Skema e mashtrimit/ Rimbursim TVSH për kompani fantazmë, në Gjykatë 6 zyrtarë

 Anxhela Tato

 

Prokuroria, dëmi ekonomik në shumën 6 mln euro, asnjë kontroll financiar ndaj firmave fiktive

Hetimet, 2 administratorët e firmave tërhoqën paratë kesh, të cilat u ndanë mes të pandehurve

 tvshMashtrimi prej 6 milionë eurosh me anë të rimbursimit të TVSH kompanive fiktive, Prokuroria dërgon në Gjykatë tetë të pandehurve, prej të cilëve gjashtë punonjës të administratës. Gjatë hetimit të zhvilluar nga Njësia Task-Forcë e Prokurorisë Tiranë, në bashkëpunim me administratën tatimore, u arrit të siguroheshin prova se dy administratorët, në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve të Tiranës kanë përfituar në mënyrë të padrejtë vlerën e rimbursimit të TVSH-së (Tatimit mbi Vlerën e Shtuar) për disa kompani, të cilat ekzistonin vetëm fiktivisht dhe nuk kishin zhvilluar asnjë lloj aktiviteti. “Në përfundim të hetimit, Prokuroria e Tiranë i akuzon për veprat penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose aktiviteteve kriminale”, të parashikuar nga nenet 135, 186/2, 287 dhe 25 të Kodit Penal, tetë personat, të cilët, në kohën e kryerjes së veprave penale, ishin në funksionet:1. Ismail Muça – drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve (DRT) Tiranë; 2. Afërdita Hysa – drejtore e Kontrollit, DR Tatime, Tiranë; 3. Laurent Vata – përgjegjës i Sektorit të Kontrollit, DR Tatime, Tiranë; 4. Edmond Osmani – inspektor Kontrolli, DR Tatime, Tiranë; 5. Gramoz Milushi – inspektor Kontrolli, DR Tatime, Tiranë; 6. Kujtim Metalia – inspektor Kontrolli, DR Tatime, Tiranë; 7. Mirjan Beneja – administrator i kompanive private dhe Gjergj Tupe – administrator i kompanive private.

 

Hetimet

Drejtoria e Auditimit të Brendshëm pranë Ministrisë së Financave ka ushtruar kontroll mbi veprimtarinë e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve lidhur me procedurën e rimbursimit të TVSH-së për vitin 2013, gjatë të cilit ka konstatuar se ka pasur veprime të dyshimta nga ana e disa shoqërive tregtare dhe konkretisht 13 prej tyre janë aktivizuar, shitur, kontrolluar dhe kanë përfituar rimbursimin duke kërkuar më pas çregjistrimin brenda një periudhe disa ditore. Të gjitha akt kontrollet e kryera nga inspektorët janë pa analiza të dokumentacionit financiar, pasqyrojnë faktet se për periudhën e kontrollit 2008–2013 subjekte nuk kanë ushtruar veprimtari dhe nuk ka dokumentacion të paraqitur, TVSH-ja mbartet nga vite të mëparshme para periudhës së kontrollit dhe pavarësisht pamundësisë për të ushtruar kontroll për mungesë dokumentacioni përsëri ata kanë miratuar kërkesat për rimbursim të TVSH-së të paraqitura nga ana e të pandehurit Mirjan Lili Beneja në gjendjen që është mbartur kjo TVSH dhe që i takon periudhave ushtrimore të aktivitetit para vitit 2005. Nga përmbajtja e të gjithe raporteve të kontrolleve rezulton gjithashtu se nuk është kryer kontroll i faturave të blerjeve dhe shitjeve të subjekteve për periudhat kohore të planifikuara për kontroll, pasi nuk ka pasur transaksione dhe është marrë e mirëqenë TVSH-ja kreditore e mbartur ndër vite.

 

SUBJEKTI                 RIMBURSIM I PALIGJSHEM          DATA E RIMBURSIMIT

 

  1. Lumturia”,                            43.648.000 lekë të reja                      22.09.2013
  2. F & M”                                   58.050.700 lekë të reja                      30.08.2013
  3. “Sheng- Da Ana”                 40.000.000 lekë të reja                      28.06.2013
  4. “Ventura”                               42.000.000 lekë të reja                      18.07. 2013
  5. “Nam Këong”                        41.630.000 lekë të reja             21.08.2013
  6. “Hong De”                             41.888.500 lekë te reja                      30.08.2013
  7. “Tai Ping Jang”                     59.998.500 lekë të reja                16.10.2013
  8. “Asterix 03”                            40.909.700 lekë të reja                      19.07.2013
  9. “BE-NI-SA”                            40.598.500 lekë të reja                      18.07.2013
  10. “Tong Da Horizont”              30.168.500 lekë të reja                      22.08.2013
  11. “Tirana HQ Imp- Exp”          62.392.357 lekë të reja                04.10.2013
  12. “Arlindi Trade”                       42.498.5000 lekë të reja            01.07.2013
  13. “4 + M”                                    25.930.848 lekë të reja                       26.02.2013

 

 

 

 Vrasësit me pagesë/ Prokuroria sekuestron pasurinë e kushërinjve Mëhillaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar pasuritë e Marjon Mitros dhe dy kushërinjve Andon dhe Gënis Mëhillaj të akuzuar për përfshirjen në një bandë që vendoste eksplozivë si dhe kryente vrasje me pagesë. Përveç akuzave për akte terroriste, vrasje dhe sigurim të mjeteve për kryerjen e vrasjeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton ndaj personave në akuzë dhe veprën penale të pastrimit të parave. Sekuestrimi i pasurive për Mitron dhe kushërinjtë Mëhillaj ka përfshirë prona të tyre në qytetin e Tiranës, Vlorës dhe Orikumit. Burime nga Krimet e Rënda bëjnë me dije se në sekuestrimet e kryera bëhet fjalë për 7 apartamente, 3 troje, 15 llogari bankare si dhe një vilën në pronësi të Andon Mëhillajt, pronë mbi të cilën u hodh dhe një sasi tritoli pak ditë pas vetëdorëzimit të Andonit. Po të njëjta burime saktësuan se ende nuk ka përfunduar procesi i sekuestrimit të aseteve të këtyre shtetasve të përfshirë në veprimtari kriminale, ndërsa vlera e sekuestruar deri në këto momente i kalon dy milionë euro. Për këta shtetas, Prokuroria e Krimeve të Rënda zgjati dhe afatin hetimorë me tre muaj të tjerë, ndërsa ende rezulton në kërkim Genis Mëhillaj, për të cilin policia e shtetit deklaron se ka të dhëna se është larguar jashtë Shqipërisë.

 

Kushëriri i të plagosurit/ “Ndërhyri t’i ndante, viktima ishte polic në firmën ku është përgjegjës Çimi”

“Çimi ndërhyri për të ndarë dy djemtë që po ziheshin dhe t’i hiqte armën autorit. Viktimën Çimi e ka shok, pasi është polic në firmën ku i afërmi jonë është përgjegjës”, – tregojnë familjarë të të plagosurit Ndriçim Cuku. Ndërsa bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe fatmirësisht plumbi nuk i ka shkaktuar dëmtime në organet jetike. Ata tregojnë se Cuku është transportuar në Spitalin Ushtarak, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike dhe ndodhet në Reanimacion. Për sa i përket krimit djali i xhaxhait të 31-vjeçarit tregon se një shok i ka kërkuar që të ndajë viktimën dhe autorin, të cilët po përlesheshin fizikisht. “Çimi punon si përgjegjës i një firme private që merret me ruajtjen e hidrocentraleve. Pasi mori porositë ai u nis për në Dibër. Në afërsi të qendrës së fshatit ai ndaloi për shkak të rrëshqitjes së dherave. Parkoi makinën dhe u nis për në qendër, ku e ftuan për një kafe. Kur ulet në lokal kishte plasur sherri dhe një nga shokët i thonë: Aman o Çimi, futu dhe ndaji. Ai futet për t’i tërhequr armën autorit, i cili kishte qëlluar viktimën. Në këto momente plagoste edhe vetë Çimi. Ai i njihte të dy, por viktima punonte si polic në firmën e Çimit”, – rrëfen djali i xhaxhait. Ndërsa policia është ende në kërkim të autorit, i cili vrau Shpend Cakën.

 

Elbasan/ Tenton të vrasë me thikë 23-vjeçarin, pranga autorit

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga një 19-vjeçar, i cili tentoi të vriste me thikë një person. Burime nga policia bëjnë të ditur se 19-vjeçari Esmerald Meta ka tentuar të qëllojë me thikë një 23-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të pasdites së djeshme në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan. Sipas policisë, të rinjtë janë konfliktuar për motive të dobëta dhe më pas sherri ka degjeneruar deri në përdorimin e mjeteve të mprehta. Ndërkohë 19-vjeçari Meta është shoqëruar në komisariatin e policisë, ndërsa pritet të përballet me drejtësinë për akuzën “tentativë vrasje”.

 

 

 

Share it :