Superliga Shqiptare / Vllaznia surprizon, fiton edhe ndaj Elbasanit

850c50895f

Shkodranët kanë arritur të marrin tri pikë edhe ndaj Elbasanit, duke forcuar kështu pozitat në tabelë

Superliga ka luajtur dje edhe ndeshjet e tjera të mbetura në kuadrin javës së 6-të të Kampionatit Kombëtar. Sfida të forta, të cilat vunë përballë njëra-tjetrës skuadra që premtonin spektakël. Skuadra që po tërheq vëmendjen për momentin është Vllaznia. Shkodranët midis shumë problemeve financiare në fillim të sezonit u parashikuan si një skuadër, e cila do ta ketë problem mbijetesën në kampionat. Ndeshjet e para duket se po plotësonin profecinë, por tashmë duket se po ndodh e kundërta. Sfida ndaj Elbasanit e vërtetoi edhe më mirë që shkodranët janë rivalë seriozë dhe se do të tentojnë shanset e tyre për të qenë komodë në tabelë. Tekniku Ranieri duket se ka qenë ai që ka bërë diferencën dhe ka arritur të krijojë një skuadër që arrin të marrë rezultatin, ashtu siç ndodh shpesh me teknikët italianë, që e kanë këtë aftësi. Pa tifozë, skuadra shkodrane kërkonte rezultatin e pestë pozitiv radhazi përballë një Elbasani, që nga ana e tij synonte t’u jepte fund humbjeve në këtë fillim kampionati. Sikur të mos mjaftonin diferencat në emra mes dy ekipeve, Elbasani zgjodhi dhe ditën e gabuar për të kërkuar rezultat, pasi Soza, i ardhur në huazim nga Empoli, jo vetëm që zhvilloi ndeshjen e tij më të mirë në Superiore, por gjithashtu dhe shënoi golin e parë kuqeblu, teksa kaloi përpara Vllazninë në të 23-ën. E gjithë festa ishte për uruguajanin, që në fakt duhet t’i thotë faleminderit dhe Kotorrit, që bëri një dalje të gabuar. Për verdheblutë duket se ishte dita e gabimeve, pasi në të 28-ën, Dalipi pati mundësinë për të barazuar rezultatin nga pika e bardhë, por 11-metërshi i ekzekutuar prej tij ishte për t’u harruar me Selimajn që e ndali pa shumë probleme. Në pushim Vllaznia mund të kishte vajtur në epërsi të dy golave por Kotorri këtë herë ishte në lartësinë e duhur duke ndalur goditjen e Hajdarit. Në pjesën e dytë Vllaznia sërish ishte dominuese dhe agresive në sulm falë dhe Sozës, që pasi shpërdoroi vetë të në 64-ën, u tregua altruist në të 76-ën, por Kalaja nuk e shfrytëzoi siç duhet pasimin e tij. Ndërkohë në të 68-ën, Elbasani kishte pasur një tjetër rast të jashtëzakonshëm për të barazuar, por Çota kërkoi parabolën përballë Selimajt, që sërish u shfaq në lartësinë e duhur duke pritur pa shumë probleme. Në minutat e mbetura, Vllaznia e kontrolloi pa shumë probleme lojën duke marrë tri pikë të rëndësishme për renditjen, me flamurin e saj që valëvitet tashmë mes skuadrave të kreut. Ranieri pas ndeshjes u shpreh se bënë një ndeshje shumë të shëmtuar por që në fund ishte i lumtur për shkak të rezultatit. “Ishte një ndeshje e shëmtuar, nuk luajtëm siç duhet por në fund prapë të shëmtuar mbetëm. E dinim që ishte një ndeshje e vështirë, një ndeshje nga ato që të ndryshojnë sezonin dhe i kisha kërkuar skuadrës që të tregonte kujdes. Nuk luajtëm mirë, vuajta në stol, por në fund fituam dhe t’i kënaqemi rezultatit. T’i falemi portierit Selimaj, një portier që po bën një punë të jashtëzakonshme dhe tek i cili nuk besonte askush por që po i tregon vlerat e tij”. Ndërsa sipas teknikut të Elbasanit, Dosti, shpëtimin nga rënia për në Kategorinë e Parë nuk e cilëson ende një mision të pamundur. “Më vjen keq që dolëm pa pikë, pasi luajtëm si të barabartë. Nuk e meritojmë të kemi zero pikë në renditje, pasi kemi luajtur mirë në disa sfida. Fakti që nuk po luajmë në shtëpi ndikon në rezultatet tona megjithatë ne nuk dorëzohemi. Me pak fat unë besoj se mund t’ia dalim të mbijetojmë”.

 

 

Shqipëria, miqësore me Italinë në 18 nëntor?

Kuqezinjtë e De Biazit mund të luajnë më 18 nëntor me Italinë, që do të ishte përballja e parë e përfaqësueses sonë me katër herë kampionët e Botës. FSHF ka konfirmuar negociatat për zhvillimin e një ndeshjeje në Firence, ndërkohë që dhe në mediat italiane, një ditë më parë, qarkullonin zëra për një miqësore të mundshme me kuqezinjtë. Italia ishte në bisedime edhe me Kolumbinë për të luajtur në këtë datë të FIFA-s, por fitorja e fundit e Shqipërisë me Portugalinë ka bërë që të kaltrit të mendojnë seriozisht për një ndeshje miqësore me përfaqësuesen tonë, aq më tepër që drejtohet nga një italian, si Xhani de Biazi. Mësohet se negociatat kanë nisur pas një bisede mes trajnerit të kombëtares sonë me atë të Italisë, Antonio Konte, ndërsa më parë dhe FSHF gjithashtu i kishte bërë kërkesë Federatës Italiane të Futbollit për të luajtur një ndeshje miqësore mes tyre. Një ndeshje, e cila do të ndiqet me mjaft interes edhe nga tifozeria shqiptare, pasi ka shumë simpatizantë të të kaltërve në vendin tonë.

 

 

Reali i Madridit bind ndaj Vilarealit

Reali i Madridit, i orkestruar nga Ronaldo, ka arritur të marrë një triumf në shifrat 2-0 ndaj Vilarealit. Portugezi kishte shënuar nëntë gola në katër ndeshje në La Liga dhe tani çon në dhjetë numrin e golave në pesë ndeshje, derisa “Los Blancos” iu desh të mundohen për të nxjerrë fitore në “El Madrigal”. Vilareali u tregua mjaft kompetitive ne pjesën e parë dhe arrit që të vinte disa herë në provë portierin Iker Kasijas. Megjithatë, ishte skuadra mysafire që kaloi në epërsi me Luka Modriçin që dërgoi topin në rrjet pas gjysmë ore lojë. Një baner i madh e mbishkrimin “Eja në shtëpi Ronaldo”, i fluturuar mbi stadium, sigurisht nga tifozë të Mançester Junajtidit mbase nuk u vërejt nga Ronaldo dhe nuk e pengoi atë të shënonte pesë minuta para fundit të pjesës së parë në minutën e 40-të. Vilareali vazhdoi të avanconte në sulm në pjesën e dytë, por humbi shumë raste dhe nuk ishte e aftë për të ndryshuar rezultatin. Fitorja e ngre Realin në vendin e katërt, me 12 pikë pas gjashtë javësh.

 

 

Bajerni i Mynihut fiton dhe ruan kreun

Bajerni i Mynihut ka shënuar fitore 2-0 në udhëtim ndaj Këlnit për të qëndruar me dy pikë diferencë në krye të tabelës së Bundesligës. Vendasit bënë një paraqitje të mirë në mbrojtje, por dy gabime të mbrojtësit Daniel Halfar i kushtuan skuadrës me disfatë. Ishte Mario Gëtze ai që kaloi bavarezët për të parën herë në epërsi pas 19 minutash lojë, kur Robeni vodhi një top nga Halfari dhe luajti me Tomas Mylerin, i cili harkoi në zonë. Edhe goli i dytë erdhi pas një iniciative të Robenit, i cili pasoi për Levandovskin, por Halfari arriti topin i parë për ta devijuar atë drejt rrjetës së tij duke shënuar autogol në minutën e 66-të. Bajerni tashmë qëndron në krye të tabelës me dy pikë më shumë se i dyti në renditje, Borusia Mynshengladbah, që po ashtu fitoi 2-1 ndaj Paderbornit. Ndërkohë, Bajer Leverkusen ka marrë barazim pa gola në udhëtim ndaj Frajburgut, duke ngecur tri pikë prapa Bajernit. Ndërkohë, Dortmundi vazhdon të zhgënjejë në kampionat, duke u mposhtur me rezultat 2-1 nga Shalke.

 

Share it :