Shtohen rastet e dhunës në familje

Vetëm 5 për qind e grave të dhunuara bëjnë denoncimin

Amnesty International: Viti 2013, me 345 raste më shumë se 2012

 

dhuna_ndaj_gruasKanë kaluar vetëm dy muaj nga raporti i Amnesty International dhe rastet e dhunës në vendin tonë vazhdojnë të rriten me përmasa galopante. Në vitin 2013 rastet e dhunës familjare arrijnë në 345 më shumë krahasuar me vitin 2012 ku numri shkonte tek 2526 raste. Dhuna ndaj gruas është një problem kompleks dhe përfshin më shumë sesa një akt në vetvete në marrëdhëniet personale mes burrit dhe gruas. I konsideruar si një problem social me përmasa të gjera, ky fenomen i ka rrënjët në qëndrimet historike ndaj gruas dhe marrëdhënieve martesore. Dhuna ndaj gruas po bëhet gjithmonë dhe më shumë problem shqetësues në shoqëri, pasi shumë burra ndihen të kërcënuar nga koncepti i lirisë së grave. Studimi i dhunës në familje vështirësohet, po të kemi parasysh edhe një numër mitesh që nuk lejojnë depërtimin në thelbin e problemit. Pozicionimi i grave në pozita inferiore, i bënë ato të varura ekonomikisht nga bashkëshortët e tyre, duke qenë më të ekspozuara ndaj dhunës. Gjendja ekonomike, mentaliteti, tradita, si dhe ndërgjegjësimi jo i mjaftueshëm i njerëzve mbi dhunën në familje i çojnë gratë drejt viktimizimit nga bashkëshortët e tyre. Muajt korrik dhe gusht njihen ndryshe si muajt e vrasjeve, incidenteve më të mëdha. Këtë e tregojnë statistikat e regjistruara në komisariatet e policisë.

Frika

Rastet e dhunës në Shqipëri janë të shumta dhe ato hasen në shumë familje shqiptare. Çdokush nga ne ka një shoqe, një të afërme, një komshie që është prekur qoftë edhe një herë nga dhuna (duhet pasur këtu parasysh se koncepti dhunë nuk përfshin vetëm atë fizike). Personat që e vuajnë këtë problem të madh social, nuk kanë forcën e duhur për ta përballuar këtë situatë, ndaj refuzojnë të bëjnë denoncimet pranë qendrave përkatëse. Dhuna është një vepër penale që dënohet nga ligji, me masa arresti dhe dënime. Komisariatet e policisë, zyrat juridike, qendrat e kujdesit shëndetësor dhe ato të shërbimeve sociale prezantojnë herë pas here të dhëna mbi dhunën, që lidhen me ndërgjegjësimin e qytetarëve lidhur me këtë fenomen kaq negativ të shoqërisë sonë, por që ka edhe përmasa evropiane. Dhuna në familje është një problem që prek të gjitha shtresat dhe grupet e shoqërisë, pa dallim race, etnie, niveli ekonomik, zone gjeografike, besimi fetar, moshe, etj. Nga të dhënat në nivel botëror, të mbledhura në dhjetë vitet e fundit rezulton se dhuna ndaj grave është një pengesë në procesin e zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Nga frika se mos gjendja përkeqësohet gratë e dhunuar heshtin,jo për vete por për fëmijët e tyre. Mospërkrahja e familjes, opinioni publik, kërcënimet, frika për të përballur jetën vetëm i detyrojnë gratë e dhunuara të mos denoncojnë rastet e tyre.

Drejtësia

Por koncepti i dhunës në familje është një çështje që mbrohet edhe nga shteti. Në këtë drejtim organet e drejtësisë duhet që të implementojnë kodet dhe sanksionet përkatëse, për t’ju përshtatur në këtë rast edhe realitetit shqiptar. Çdo individ duhet të gëzojë të drejtën themelore për të jetuar i lirë dhe i paprekur nga dhuna. Për gratë e dhunuara familja duhet të tregojë kujdes të veçantë, në mënyrë që riintegrimi i saj të jetë sa më i shpejtë. Gratë që arrijnë t’i mbijetojnë dhunës së ushtruar nga bashkëshortët, në pjesën më të madhe të rasteve vuajnë nga probleme shëndetësore, psikologjike dhe fizike. Në këto kushte dhuna në familje nuk mund të injorohet si problem social, por edhe shëndetësor. Efektet fizike dhe psikologjike të dhunës përfshijnë çdo fushë të jetës. Ajo mund të çojë në izolim social, sjellje josociale, vështirësi ekonomike dhe transmetim të sjelljeve të dhunshme tek fëmijët.

Pasojat

Pasojat nga dhuna në familje janë të mëdha, ato lënë gjurmë si tek personi e familja, po ashtu edhe tek e gjithë shoqëria. Këto pasoja nuk eliminohen lehtë pavarësisht punës së qendrave të ndryshme rehabilituese tek ne. Personat më të prekur nga dhuna në familje janë grat ë dhe fëmijët, të cilësuar si më të pambrojturit dhe shtresa më vulnerabël. Dhuna që ushtrohet ndaj tyre ka pasoja në shëndetin fizik dhe mendor të tyre. Gratë në shumicën e rasteve janë viktimë e dhunës direkte, ndërsa fëmijët mund të jenë njëkohësisht viktima të dhunës direkte, por edhe të asaj indirekte. Dhuna e ushtruar jo në pak raste ka çuar deri në vrasje.

Gratë

Ushtrimi i dhunës ndaj gruas tek ajo shkakton pasoja që duan kohë që të kurohen. Gratë si pasojë e dhunës ndaj tyre, përjetojnë një bollëk të problemeve shëndetësore, duke përfshirë vendet e mavijosura nëpër trup, migrena/kokëdhembjet, hipertensioni, nervozë, frikë, lëndime trupore, sytë dhe fytërë të mavijosur; depresion; krah të thyer, probleme me veshkat; gjakderdhje të vazhdueshme; lëndime të kokës; paaftësi për t’u koncentruar apo punuar; pagjumësi; vetërespekt të ulët etj.

Fëmijët

Fëmijët të cilët kanë përjetuar abuzime, shpesh vuajnë nga: rënia e vetëbesimit, depresioni, çrregullimet e stresit dhe kontroll të dobët të impulseve. Ata janë në rrezik të lartë për përdorim të alkoolit dhe drogës e po ashtu edhe nga izolimi, frika dhe vetëvrasja. Si pasojë e dhunës në familje, disa fëmijë ndiejnë pasiguri, turp, mbyllje në vete, izolim, e tek të disa të tjerë krijohet urrejtje, agresivitet dhe mllef. Përveç këtyre pasojave që shfaqen në jetën emocionale të fëmijës, mund të shfaqen edhe pasoja në sjelljen e tyre.

 

Probleme me trashëgiminë kulturore, Gjirokastra 8 vjet në UNESKO

Gjirokastra megjithëse feston 8 vjetorin e saj në UNESKO, ajo vazhdon të ndeshet me një sërë problemesh që nga rijetëzimi, investimi në ruajtjen e trashegimisë kulturore. Ky përvjetor është shoqëruar me aktivitete të shumta të organizuar nga Bashkia e qytetit dhe organizatat për ruajtjen e vlerave të Gjirokastrës. UNESKO ka tërhequr vëmëndjen përmes raportit të monitorimit mbi gjëndjen kritike të Monumenteve në Gjirokastër që e rendit atë në listën e zezë të trashëgimisë botërore. Specialisti i Monumenteve Vladimir Qirjaqi thotë se ky përvjetor vazhdon ta gjejë Gjirokastrën ende larg paramentrave të kërkuara për një qytet në UNESKO. Në Gjirokastër numri i ndërtimeve të paligjshme në zonën muzeale shkon në rreth 300 të tilla, ndërsa rreziku natyral i shëmbjes është për rreth 200 banesa. Por pavarësisht të gjitha problemeve, 15 korriku i këtij viti do të shndërrohet në një festë të vërtetë për qytetin e gurtë.

 

Share it :