Shtyhet mbledhja me dyer të mbyllura/ Kreu i SHISH-it dhe deputetët, pa certifikata sigurie

Florenc Drizari

 

Braho: U nxorën jashtë deputetët pa certifikata, kryetari i SHISH-it kishte muaj pa certifikatë sigurie

 Noka: Problemi që u ngrit, ishte çështje teknike, për t’iu fshehur të vërtetës. Sjellje qesharake

 

visho ajaMungesa e certifikatave të sigurisë ose skadimi i afateve kohore të tyre ka bërë që të shtyhej raportimi i kreut të SHISH-it në Komisionin për Sigurinë Kombëtare. Pas një mbledhjeje të shkurtër me dyer të mbyllura, deputetët e Kuvendit konstatuan se një pjesë prej tyre nuk kishin certifikatat e sigurisë për konfidencialitetin e informacionit. Ky fakt u konstatua edhe për kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, si dhe stafin e tij, certifikatat e të cilëve kishin skaduar muaj më parë. Lidhur me raportimin e ardhshëm të kreut të shërbimit të inteligjencës shqiptare, pritet marrja e përgjigjes edhe nga SHBA-ja, për faktin se Visho Ajazi ka dy nënshtetësi.

Pas shtyrjes së kësaj seance reaguan edhe deputetët e pozitës dhe të opozitës, duke e politizuar më tej situatën e krijuar. Opozita nga ana e saj e quajti një justifikim për t’iu shmangur të vërtetës shtyrjen e mbledhjes, ndërkohë që mazhoranca kërkoi pajisjen me certifikata si një element i domosdoshëm sigurie, duke vënë theksin edhe tek zbatimi i rregullores.

 

Shtyrja e mbledhjes

 Pas një takimi të shkurtër me dyer të mbyllura, Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare vendosi që të shtynte për një kohë të papërcaktuar raportimin e kreut të SHISH-it, Visho Ajazi, dhe shkak për këtë u bënë mungesat e certifikatave të sigurisë për ruajtjen e materialeve konfidenciale. Pikë e parë e kësaj seance do të ishte raportimi vjetor i kreut të SHISH-it për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2013. Çështje të tjera për të cilat do të informonte Ajazi, ishin bashkëpunimi mes Shërbimit Informativ dhe Ministrisë së Brendshme, për sigurinë dhe rendin në vend, e kërkuar nga deputetet e opozitës; informacion rreth problematikës së ngritur në media për shkeljen e ligjit ne emërimet e kreut të SHISH-it, si dhe një informacion lidhur me përmbajtjen e shkresës “sekret”, dërguar drejtorëve të SHISH-it në prefektura, ku kërkohet informacion për personat e implikuar në veprimtari antiligjore, të emëruar në pozicione drejtues në Policinë e Shtetit.

 

Reagimet e palëve

 Pas mbledhjes së shkurtër mes deputetëve të Komisionit të Sigurisë dhe kreut të SHISH-it, reaguan edhe përfaqësuesit e Komisionit të Sigurisë. Kryetari i këtij Komisioni, Spartak Braho, tha se u kërkua zbatimi i ligjit dhe respektimi i sekretit shtetëror. “U nxorën jashtë deputetët që s’kishin certifikata, por rezultoi se vet kryetari i shërbimit kishte disa muaj që vepronte pa certifikatë sigurie. Ai ka pasur certifikatë, por i kishte skaduar. Seanca dëgjimore do të bëhet kur të gjithë personat të jenë në rregull me ligjin”, – deklaroi Braho.

Ndërkaq, një qëndrim ndryshme mbajti deputeti i opozitës, Flamur Noka. Sipas tij, shtyrja e raportimit ishte një shmangie që kreu i SHISH-it të tregonte të vërtetat e tij në komision. “Ne jemi komision sigurie kemi çështje shumë të rëndësishme për tu marrë nuk merremi me përralla. Problemi që u ngrit ishte çështje teknike për t’ju fshehur të vërtetës. Kjo është një sjellje qesharake”, – tha Noka.

Në lidhje me këtë çështje reaguan për mediat edhe dy deputetët e tjetër të Komisionit të Sigurisë, Taulant Balla dhe Piro Lutaj, të cilët mbështetën qëndrimin që kreu i SHSH-it duhet të ishte i pajisur me certifikatë sigurie.

 

 

DETAJE

 

Spartak Braho

“U kërkua zbatimi i ligjit dhe respektimi i sekretit shtetëror. U nxorën jashtë deputetët që s’kishin certifikata, por rezultoi se vet kryetari i Shërbimit kishte disa muaj që vepronte pa certifikatë sigurie. Ai ka pasur certifikatë, por i kishte skaduar”.

 

Flamur Noka

“Ne jemi Komision Sigurie, kemi çështje shumë të rëndësishme për t’u marrë, nuk merremi me përralla. Problemi që u ngrit, ishte çështje teknike, për t’iu fshehur të vërtetës. Kjo është një sjellje qesharake”.

 

Pirro Lutaj

“As ai (Visho Ajazi Lika) nuk është me certifikatë. Problemi është se kryetari i SHISH-it është paraqitur sot pa certifikatë sigurie. Certifikata ka kohë dhe afat. Certifikata kishte skaduar. Personi ka një veçori, nuk është qytetar i zakonshëm i shtetit, ka një post. Jemi në pritje.

 

 

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar: I ka skaduar certifikata

 Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka bërë të ditur se drejtorit të SHISH-it, Visho Ajazi Lika, i ka skaduar certifikata më 24 shkurt. Sipas kësaj drejtorie, që kreu i SHISH të pajiset me certifikatë sigurie duhet të marrë leje edhe nga shteti tjetër ku ai mban nënshtetësi, në këtë rast SHBA.

 

 

 

PD: Masakra e qeverisë ndaj administratës arrin rekorde të reja

Deputeti demokrat Halimi publikoi një ditë më parë shifrat e reja lidhur me numrin e të shkarkuarve nga puna në administratën publike. Në një deklaratë për mediat deputeti Halimi foli për rreth 2706 të shkarkuar që kanë denoncuar në sistemin online që ka ngritur pak muaj më parë Partia Demokratike. Sipas Halimit, vlerësohet se janë mbi 5 mijë nëpunës të larguar nga qeveria “Rama-Meta”.

“2706 punonjës të shtetit të larguar nga detyra në mënyrë të paligjshme, kanë bërë deri në këtë moment që flasim, denoncimin e tyre pranë zyrave të Partisë Demokratike. Në këto të dhëna, ende nuk janë reflektuar me qindra të larguar së fundmi si infermiere, punonjës të Albetrolit, punonjës të ATSH-së, të doganave etj, të cilët ende nuk kanë bërë ankesë në sistemin e ngritur nga Partia Demokratike. Më shumë se 700 të larguar kanë bërë padi civile në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku po asistohen falas nga Partia Demokratike dhe qindra të tjerë janë në proces gjyqësor në gjykatat administrative të rretheve”, – deklaroi Halimi.

Në deklaratën e tij deputeti i opozitës i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama që të ligjin për Nëpunësin Civil, të miratuar me konsensus me 30 maj 2013. Gjithashtu, Halimi bëri thirrje që të zbatohet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij, e ka kapur qeverinë në paligjshmëri në të gjitha vendimet dhe urdhrat e saj për largimet nga detyra, nga 1 tetori 2013.

Ai kërkoi që të kthehen në punë të gjithë të shkarkuarit në administratë. Duke folur për vizitën e sotme të komisionerit për Zgjerimin, Fyle, në Tiranë, Halimi i kërkoi atij që “të bëjë ç’është e mundur, për t’i kujtuar Kryeministrit që refuzon të dëgjojë çdo zë në këtë vend, rëndësinë që ka zbatimi i ligjit “Për statusin e nëpunësit civil”, si një reformë e administratës publike dhe si garanci për të drejtat dhe dinjitetin e çdo qytetari shqiptar”.

 

 

Share it :