Skura prehet përkrah dëshmorëve I vëllai: Na la gjithnjë krenarë

Elton Qyno

musaShefi i Krimeve Musa Skura përcillet për në banesën e fundit. Trupin ia shtrijnë në shtratin e topit

Politikanë dhe qytetarë përulen para arkivolit. E shoqja dhe tre djemtë, dhimbje për humbjen e 57-vjeçarit

 

Përcillet për në banesën e fundit Musa Skura, shefi i Krimeve të Komisariatit të Matit, i ekzekutuar me tre plumba në trup mbrëmjen e 13 janarit, ditën e përvjetorit të 100-të të themelimit të Policisë së Shtetit. Mes lotësh të familjarëve, gruas, tre djemve dhe shiut të rrëmbyer që nisi në ato momente, strukturat e policisë kanë bërë vendosjen në krah të dëshmorëve të tjerë të atdheut, të trupit të pajetë të shefit të Krimeve Musa Skura. Vëllai i 57-vjeçarit, Avni Skura, në fjalën e tij ka falënderuar Policinë e Shtetit për vlerësimin që i bëri emrit të Musa Skurës, ndërkohë që shtoi se vërtet vëllai i tij nuk ndodhet mes familjes dhe tre fëmijëve të tij, por ai me punën e tij i la krenarë të gjithë të afërmit. Trupi i pajetë i Skurës, ndryshe nga siç ishte parashikuar ka mbërritur në portin e Durrësit një orë me vonesë, për shkak të dallgëve në det. Në terminalin e portit të Durrësit kishin mbërritur familjarë dhe dhjetëra efektiva të Policisë së Shtetit, të cilat pasi kanë marrë arkivolin ku ndodhej trupi i pajetë, janë nisur në formë autokolone, në drejtim të Tiranës, duke zhvilluar për rreth dy orë homazhe në ambientet e Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë.

Skura, mbi shtratin e topit

Protokolli i shtetit kishte organizuar ceremoninë e varrimit, ku teksa është përcjellë në Varrezat e Dëshmorëve trupi i pajetë i Skurës është vendosur mbi shtratin e një topi. Ky detaj u vu në dukje në momentin e përfundimit të homazheve, ndërkohë që për gjatë dy orëve, qytetarë të Tiranës dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe qeverisë janë përkulur me nderim përpara trupit të pajetë të shefit të Krimeve Musa Skura, i cili u qëllua me tre plumba për vdekje nga shtetasi Fitim Alla, pas një operacioni të organizuar nga policia me qëllim kapjen e një grupi kriminal që kryente tregtinë e armëve dhe municioneve. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit Dëshmorit të Atdheut, Musa Skura, gjatë ditës së djeshme kryen homazhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ministri i Brendshëm Flamur Noka, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, Avokati i Popullit Igli Totozani, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të pushtetit vendor si Lulzim Basha, përfaqësues të ICITAP, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të artit, kolegë, familjarë etj. Aktin sublim të shefit të Krimeve e ka nderuar edhe një grup deputetësh të Partisë Socialiste, të cilët të udhëhequr nga kryetari i tyre Edi Rama, u përulën përpara arkivolit të shefit të Krimeve Skura.

Vrasja me tre plumba

Babai i tre djemve është qëlluar me tre plumba nga 19-vjeçari Fitim Alla, i cili pas shkëmbimit të zjarrit më pas me efektivët e tjerë që kishin marrë pjesë në operacion, është plagosur lehtë, duke u arrestuar më pas nga blutë e Matit. Ndërkohë, pas arrestimit të tij, policia bërë arrestimin edhe të tre personave të tjerë, ndërkohë që drejtuesi i furgonin me të cilin transportoheshin mbi 6 mijë fishekë automatiku Riza Brace është shpallur në kërkim policor. Si pasojë e goditjes me armë Musa Skura, ka marrë dëmtime në tre organe jetësore të trupit, si në veshkë, shpretkë, stomak dhe zorrën e hollë dhe të trashë. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të tij, Skura është dërguar për kurim më të specializuar të spitalin “Padre Piu” të Foxhas në Itali, por pas 9 ditësh në koma, shefi i Krimeve është shuar përgjithmonë. Mjekët e spitalit bënë të pamundurën për shpëtimin e jetës së komisarit, por për shkak të hemorragjisë së brendshme të gjakut, Skura ka gjetur vdekjen. Lidhur me humbjen e jetës së tij, qeveria shqiptare akordoi për familjen një fond prej 50 milionë lekë të vjetra, si dëmshpërblim për policin e rënë në krye të detyrës.

 

Kryeministri Sali Berisha

Skura vdiq duke luftuar me falangat e

krimit, mbështesim policinë në betejë

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka vlerësuar aktin heroik të bërë nga shefi i Krimeve Musa Skura, i cili, sipas tij, ra në krye të detyrës, duke u përleshur me falangat e krimit. “Komisar Musa Skura ishte njëri nga komisarët më të shkëlqyer, më trima, më të vendosur të Policisë së Shtetit. Ai ishte një qytetar shembullor, një prind i shkëlqyer dhe me rënien e tij në krye të detyrës lë një boshllëk të madh në familjen e tij, në zemrat e miqve të tij, efektivëve të Policisë së Shtetit dhe të gjithë punonjësve dhe qytetarëve të vendit. Shembulli, sakrifica sublime e komisar Musa Skurës, burrëria e tij, guximi i madh do të jenë një frymëzim, sikundër edhe qindra shokëve të tjerë të tij, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm për të garantuar jetën, pronën, rendin dhe qetësinë”, – u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pas zhvillimit të homazheve në nderim të Dëshmorit të Atdheut, Musa Skura. Më tej, Berisha garantoi strukturat e policisë se do jetë përkrah tyre në çdo betejë kundër krimit të organizuar dhe atij të rrugës.

 

Drejtori Izet Hysa

Musa Skura, shembull për brezat e

ardhshëm që janë në radhët e policisë

Drejtori i Policisë së Qarkut Dibër, Izet Hysa, vlerësoi aktin heroik të shefit të Krimeve, duke pohuar se Musa Skura ishte shquar për cilësitë dhe virtytet e njeriut të ndershëm, me plot kurajë dhe shpirt sakrifice, që në çdo moment të karrierës së tij punoi me përkushtim ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe profesionalizëm në shërbim të qytetarëve, duke fituar dhe gëzuar mirënjohjen dhe respektin e të gjithëve. Duke iu referuar karrierës 28-vjeçare në strukturat e Policisë së Shtetit, Hysa theksoi se në asnjë moment ai nuk reshti së punuari për më shumë rend e siguri, derisa dora e krimit e goditi rëndë atë, pikërisht në ditëlindjen e 100 të Policisë së Shtetit, duke e kthyer në simbol të gjithë sakrificës së brezave në organizatën e policisë për një Shqipëri Evropiane, për një shtet ku sundon ligji, rregulli dhe liria. Ndër të tjera Izet Hysa u shpreh se kuraja, forca dhe sakrifica e Musa Skurës do të inspirojë gjeneratat në Policinë e Shtetit në përpjekjet për mbrojtjen e rendit dhe të ligjit dhe se vepra e tij, i bashkohet veprës së qindra kolegëve të tjerë, që ashtu si ai vunë jetën në themelet e shtetit ligjor.

 

Tek Zogu i Zi

Sherri për pasagjerët, plagoset faturinoja

Sherri për pasagjerët e furgonëve të Durrësit ka qenë shkak i një përplasjeje me mjete të forta në zonën e Zogut të Zi. Një drejtues furgoni dhe një faturino janë konfliktuar fillimisht me fjalë dhe më pas njëri prej tyre ka filluar të qëllojë një 24-vjeçar me levë dhe thikë. Si rezultat i kësaj ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi 24-vjeçar, i cili kishte disa kohë që punonte si faturino në një nga furgonët e linjës Tiranë – Durrës. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes u kanë treguar efektivave të policisë së goditja me thikë erdhi si rezultat i një sherri, ku janë përfshirë disa persona dhe jo dy të vetëm. 24-vjeçari është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërkohë që policia e Tiranës ka bërë identifikimin e autorit të krimit dhe pritet arrestimi i tij.

 

Ngjarja në Kamëz

Tenton të vrasë me makinë, arrestohet 23-vjeçari

Një 23-vjeçar nga Bathorja është arrestuar nga ana e policisë së Tiranës, pasi ka tentuar të vrasë me automjetin e tij shtetasin Ardjen Daci. Ngjarja e rëndë është regjistruar në zonën e Kamzës, ku pas një sherri për motive të dobëta, shtetasi 23-vjeçar Klevis Spahiu me anën e makinës së tij tip “Ford Fokus”, ka tentuar të godasë për vdekje 27-vjeçarin. Spahiu ka parë në rrugë 27-vjeçarin dhe menjëherë i ka dhënë gaz makinës, duke e drejtuar atë me shumë shpejtësi në drejtim të Ardjen Dacit. Megjithëse ky i fundit ka tentuar të shmanget, sërish është goditur nga makina, ku si rezultat i kësaj përplasjeje të fortë ai ka marrë plagë të ndryshme në trup. Pas kësaj, autori i krimit është larguar nga vendngjarja, ndërkohë që i plagosuri është transportuar me shpejtësi në drejtim të Spitalit Ushtarak, ku, siç mësohet, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

 

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :