Tregu i sigurimeve e ka mbyllur gjashtëmujorin e parë të vitit me një rritje prej afro 35% në vlerën e primeve të arkëtuara. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kompanitë e sigurimeve në gjysmën e parë të vitit kanë arkëtuar rreth 5.3 miliardë lekë prime. Rritja ka qënë paralele si në segmentin e sigurimit të jetës, ashtu edhe në atë të jo-jetës, që vazhdon të përbëjë pjesën kryesore të tregut. Përcaktuese në rritjen e sigurimeve gjatë këtij viti është rritja e bashkërenduar e tarifave nga të gjitha kompanitë për sigurimin e detyrueshëm motorrik.
Të ardhurat nga sigurimi i detyrueshëm TPL për gjashtëmujorin e këtij vitit ishin 81% më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndryshe nga sa ka ndodhur vitet e mëparshme, deri tani gjatë vitit 2014, marrëveshja mes kompanive përgjithësisht është respektuar. Megjithatë, kjo praktikë është bërë sërish objekt hetimi nga Autoriteti i Konkurrencës, me dyshime për marrëveshje të ndaluar në kuptimin e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Për të njëjtën arsye, kompanitë e sigurimit të jo-jetës u gjobitën në vitin 2012 me gjithsej 89 milionë lekë gjobë, por sidoqoftë më vonë vendimi i Autoritetit të Konkurrencës u anullua nga gjykata.
Ndërkohë, këtë vit dëmet e paguara nga siguruesit janë më të ulëta. Në gjashtë muaj, janë paguar gjithsej 1.32 miliardë lekë dëme, 2.4% më pak krahasuar me vitin e kaluar. Mbi 72% e vlerës totale të dëmeve shkaktohen nga sigurimet e detyrueshme motorrike. Raporti total mes dëmeve dhe primeve për tregun e sigurimeve në Shqipëri është 24.7%, ndërkohë që në shumicën e vendeve të tjera ky raport është minimalisht 50%.
1.700 fermerë aplikojnë për ndihmën shtetërore financiare
1700 fermerë të cilët kanë aplikuar për të përfituar ndihmën e shtetit në fushën e agroindustrisë, tashmë mund të marrin paratë. Ministria e bujqësisë ka bërë gati listën e fituesve, ndërsa ministri Panariti shpjegoi se do të përfitojnë janë ata qe kanë prodhimin më të madh dhe me kosto me te ulet. Ministri nuk harroi t’i drejtohej fermerëve dhe t’i vinte në dispozicion një numër telefoni për rastet kur atyre i kërkohet ryshfet në këmbim të përfitimit. Me skemën e mbështetjes në teknologji synohet bashkimi i fermerëve për të grumbulluar prodhimin, pasi vetëm kështu ata mund të përfitojnë para por edhe të investojnë më shumë. Përfitimi shkon deri në 150 mijë dollarë për një fermer.
Panariti ka qenë dje në Lushnje për të inspektuar punën që bëhet për luftimin e karkalecit, që po shkakton dëme të mëdha këtë vit, edhe në sajë të kushteve të favorshme të klimës, që kanë favorizuar riprodhimin e tij në masë. Kreu i Bujqësisë deklaroi se po përdoret një insekticid i cili është i përqendruar veçanërisht tek karkaleci, e shfaros atë dhe nuk ka efekte anësore qoftë tek bimët, qoftë tek ujërat freatik apo në komponentët e tjerë të mjedisit bujqësor.




