Si u braktis strategjia e ullirit

Ervin Kaduku

 

ulliri_druri_qe_njerezit_e_ngrQeveria e re e la në letër strategjinë për të mbjellë 20 milionë rrënjë ullinj në vitet e ardhshme, duke lënë pas dore kështu një nga drejtimet të fitimprurëse të bujqësisë shqiptare vetëm për “hatër politik”. Studimi mbi këtë sektor parashikonte një vlerë investimi në pesë vitet e para prej rreth 63 miliardë lekësh. Kjo shifër do të ishte mbi 60 herë më e lartë se vlera e subvencioneve direkte në bujqësi. Tërheqja nga kjo strategji ka bërë që “dhuratë” të mbeten vetëm ullishtat e ngritura falë subvencioneve në bujqësi.

Ullishtaria vlerësohet të zërë gati 6% të sipërfaqes së tokës bujqësore. Në vlerësimin e gjendjes aktuale të ullirit në vend, ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Qendrës së Transferimit të Teknologjive të Bujqësisë në Vlorë, kanë theksuar se niveli i mirëmbajtjes së ullishtave është i ulët, ndaj edhe rendimenti ka qenë i dobët (duke u luhatur këto vitet e fundit mes 7-18 kg/rrënjë).

Deri në fund të vitit 2012, numri i bimëve të ullirit i kaloi 4 milionë rrënjë kundrejt 3.1 milionë bimë që ishin në vitin 1992. Ndërsa prodhimi filloi të rritej në vitin 2012 shënoi 25 mijë tonë, kundrejt 20 mijë tonëve në vitin 1992. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, me bimën e ullirit në Shqipëri merren mbi 95 mijë familje fermere, prej të cilave 44 mijë e kanë përparësi kulturën e ullirit dhe 11 mijë familje e përballojnë jetesën me të ardhurat financiare që sigurohen nga kjo kulturë.

Të dhënat

Ndërkohë, janë 130 linja të ngritura në vend, me kapacitet përpunues 10 mijë tonë ullinj në sezon. Kjo është e barabartë me 36% të kapacitetit përpunues në shkallë vendi.

Tregu shqiptar i vajit të ullirit është shembulli më i mirë për të treguar se si vendi ynë nuk arrin t’i japë vlerë një pasurie që natyra ia ka dhënë. Jemi në zemër të rajonit prodhues të ullirit në botë, kemi rrënjë ullinjsh qindravjeçare, por e importojmë vajin e ullirit nga vende të tjera mesdhetare. As ndërhyrjet në më shumë se njëzet vjet, madje as një strategji kombëtare për ullirin nuk arritën t’i nxjerrin ullishtat nga kushtet e tyre natyrale të prodhimit, ku rendimenti pëson luhatje me disa herë nga një vit në tjetrin.

Strategjia kombëtare e ullirit ka lënë vetëm shenjat e para të ullishtave intensive në zonën e Kavajës, për t’u braktisur nga politika e zhvillimit bujqësor të qeverisjes së majtë. Në skemën e subvencioneve të këtij viti, mbështetja e ullishtave të reja është futur mes produkteve të tjera si pemëtore, vreshta, e ka më pak mundësi financimi se kultivimi i perimeve. Ato çfarë ishin dhe vazhdojnë të mbeten në terren edhe ditët e sotme janë programet e huaja të financimit, të cilat, megjithëse kanë rritur vëmendjen e fermerëve për t’u kujdesur më shumë për drurin e ullirit, nuk kanë qenë aq të vlefshme se sa pritej, përderisa prodhimi nuk siguron qëndrueshmëri e të marrin kthesën e rritjes. Zhvillimi në kushte tërësisht natyrore po bën që edhe pjesa e industrisë ushqimore, ajo e prodhimit të vajit të ullirit, të varet nga kjo tendencë, ndonëse dora e njeriut ka hedhur miliona euro investime.

 

Strategjia

Vitin e kaluar, ullinjtë u dëmtuan nga shirat në periudhën e lulëzimit dhe ky rrezik po u kanoset edhe këtë vit.

Prodhimi i pakët bëri që vaji i siguruar të jetë vetëm 5 mijë tonë, nga 13.7 mijë tonë të prodhuar një vit më parë. Sipas të dhënave të agroindustrisë, sasia e prodhuar zbriti në nivelin e katër viteve më parë. Në vitin 2010 u prodhuan rreth 5 mijë tonë vaj ulliri. Ekspertët e bujqësisë janë pak optimistë për ndryshimin e kësaj prirjeje që duket se e ka krijuar rrugën e saj tashmë. Sipas tyre, prodhimi i ullirit ka mbetur tërësisht në kushte natyrale, ku një vit është i mbarë dhe viti pasardhës pa prodhim. Ndërsa janë shtuar ullishtat e reja, shumë pak po mirëmbahen ato ekzistuese, aktualisht në prodhim. Kjo po lë peng shumë punishte të përpunimit të këtij vaji të ngritura në vend, të cilat punojnë duke shfrytëzuar edhe vetëm 10% të kapacitetit.

Prodhimi i kufizuar i lë vend importit të vajit të ullirit. Në vend që të renditeshim mes eksportuesve më të mëdhenj të vajit të ullirit në botë (mundësi e kufizuar vetëm mes vendeve mesdhetare), në fakt eksportojmë vetëm disa dhjetëra tonë në Kosovë e Mal të Zi, ndërsa importojmë më shumë se një të pestën e sasisë që prodhohet në vend. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vitin e kaluar importuam rreth 1.2 mijë tonë vaj ulliri. Importe të siguruara nga Greqia, Italia dhe Spanja, kryesisht të një cilësie mesatare prodhimi. Ndryshe nga sa pritej, importi shënoi rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, ndërsa prodhimi ra në mënyrë të theksuar. Kjo bëri që pesha mes prodhimit vendas dhe importit të ndryshojë ndjeshëm. Vaji i ullirit i importuar arriti në gati 20% të sasisë së prodhuar një vit më parë, ndërsa në vitin 2012, importi zinte më pak se 10% të prodhimit vendas. Ekspertët e tregtisë na kujtojnë se përgjysmimi i import-prodhimit nga 2012-a në 2013-n, nuk do të thotë domosdoshmërisht ulje e konsumit në këto nivele. Vitin e kaluar vlerësohet të jetë hedhur në treg edhe një sasi e prodhuar një vit më parë, përvojë që tashmë fermerët e përpunuesit e kanë krijuar nga vitet e mëparshme.

Konsumi i vajit të ullirit për person në Shqipëri është rreth 12 herë më i ulët se sasia e konsumuar për frymë në Greqi dhe 6 herë më pak se në Itali apo Spanjë, ndonëse potenciali prodhues i ullirit paraqitet i njëjtë në të gjitha këto vende, përfshirë Shqipërinë.

E krahas prodhimit dhe konsumit më të pakët të këtij produkti me potencial të lartë eksportues, (pasi ka një treg deficitar në botë) tregu shqiptar i ullirit duket të karakterizohet nga një masë më e lartë abuzimi se në vendet e tjera. Siguria për të blerë në një dyqan vaj ulliri (tërësisht të tillë) vazhdon të mbetet e ulët.

 

Ulliri

Familjet shqiptare e kanë rritur interesin për ta bërë vajin e ullirit pjesë të dietës së tyre ushqimore. Gjatë vitit të kaluar, konsumi i vajit të ullirit për frymë në vendin tonë, sipas të dhënave të prodhimit dhe tregtimit, rezulton të jetë 2.1 litër/vit. Ky nivel konsumi është rritur 60% në dhjetë vitet e fundit. Megjithatë, niveli ynë i konsumit për vajin pa kolesterol, shpesh i këshilluar nga mjeku mbetet më i ulëti nga të gjitha vendet kultivuese të këtij produkti. Kushtet klimatike për kultivimin e ullirit janë të njëjta për vendet mesdhetare, por nëse vendet mesdhetare identifikohen si të tilla për mundësinë e kultivimit të ullirit, Shqipëria mbetet e panjohur në këtë treg. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), rezulton se një konsumator grek shpenzon 25 litra vaj ulliri në vit, rreth 13 herë më shumë se një konsumator shqiptar. Në Itali dhe Spanjë, niveli i konsumit është mesatarisht 6 herë më i lartë se në vendin tonë.

Share it :