SPAK kërkon ta arrestojë/ Gjykata Kushtetuese merr sot vendimin për Belinda Ballukun
Gjykata Kushtetuese do të mblidhet mëngjesin e kësaj të enjte (22 janar 2026) për të shqyrtuar ankimin e dorëzuar nga Edi Rama ndaj vendimit të (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres, Belinda Balluku.
Mbledhja pritet të nisë në orën 10:00 dhe do të zhvillohet në seancë publike.
Rama dorëzoi ankimin në Kushtetuese në nëntor të vitit të kaluar, ku kërkonte nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë nëse, masa e pezullimit të vendosur nga GJKKO për Ballukun, përbën cenim të kompetencave kushtetuese dhe balancës së pushteteve, duke justifikuar se një gjykatë speciale nuk ka juridiksion për të pezulluar një anëtar të Këshillit të Ministrave.
Gjykata e Posaçme vendosi më 20 nëntor të vitit të kaluar, që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Balluku akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese, ndërsa akuzave u është shtuar edhe shkelje e barazisë me tendera në Unazën e Madhe.
Në vrazhdën e këtyre akuzave, Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për heqjen e imunitetit dhe autorizim për arrestimin e Ballukut. Mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve për imunitetin e saj pritet të mbahet më 28 janar, pas vendimit që pritet të japë Kushtetuesja.




