Spahia: Thethi pa energji prej një jave
Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar ndaj situatës së krijuar në zonën e Thethit dhe fshatrave të Dukagjinit, të cilat prej një jave përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Spahia akuzon përfaqësuesit e mazhorancës se, ndërsa propagandojnë mbështetje për turizmin, në terren situata paraqitet krejt ndryshe.
Ai thekson se aktualisht zgjidhja e vetme për furnizim me energji mbeten gjeneratorët, të cilët funksionojnë me naftë të shtrenjtë, duke rritur ndjeshëm kostot për familjet dhe operatorët turistikë.
Reagimi i deputetit të PD, Bardh Spahia:
Ndërkohë që përfaqësuesit e mazhorancës mashtrojnë për mbështetje ndaj turizmit, Thethi dhe fshatrat e Dukagjinit përballen prej një jave me mungesën e energjisë elektrike.
Zgjidhja e vetme janë gjeneratorët me naftën e shtrenjtë. Kjo situatë është një realitet i trishtë që duhet zgjidhur urgjentisht dhe me ndërhyrje reale e jo me propagandë bajate.




