgjidhnin, pa pasur nevojë për protesta. Besoj se ky ishte një mësim shumë i mirë që e kanë marrë të dyja palët, jo vetëm ata që humbën, por edhe ata që fituan”, – u shpreh Ambasadori Avizu, duke këshilluar të gjithë forcat politike që  të bashkojnë forcat për ndryshim.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :