Si shtoheshin listat nga ana e përfaqësuesve të komunave dhe bashkive

Ndihma ekonomike dhe aftësia e kufizuar

 

 

Kërrabë, kryetari dhe anëtarët e këshillit, mes 193 abuzuesve që merrnin ndihmë ekonomike. Të gjithë përfituesit abuzivë ishin pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Mashtrimi me ndihmën ekonomike, skema organizohej nga anëtarët e këshillave të komunave dhe bashkive

 

ndihme ekonomikeMjafton që të kishe një të afërm në këshillin e komunës ose bashkisë për të përfituar ndihmë ekonomike ose pagesë si i paaftë për punë. Kjo ishte skema që ka lulëzuar në vitet e fundit në vendin tonë. Kryetarët e këshillave vendorë në bashkëpunim me këshilltarët shtonin emra në listë për të favorizuar familjarë të tyre, duke filluar që nga gruaja ose burri, fëmijët dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Rasti më i fundit është zbuluar në Komunën Kërrabë, e cila drejtohet nga përfaqësuesi i LSI-së dhe të gjithë përfituesit abuzivë ishin pjesë e kësaj partie. Në këtë komunë, 228 persona përfitonin ndihmë ekonomike, nga këta 193 prej tyre ishin përfitues të paligjshëm. Abuzimi është zbuluar nga kontrolli i bërë nga Shërbimi Social Shtetëror. Ky shërbim ka kallëzuar dje në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës, kryetarin Artan Leka dhe anëtarët e Këshillit të Komunës Kërrabë, si dhe përgjegjësen e seksionit të Ndihmës Ekonomike dhe të Personave me Aftësi të Kufizuara, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës. “Nga kontrolli i ushtruar nga auditi i Shërbimit Social Shtetëror ka rezultuar se nga 228 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në Komunën e Kërrabës, 193 prej tyre e kanë përfituar ndihmën ekonomike në shkelje me kriteret e përcaktuara ligjore, mes të cilëve edhe familjet e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Komunës”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale.

Abuzimi

Sipas Ministrisë, veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi kryetarin dhe anëtarët e Këshillit të Komunës Kërrabë, si dhe administratoren e Ndihmës Ekonomike dhe të Aftësisë së Kufizuar të Komunës Kërrabë. “Në përfundim të këtij kontrolli, Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë që do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera”, – thuhet në njoftim. Shërbimi Social Shtetëror po vazhdon kontrollet e skemës së Ndihmës Ekonomike dhe Pagesave të Aftësisë së Kufizuar dhe do të kallëzojë në Prokurori të gjitha shkeljet e gjetura në skemën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar. Për periudhën e kontrolluar 9-mujore të vitit 2013, këto shkelje ligjore i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit gjithsej një dëm prej 7.124.722 lekë. Shkelje të tjera u evidentuan edhe gjatë kontrollit të dosjeve të personave me aftësi të kufizuara, ku rezultoi se nga 52 persona që trajtohen me pagesë paaftësie në Komunën e Kërrabës, 8 prej tyre e kanë përfituar atë në shkelje të kritereve ligjore.

Rastet e tjera

Shërbimi Social Shtetëror ka denoncuar në Prokurorinë e Rrethit të Lezhës, kryetarin, nënkryetarin dhe anëtarët e Këshillit të Komunës Dajç, si dhe ish-përgjegjësin e seksionit të Ndihmës Ekonomike dhe të Personave me Aftësi të Kufizuara, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës.

Nga kontrolli i ushtruar nga auditi i Shërbimit Social Shtetëror ka rezultuar se 60 familje në Komunën e Dajçit janë trajtuar me ndihmë ekonomike në kundërshtim me kriteret e përfitimit të saj dhe me mangësi dokumentesh në dosje. Po kështu janë denoncuar zyrtarë të Komunës Paskuqan me motivacionin për shpërdorim detyre me administrimin e fondit të Ndihmës Ekonomike. Nga kontrolli i ushtruar nga ekipi i auditit të Shërbimit Social Shtetëror në Komunën e Paskuqanit u konstatua se 623 persona përfitonin ndihmë ekonomike në shkelje të kritereve ligjore për përfitimin e saj. Gjithashtu janë denoncuar edhe anëtarët e Komisionit Mjekësor për Caktimin e Aftësisë në Punë, KMCAP Fier, anëtarë të Komisionit Mjekoligjor të Spitalit Rajonal Fier dhe administratorë të Ndihmës dhe Shërbimeve Sociale në Komunën Cakran, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës. Këta persona dyshohet se përmes veprimeve apo mosveprimeve të tyre kanë sjellë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, si dhe kanë keqmenaxhuar pagesat e aftësisë së kufizuar. Nga kontrolli i ushtruar ka rezultuar se nga 542 persona me aftësi të kufizuar në Komunën Cakran, 54 prej tyre kanë përfituar në mënyrë të parregullt pagesën e aftësisë së kufizuar. Në hetimin e Prokurorisë kanë përfunduar edhe anëtarët e Komisionit Mjekësor për Caktimin e Aftësisë në Punë, KMCAP Elbasan dhe punonjës të Komunës Labinot-Fushë, në Elbasan, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës.

 

 

ALBtelecom merr përsipër koston e rritjes së taksës për punonjësit

ALBtelecom ka vendosur të mos pasqyrojë te punonjësit ndryshimin që sjell taksimi mbi të ardhurat. Që nga data 1 janar, me hyrjen në fuqi të ligjit “Tatimi mbi të ardhurat” të lançuar me dekretin nr. 8444 të datës 30.12.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, kompania ALBtelecom ka vendosur që si punëdhënës të rimbursojë diferencën e taksës për punonjësit që ndikohen negativisht, duke rishikuar pagën bazë bruto mujore duke filluar nga data 1 janar 2014. Drejtorja e Burimeve Njerëzore e ALBtelecom dhe Eagle Mobile, znj. Irida Bonati, në lidhje me këtë çështje është shprehur se ALBtelecom ka vendosur që të rimbursojë punonjësit me vlerën që ata ndikohen nga taksa e re, pasi mendojmë se do të jetë një pikë motivimi dhe vlerësimi më shumë për ta. “Ky hap vjen në mbështetje të projekteve dhe politikave tona për motivimin e stafit, i cili kontribuon vazhdimisht me një performancë në nivele të larta. Ne besojmë tek njerëzit me të cilët kemi zgjedhur të punojmë dhe ata e justifikojnë këtë besim çdo ditë me punën e tyre, prandaj do të vazhdojmë të marrim iniciativa motivuese”, – ka thënë znj. Bonati. ALBtelecom është kështu kompania e parë që hedh një hap të tillë, pas shpërblimit të fundvitit akorduar për gjithë punonjësit ë kësaj kompanie në të gjithë vendin. Kjo vjen në kuadër të politikave që ALBtelecom dhe kompania mëmë Çalik Holding aplikojnë për punonjësit, duke vlerësuar maksimalisht kontributin e tyre.

 

Tabela nr.1: Taksimi mbi të ardhurat nga punësimi

 

Të ardhura të taksueshme (në lekë/muaj)

 

Përqindja
Nga Deri në (përfshirë)  
0 30,000 Zero për qind
30,001 130,000 +13% të shumës mbi 30,000ALL
130,001 Më shumë 13.000+23% të shumës mbi 130,000ALL

 

 

Share it :