Studimet për master/ Ulen pranimet, miratohen 12 940 kuota, aplikimi vetëm me mesatare mbi 6

Driçim Çaka

Nga 18 972 kuota të miratuara një vit më parë, Këshilli i Ministrave ul në mënyrë drastike pranimet për master

masterMiratohen kuotat e pranimit për “Master profesional” dhe “Master shkencor”. Kuotat kanë pësuar një ulje të konsiderueshme me një vit më parë. Nga 18 972 kuota që ishin vitin e kaluara për këtë vit janë miratuar vetëm 12 940, pra 6032 kuota më pak. “Kandidatët, që kanë përfunduar me sukses një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi, brenda numrit të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë për pranimet në një program të dytë studimi dhe rregullave të parashikuara në këtë vendim. Transferimet e studentëve në numrin përkatës të kuotës bëhen bazuar në udhëzimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe sipas kritereve të meritës, të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë dhe në këtë vendim. Studentët transferojnë studimet nga një program i ngjashëm studimi i mëparshëm “Master profesional” në një program tjetër studimi “Master profesional” apo nga një program studimi “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura” në një program tjetër studimi “Master i shkencave” apo “Master i arteve të bukura”, në institucionet publike të arsimit të lartë, duke iu nënshtruar tarifës për kredit të programit të studimit, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet”, – përcakton vendimi i qeverisë.

 

Kriteret

Përveç uljes së kuotave të pranimi, kriteri që pritet të penalizojë mijë studentë është mesatarja. MAS ka propozuar që asnjë student të mos pranohet për studimet master nëse nuk ka mesataren mbi 6, dhe ky propozim është miratuar nga qeveria. “Studentët, që do të aplikojnë për të vazhduar studimet në një program studimi të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master profesional” dhe “Master i shkencave” apo “Master i arteve të bukura” apo kërkojnë të transferojnë studimet e tyre, duhet të kenë notë mesatare të studimeve të ciklit të parë më të lartë se nota gjashtë, si dhe notë mesatare të të gjitha viteve të shkollës së mesme më të lartë se nota gjashtë”,- thuhet në vendimin e qeverisë. Çdo program studimi i ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master profesional” dhe “Master i shkencave” apo “Master i arteve të bukura” fillon veprimtarinë akademike në vitin e parë, për vitin akademik 2014 – 2015, në rast se në këtë program studimi regjistrohen së paku 10 studentë.
Tarifa

Pagesa e tarifës për të gjitha programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master profesional” dhe “Master i shkencave” apo “Master i arteve të bukura”, bëhet me këste të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë. Kësti i parë parashikon pagesën në masën 30% të tarifës totale dhe paguhet menjëherë me regjistrimin e studentit në programin përkatës të studimit. Pas përfundimit të kohëzgjatjes normale të programit të studimit, studentët, të cilët nuk e kanë përfunduar ende programin përkatës dhe nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në atë program studimi deri në përfundim të vitit akademik, konsiderohen studentë ngelës/përsëritës. Për lëndët përsëritëse, studentët paguajnë çdo vit akademik dyfishin e tarifës për kredit të parashikuar në këtë vendim. Përcaktimi i sipërpërmendur do të aplikohet për vitin akademik 2014 -2015 e në vazhdim, gjithashtu edhe për të gjithë studentët e regjistruar në vitet akademike të mëparshme, të cilët nuk kanë përfunduar programet përkatëse të studimeve dhe do të jenë përsëritës.

 

KUOTAT

Kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014 – 2015, në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master profesional”, janë 6 393 kuota gjithsej, të ndara, si më poshtë vijon:

-Kuota për pranimet e reja                  6243
-Kuota për program të dytë studimi             60
-Kuota për transferim studimesh               60
-Kuota për shtetasit e huaj                    30

 

Kuotat e pranimeve të reja për “Master profesional” përbëhen nga:

-Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit                 5823
-Kuota për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit                    250
-Kuota për të verbrit                                              15
-Kuota për romët dhe ballkano-egjiptianët                              15
-Kuota për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë                         15
-Kuota për jetimët                                               15
-Kuota për ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë                      110

 

Kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014 – 2015, në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master i shkencave” dhe “Master i arteve të bukura”, janë 6547 kuota gjithsej, të ndara, si më poshtë vijon:

– Kuota për pranimet e reja                6397
-Kuota për program të dytë studimi          60
-Kuota për transferim studimesh             60
-Kuota për shtetasit e huaj                  30

 

Kuotat e pranimeve të reja për “Master i shkencave” dhe “Master i arteve të bukura”, përbëhen nga:

-Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit              6087
Kuota për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit                  250
-Kuota për të verbrit                                            15
-Kuota për romët dhe ballkano-egjiptianët                           15
-Kuota për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë                        15
-Kuota për jetimët                                             15

 Kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit të plota do ti gjeni në faqet e brendshme të gazetës Standard

 

Share it :