Shtohen rastet/ Gripi i derrit, Shqipëria në alarm, 19 raste brenda disa ditëve

Mblidhet komiteti ad-hoc për përgjigjen ndaj gripit

 Mjekët: Mos përdorni antibiotikë ose medikamente për uljen e temperaturës

 

grip Deri dje në QSUT, ishin paraqitur vetëm dy raste të prekura me virusin AH1N1, por pas mbledhjes së të dhënave nga të gjitha poliklinikat dhe spitalet e vendit kanë rezultuar 19 të prekur nga gripi i derrit. Kjo situata ka detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të mbledhë menjëherë komitetin ad-hoc, i drejtuar nga ministri Ilir Beqaj, i përbërë nga specialistë të shëndetit publik dhe shërbimeve universitare. “Komiteti, bazuar në të dhënat e sistemit të survejancës epidemiologjike ALERT (Albanian Epidemiologic Report Tool) dhe virologjike SENTINEL në lidhje me situatën gripale në vend, arriti në përfundimin se në Shqipëri ekziston një gjendje me intensitet mesatar të qarkullimit të virusit të gripit, me prirje rritëse në 15 ditorin e fundit. Gjithashtu, komiteti mori në shqyrtim dhe analizoi paraqitjen në institucionet shëndetësore të rasteve të komplikuara të gripit”, – përmendi Ministria e Shëndetësisë.

 

Të dhënat

Sipas të dhënave të survejancës të sistemit ALERT, rezulton se numri i përgjithshëm i infeksioneve të sipërme dhe të poshtme respiratore, pavarësisht nga shkaku, është rreth 16.500 ose rreth 5% më shumë raste se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Numri i rasteve të identifikuara laboratorikisht me infeksion nga virusi pandemik AH1 është 19 në të gjithë vendin, ndërkohë që nga 337 mostra të dyshuara për grip, vetëm në 46 prej tyre është izoluar virus i gripit. Duke filluar nga muaji tetor 2013 e deri më sot janë raportuar 124 raste me sindromë të rëndë respiratore, prej të cilëve, vetëm 8 rezultojnë pozitivë për virusin e gripit. “Komiteti konstatoi se Shqipëria nuk bën përjashtim nga situata e përgjithshme në Evropë, në Itali dhe në Greqi, ku bashkëqarkullojnë virusi sezonal i gripit dhe virusi pandemik i gripit. Ndërkohë që në Greqi, raportohet një qarkullim i shtuar me intensitet të lartë gripi. komiteti udhëzoi gatishmëri të plotë të shërbimeve të laboratorëve dhe reanimacionit, si dhe marrjen masave për shpërndarjen në sasi të mjaftueshme të barit antiviral tamiflu nga Instituti i Shëndetit Publik në spitalet universitarë dhe rajonalë. Së fundi, komiteti udhëzoi informimin në vijimësi të publikut për masat parandaluese dhe mbrojtëse ndaj gripit sezonal, veçanërisht: të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët”, – ishin përfundimet pas mbledhjes së komitetit.

 

Mjekët

Edhe ditën e djeshme mjekët në kryeqytet kanë bërë thirrje për kujdes më të lartë ndaj këtij gripi. “Nga ndryshimi i kohës, po dalim nga një stinë e dimrit, në një stinë pranverore, ka një shtim të rasteve me grip. Rastet janë të tilla që shfaqen me temperaturë të lartë, me rrjedhje hundësh, me dhimbje fyti, mund të jenë edhe me angina të zmadhuara. Po kështu ka edhe komplikacione të gripit, që janë bronkiti, bronkopneumonia dhe sëmundje të tjera shoqëruese. Fëmijët e vegjël janë më të prekshëm dhe moshat e treta, pasi imuniteti është më i dobët”, – u shpreh mjeku patolog, Alfred Lulo. Gjithashtu, mjekët këshillojnë që të mos përdoren antibiotikët ose medikamente të tjera për uljen e temperaturës. “Ne shqiptarët te mjeku shkojmë në fund, por mirë është që të paraqiten tek mjeku në kohën e duhur, sepse mjeku mund të diferencojë nëse është një grip i thjeshtë, është një komplikacion, bronkopneumoni apo diçka tjetër dhe kështu ndihma do të jetë më e shpejtë, më efikase dhe më e mirë. Antibiotiku do të jepet vetëm në rastet, kur mjeku e gjykon të arsyeshme që duhet dhënë apo jo. Përdoret ibuprofeni te fëmijët e vegjël, tek të mëdhenjtë paracetamoli. Antibiotikët do të merren vetëm në rastet e komplikacioneve që do të jenë nga pasojat e gripit”, – përmendin mjekët.

 

 

Protesta

Drejtuesit e furgonëve bllokojnë akset nacionale

Përshkallëzohet protesta e taksive 8+1. Në disa qytete drejtuesit e furgonëve kanë bllokuar disa akse nacionale. Gjatë protestave të djeshme u bllokua një krah i autostradës Kukës – Tiranë, rruga nacionale në Qafë-Plloçë. Mësohet se në Qafë-Plloçë radha e furgonëve shkon në disa kilometra. Edhe në Vlorë u bllokua një krah i rrugës në hyrje të qytetit. Në protestën e Fushë Krujës janë mbledhur taksitë 8+1 nga Tirana, Laçi dhe Kruja. Dje u bllokua edhe aksi nacional Shkodër – Tiranë tek Ura e Bahçallëkut. Në Elbasan drejtuesit e furgonëve janë mbledhur në qendër të qytetit për të vijuar protestën e tyre. Protesta e Taksive është zhvilluar edhe në Burrel, Berat, Kuçovë, Fier dhe Durrës. Ndërkohë, nëse deri ditën e premte nuk ka një reagim nga Qeveria dhe Ministria e Transporteve, drejtuesit e furgonëve do të zhvillojnë një protestë të përgjithshme përpara Kryeministrisë.

Share it :