Është Ministria e Arsimit ajo që publikon katalogun me listën e të gjitha teksteve mësimore që shkollat do të përzgjedhin si alternativa të mundshme për t’i përdorur gjatë vitit shkollor
Nisi si një shqetësim në rrjetet sociale, por shumë shpejt prindër nga i gjithë vendi kanë zbuluar rastet horror, ku fëmijët duhet të mësojnë skena dhune, vrasje apo se si i mësojnë nxënësit të kryejnë veprime skandaloze. Në “Leximin” e klasës së dytë jepet një shembull për nxënësit se si mund të mungojnë ata në shkollë, duke pirë ujë me shkumës. Por ka dhe shembuj të tjerë, se si babai i alkoolizuar vret nënën dhe më pas përfundon në burg. Përzgjedhja e teksteve shkollore bëhet nëpërmjet një procedure të veçantë. Është ministria e Arsimit ajo që publikon katalogun me listën e të gjitha teksteve mësimore që shkollat do të përzgjedhin si alternativa të mundshme për t’i përdorur gjatë vitit shkollor. Pas përzgjedhjes së teksteve shkollat duhet të bëjnë porositë tek shtëpitë botuese. Për tekste të veçanta ka deri në tetë alternativa dhe kjo shpeshherë ka sjellë edhe kundërshtinë e arsimtarëve, të cilët janë shprehur kundër këtij numri, i cili nuk sjell gjë tjetër veçse konfuzion tek nxënësit. Pas denoncimit të këtyre shembujve nga vetë prindërit në rrjetet sociale ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Ajo u shpreh se do të hiqen nga qarkullimi tekste të tilla, ndërkohë që do të rishikohen të gjithë librat. “Vetëm para nisjes së këtij viti shkollor, – tha ajo, – u hoqën 120 tituj tekstesh”. Debate ka shkaktuar edhe një pjesë e shkëputur nga “Edukimi për karrierën” e klasës së 10-të, ku jepet një situatë rasti për të cilën duhet të diskutojnë me një familje shqiptare që emigron në Athinë. Babai ishte i alkoolizuar dhe në debat e sipër godet bashkëshorten në kokë, e cila vdes në spital. Babai përfundon në burg, ndërsa dy të vegjlit rriten nga gjyshërit e mamasë, të cilët u përçojnë urrejtjen ndaj babait. Po kaq horror është edhe rasti i servirur në lëndën “Statistikë dhe probabilitet”, ku vëllai duhet të zgjedhë mes tij dhe të motrës se cili prej tyre do të hajë një karamele me helm vdekjeprurës.




