Sonila Mesareja
Do të transkriptohen bisedat telefonike për të mësuar destinacionin e parave
Përgjigjet negative se në llogaritë bankare të Ardian Bitrajt, Mimoza Bruzisë dhe Kleves Bejtajt nuk ka para, kanë vënë në lëvizje njësinë task-forcën në Prokurorinë e Tiranës për të gjetur me çdo kusht destinacionin përfundimtar të parave të vjedhura. Përmes një shkrese, grupi hetimor u ka kërkuar disa kompanive celulare të gjitha materialet me komunikimet e bëra nga të pandehurit e akuzuar për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Këto materiale, sipas hetuesve, po kontrollohen me detaje, për të mësuar numrat e më pas personat, me të cilët Bitraj ka komunikuar gjatë 4 muajve të fundit. Por jo vetëm Bitraj, por edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Bruzia dhe nipi Bejtaj. Me anë të këtyre transkriptimeve, ekspertët e akuzës, thonë se do të provojnë, nëse Bitraj ka vënë baste-sportive me anë të telefonit në pika të ndryshme bastesh. Kjo pasi Bitraj në deklarimin e tij ka pretenduar, se ka luajtur me shuma të mëdha në baste. Këto shuma sipas të akuzuarit, nuk regjistroheshin në sistem, për shkak të taksave të larta dhe deklarimit të të ardhurave nga kompania dhe personi që luante. Por, për fat të keq, deri tani pretendimi në fjalë nuk është provuar nga verifikimi i llogarisë së tij bankare.
Bashkëpunëtorët
Hetuesit bëjnë me dije se njëherazi po verifikohen edhe tabulatet telefonike të dy të pandehurve të tjerë, Mimoza Bruzia dhe Kleves Bejtaj, të cilët dyshohet se komunikonin dhe shkëmbenin mesazhe për shumat që Bitraj grabiste në arkën e Departamentit të Emisionit të Monedhës që ndodhej në Linzë. Sipas prokurorisë, nga verifikimi i llogarive bankare të të pandehurve dhe familjarëve të tyre, nuk rezulton ndonjë e dhënë se paratë mund të jenë depozituar apo transferuar jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, nga përgjigjet e zyrave të Hipotekave del se Bitraj nuk ka pasuri tjetër përveç banesës, ku jetonte së bashku me familjen, të cilën e kishte blerë me kredi nga Banka ku punonte. Tashmë, shpresa e fundit e akuzës është zbardhja e tabulateve telefonike për të mësuar rreth destinacionit, para se dosja e tyre të shkojë për gjykim në gjykatë. Ndërkohë që, pak ditë më parë, prokurorët dërguan në gjyq dosjen ndaj 15 zyrtarëve të tjerë të Bankës së Shqipërisë, të cilët do të përgjigjen për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Të vetmit që u veçuan për hetime të mëtejshme janë ish-guvernatori Fullani, Bitraj, Bruzia dhe Bejtaj.




