Superliga Shqiptare / Kastrioti i merr barazim Teutës, Besa ndalet kundër Lushnjës

Jurges Veizaj

Kanë qenë krutanët ata që u shprehën për një sfidë jetë a vdekje, por që nuk qe e tillë, pasi janë mjaftuar vetëm me një barazim ndaj Teutës

Kavajasit kanë marrë në sfidën ndaj lagunave të Lushnjës vetëm një pikë, duke ndalur euforinë e dy ndeshjeve të fundit

 

dgsghsh

Ditën e djeshme janë luajtur edhe dy sfidat nga java e 21-të e Superligës. Dy ndeshje të rëndësishme në letër, por që nuk dhuruan shumë emocione. Kjo, pasi të dyja sfidat u mbyllën me barazim. Sfida që nuk patën fitues, por as edhe një protagonist të veçantë. Në Krujë çdo gjë është mbyllur me barazim dhe nuk ka dalë me asnjë fitues. Për krutanët kjo ishte një sfidë shumë e rëndësishme për luftën në kampionat, por që nuk arritën ta shfrytëzonin në mënyrën më të mirë. Ndërsa nga ana tjetër edhe Teuta nuk ka mbetur e kënaqur, pasi dy pikë të humbura janë shumë të rëndësishme për ndjekjen e Skënderbeut në tabelë. Ndërkaq, në Kavajë, sfida midis Besës dhe Lushnjës u mbyll me rezultatin 1-1. Një sfidë kjo që nuk pati fitues, edhe pse pritej që të ishin vendasit ata që ishin favoritë. Mirëpo lagunarët kanë arritur ta shfrytëzojnë mirë sfidën dhe të dalin me një pikë nga sfida.

Kastrioti-Teuta 0-0

Një ndeshje për jetë a vdekje. Kështu u përshkrua nga trajneri Nevil Dede sfida me Teutën. Kjo, pasi për momentin Kastrioti gjendet në pozicion tepër të vështirë në tabelë. Janë të shumta gjasat që ekipi të bjerë në Kategorinë e Parë, duke parë edhe sfidat që afrohen. Duket sikur trajneri Dede ka marrë përsipër një anije që po shkon drejt mbytjes. Ndeshja, ndryshe nga pritshmëria, nuk është se pati shumë spektakël dhe nuk rezervoi shumë surpriza. Duhet thënë që ekipi i Kastriotit në këtë ndeshje nuk është se kishte arsenalin më të mirë. Kjo, pasi përveç Cetës që u rikthye na dëmtimi kishte dhe mungesa. Mungonte Caca dhe Manuku që nuk ishin në dispozicion. Ndërsa për shkak të rregullave tekniku Dede ishte i detyruar të sakrifikonte edhe Abraham, pasi nuk mund të luanin më shumë se katër veta në formacion. Kjo pasi vendin e kishin zënë Pindadon, Da Silva, Bratiç dhe Popoviç. Ndërsa nga ana e Teutës ishte trajneri Biturku ai që debutonte me skuadrën e tij. Kjo pas shkarkimit të teknikut Sorrentiono disa ditë më parë. Ndërsa Kastrioti tentonte fitoren e ngritjes Teuta kërkonte që të merrte një rezultat që i jepte fitoren e parë në transfertë. Kështu që të dyja ekipet kishin një motivim më shumë për të triumfuar në sfidë. Sfida nuk pati shumë raste, por ishte skuadra e Teutës ajo që iu afrua më shumë golit. Do të ishte vlonjati Xhafaj ai që do të humbiste një shans të artë në pjesën e dytë. Sulmuesi doli ballë për ballë me gardianin krutan, por që çuditërisht gaboi duke i humbur mundësinë skuadrës së tij për të fituar. Kështu kjo sfidë u mbyll me rrjetat e paprekura për të dyja skuadrat. Një rezultat që nuk kënaqi asnjë nga skuadrat. Kjo, pasi për durrsakët do të thotë rrezik pasi synimi i tyre është zona e Europa Ligë. Ndërsa për krutanët ishte një zhytje më e thellë në baltën e fundit të tabelës nga e cila është e vështirë për t’u ngjitur.

Besa-Lushnja 1-1

Një ndeshje që pritej me shumë padurim ishte sfida midis Besës dhe Lushnjës, pasi të dyja skuadrat për momentin janë në një test shumë të rëndësishëm. Besa është akoma në sytë e të gjithëve për shkak të rezultateve dhe fitoreve surprizë që ka marrë radhazi. Fitore këto që i kanë bërë të gjithë të maten mirë përpara se të sfidojnë kavajasit. Ndërsa nga ana tjetër Lushnja që është si Kastritoti pranë provës të së vërtetës për rënien apo jo nga kategoria. Klubi kavajas duke parë dhe situatën në të cilën po kalon skuadra kishte vendosur ta linte stadiumin të lirë për të gjithë sportdashësit. Mirëpo nga ana tjetër ishin lushnjarët ata që përfituan nga kjo situatë duke u bërë faktori i 12 për skuadrën e tyre. Duke parë edhe të dyja skuadrat ka qenë Besa ajo që ka nënvlerësuar gjithçka. Kjo, pasi kavajasit arritën që të shënonin gol që në minutat e para të takimit. Do të ishte Berisha ai që do të shënonte që në minutën e 7-të duke ekzaltuar të gjithë të pranishmit. Por duket s ky gol i ka bërë keq skuadrës vendase. Kjo pasi ekipi verdhezi është përgjumur dhe është vetëkënaqur me lojën që po bënin. Në minutat e fundit të ndeshjes Besa e uli shuam ritmin e lojës së saj duke e parë trepikëshin shumë të afërt. Mirëpo atëherë kur nuk pritej erdhi dhe surpriza. Kjo pasi në minutën e 83-të do të ishte Gramshioti ai që do të shënonte për Lushnjën dhe do të barazonte shifrat. Zgjimi i kavajasve erdhi pas golit, por duhet thënë që të gjitha përpjekjet e fundit nuk sollën asnjë rezultat. Mënyra se si shkoi ndeshja dukej që kjo sfidë ishte shumë shpërdoruar nga Besa. Në minutën e 32 ata morrin një penallti që nuk arritën të realizonin. Por përveç kësaj kavajasit patën edhe avantazhin pasi lushnjarët mbeten me 10 lojtarë. Ndërsa për lagunarët pas gjithë këtyre gjërave të ndodhura kjo një pikë u shërbeu shumë. Jo në luftën në tabelë por në aspektin moral duke i rritur edhe më shumë shpresat e lushnjarëve që të dalin nga zona e rrezikut.

 

 

Borusia rikthehet në vend të dytë

Borusia e Dortmundit ka arritur të ringjitet në pozitën e dytë në tabelë, pas triumfit 3-0 kundër Nurembergut në “Signal Iduna Park”. Gjysma e parë u mbyll pa gola, ndërsa të tre golat e ekipit vendas u realizuan në fraksionin e dytë. Do të ishte Mats Humels e realizoi golin e parë në minutën e 51-të, ndërsa Robert Levandovski e dyfishoi epërsinë në të 64-ën. Rezultatin përfundimtar e vendosi Henrik Mkhitarian vetëm nga minuta nga fundi i lojës. Nga ana tjetër, Bajer Leverkusen ka pësuar humbje para tifozëve të vet nga Majnci me rezultatin e ngushtë zero me një. Kështu që me këtë fitore Borusia është në vend të dytë në tabelë me dy pikë më shumë se Bajer Leverkuseni.

 

Arsenali ngec ndaj Stoke Sitit

Arsenali ka pësuar humbje tronditëse përballë Stoke Sitit në përballjen e djeshme në “Britannia Stadium”. Në gjysmën e parë nuk pati shumë raste shënimi nga të dyja skuadrat dhe këtë e dëshmoi edhe rezultati kur skuadrat shkuan në pushim me rrjeta të paprekura. Vendasit morën një penalti në fraksionin e dytë, të cilën e konvertoi në gol Xhonatan Ualters në të 75-ën. Topçinjtë u angazhuan maksimalisht në minutat e mbetura, mirëpo nuk arritën të nxjerrin rezultat pozitiv nga kjo përballje. Arsenali mbetet katër pikë prapa liderit Çelsi dhe ka dy pikë më shumë se Mançester Siti që gjendet në vend të tretë me dy ndeshje më pak.

 

Ançeloti: Tripleta, e vështirë

Tekniku madrilen, Karlo Ançeloti, është përpjekur ta zbusë pak euforinë për sa i përket faktit se skuadra e tij mund ta fitojë tripletën këtë edicion. Të dielën galaktikat zhvillojnë derbin ndaj Atletiko Madridit dhe me një fitore në “Visente Calderon”, do të shndërroheshin në favoritë kryesorë për titullin e Spanjës. “Nuk po mendojmë për tripletën. Kanë mbetur edhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar dhe është vështirë të fitohet secila ndeshje. Duhet të mbesim të përqendruar dhe t’i marrim ndeshjet një nga një”, – është shprehur italiani përballë gazetarëve. Gjithashtu ai ka refuzuar si mundësi se Atletiko do të përjashtohet nga gara për titull nëse pëson humbje të dielën.

 

 

 

 

Share it :