Skandali tek Onkologjiku, Dasho: Biseda të sajuar me Maldivet, mjekët, koka turku!

Mjeku Erion Dasho thotë se doktorët e përfshirë në skandalin tek Onkologjiku, janë duke u bërë koka turku dhe se bisedat me “pushime në Maldive” mund të jenë të sajuara.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Dasho tha se bisedat mund të jenë nxjerrë nga konteksti, por shtoi se nëse vërtetohet fajësia e mjekëve nga gjykata, duhet të dënohen.

Debati në studio: 

Erion Dasho: Kjo është histori e njohur prej dhjetra vitesh dhe nis te mungesat në  medikamente. Mungesë kriminale në ilaçe, në aparatura, si kjo e kobaltit që e blen dhe nuk  ndërton bunkerin dhe ta lësh në mëshirë të fatit dhe të privosh pacientët, është e pafalshme. Po të hetosh në mënyrë profesionale në spitalin Onkologjik përfundon te ministri. Sot u është dhënë pacientëve një objekt zemërimi, tre mjekët që dalin sot, që janë koka turku. Sajohen biseda me Maldivet.

Ylli Rakipi: Nuk u heq asnjë presje fjalëve tuaja, por këta bisedat me Maldive me paratë e marra pacientëve në mënyrë kriminale nuk duhet t’i bëjnë. Këta janë kriminelë.

Erion Dasho: Kush tha që janë marrë në mënyrë kriminale, ku e dimë ne? Nëse ky doktor merrte 500 euro për të shkuar në Maldive të marrë dënimin maksimal dhe të bëhet objekt i hetimeve administrative, t’i hiqet licensa, e drejta e ushtrimit të profesionit. Por nëse kjo bisedë është bërë në mjediset e klinikës private ku 500 eurot e tij janë honorari legjitim kush do të mbajë përgjegjësi pastaj? Për mua është një skandal i stisur nga spin doctors. Unë nuk i shfajësoj ata, vetëm gjykata ka të drejtë të shprehet nëse janë ose jo fajtorë. Nëse ato biseda janë bërë në kontekstin e një biznesi të ligjshëm privat, apo në kontekstin e një grupi të strukturuar kriminal në spitalet publike. Nuk mund të shprehem unë, ju, mediat.

Ylli Rakipi: Jo, jo një sekondë. Unë telefonova dikë që të hynte në studio para jush dhe ai më tha se fajin e ka sistemi. Ai punonte shef i një reparti dikur dhe pastaj shkonte te klinika e vet. Ne mund të merremi me këtë të sistemit ditë-natë. Edi Ramën ta llogaritim kriminelin më të  madh të vendit dhe të gjithë që na qeverisin, por këta mjekë që bëjnë këtë punë, nuk janë kriminelë?

Erion Dasho: Absolutisht. Ai mjek që punon në spitalin publik dhe kërkon e merr ryshfet nga pacienti shkel ligjin, është duke bërë një krim dhe meriton të marrë dënimin. Këtu nuk kemi asnjë ekuivok. Por nëse ka bërë krim, këtë e vendos gjykata.

Ylli Rakipi: Ne nuk po themi emra se nuk i dimë, mund të jenë të pafajshëm, siç thoni ju, por në këtë sistem që kemi ndërtuar, dhe nëse ne ia rrasim vetëm sistemit nuk ka lezet. Ne kemi ndërtuar këtë sistem. Nuk duhet të përgjigjemi për këtë?

Erion Dasho: Ju përmendët kryeministrin dhe nëse keni ndjekur median time sociale, unë herë pas here, intervistën tuaj me kryeministrin Rama për koncesionin e sterilizimit, e kam quajtur si modelin më të të rëndësishëm të gazetarisë shqiptare, sepse në atë intervistë e keni gozhduar kryeministrin me fakte.

Ylli Rakipi: Po, më solli ato veglat në studio…

Erion Dasho: Nga të gjithë gazetarët ju i keni bërë dëmin më të madh, sepse ajo bisedë në studion tuaj, po të ketë një gjykatë të pavarur e çon Edi Ramën në ndjekje penale, sepse ju e lajmëruat që ka qenë një kompani me kapital 1 mijë euro dhe Edi Rama ka dalë i zhveshur para shqiptarëve si hajdut dhe si i korruptuar.

Share it :