Shtetet shkatërrohen nga djelmoshat!

arti4520. Te spartanët, ata që mbajnë ofiqin më të rëndësishëm, janë quajtur “pleq”, siç janë dhe në të vërtetë. Dhe nëse doni të lexoni apo të dëgjoni historinë e popujve të huaj, do të vini re se shtetet më të fuqishme janë shkatërruar nga djelmoshat, ndërsa janë ngritur në këmbë nga të moshuarit.

 

Si keni mundur ta shkatërroni kaq shpejt

shtetin tuaj, që ishte shumë i fuqishëm?

 

Kështu pyesin te komedia e poetit Nevi, “Loja”. Aty, jepen përgjigje të ndryshme, dhe pikë së pari:

 

Kanë dalë shumë gojëtare të rinj, djem pa

mend në kokë.

 

Siç duket, kuturisja i përket moshës së lulëzuar, ndërsa urtësia, moshës së pleqërisë.

 

VII.

21. Por, thuhet se pakësohet kujtesa! E besoj këtë, nëse nuk e ushtron apo nëse je i vonuar nga natyra! Themistokliu mbante mend emrat e të gjithë bashkëqytetarëve të tij; pra, a mund të mendoni se ai, kur u shty ndër vite, ndoshta përshëndeste Lisimakun ndërsa bëhej fjalë për Aristidhin? Unë, nga ana ime, jo vetëm që i njoh me emër ata që janë gjallë, por edhe etërit e tyre dhe stërgjyshërit, dhe duke lexuar epitafet nuk kam frikë, siç thuhet, se mos humbas kujtesën; përkundrazi pikërisht duke lexuar këto mbishkrime varrezash, kthehem te kujtimi i të vdekurve. Në të vërtetë, nuk kam dëgjuar të thuhet se ndonjë plak ka harruar vendin ku ka varrosur një thesar. Gjithçka që është në zemrën e tyre, ata e kujtojnë, dhe mirë madje: daljet nëpër gjyqe, huamarrësit, huadhënësit.

 

22. Ç’të thuash për juristët, për priftërinjtë, për augurët dhe për filozofët?

Sa gjëra mbajnë mend ata në pleqëri? Pleqtë e ruajnë të paprekur inteligjencën, me kusht që të mbetet e fortë kërshëria dhe veprimtaria, dhe kjo jo vetëm te njerëzit e shquar e të famshëm, por edhe te kush ka patur një jetë të qetë e të mënjanuar. Sofokliu shkroi tragjedi deri në moshë të thyer: ndaj, meqë dukej si shpërfillte kërkesat e familjes për shkak të detyrimeve letrare, të bijtë e hodhën në gjyq; sipas zakonit tonë, etërit që administrojnë keq pasuritë e tyre, zakonisht përjashtohet nga ato, ashtu edhe ai, sikur të ishte ndonjë i paaftë, duhej të përjashtohet nga gjykatësit prej drejtimit të familjes. Kështu, tregohet se poeti i vjetër u recitoi gjykatësve tragjedinë që po punonte dhe që e kishte përfunduar prej pak kohe, Edipi në Kolonë, dhe i pyeti nëse ajo vepër ishte shkruar nga ndonjë torollak. Pasi recitoi pjesën, poeti u çlirua nga akuzat.

 

23. Ndoshta atë, ndoshta Homerin, ndoshta Hesiodin, Simonidin dhe Stesikorin, ndoshta Izokratin dhe Gorxhian, që i përmenda pak më parë, ndoshta parimet e filozofëve, Pitagorën, Demokritin dhe Platonin e Ksenokratin e pastaj Zenonin dhe Kleanthin apo ai qe keni pare në Romë, Diogjen Stoikun, i detyroi pleqëria të përhumbnin në studimet e tyre? Apo në të kundërt, tek ata, ishte e barabartë veprimtaria dhe studimi?

 

24. Dhe pastaj, për të lënë mënjanë këto prirje hyjnore, mund të numëroj fshatarët romakë të fushës sabine, fqinjët dhe miqtë e mi, pa të cilët, nëpër fusha nuk do të bëhej asnjë punë e rëndësishme; nuk do të mbillej, nuk do të korrej, nuk do të mblidheshin frytet e tokës. Edhe pse për ata kjo është më pak e habitshme: asnjë nuk është aq plak sa të mos besojë se mund të jetojë edhe një vit tjetër; por ata i kushtohen edhe punëve të tjera, që e dinë mirë se nuk u përkasin

 

Ai mbjell pemë, që do të jenë të dobishme

për një brez tjetër.

 

siç thotë Stacio te vepra Sinefebi. Ndërsa qytetari, sado plak, nuk ngurron t’i përgjigjet atij që e pyet se për kë po mbjell: “Për hyjtë e pavdekshëm, që nuk kanë dashur vetëm që unë të marr gjithçka nga paraardhësit e mi, por edhe që t’ua përcjell pasardhësve”.

 

VII

 

Thotë mirë Çeçili (Stacio) kur flet për plakun që shqetësohet për brezin e ardhshëm:

 

Për Poluksin, pleqëri, nëse asnjë andrallë tjetër

Nuk do të mbartje me vete kur të vijë, vetëm

Kjo do të mjaftonte:

Kush jeton gjatë, sheh shumë gjëra që nuk ia

ka ënda.

 

Por ndoshta sheh dhe shumë gjëra që dëshiron! Veç të tjerash, edhe rinia has shpesh disa gjëra që nuk i dëshiron. Çeçili e thotë diku tjetër, edhe më fort:

 

Sigurisht, në pleqëri, gjëja më mjerane është:

Të kesh përshtypjen se në atë moshë je bërë i

Urryer për të tjerët.

 

26. I mirëpritur, më mirë sesa i urryer! Ashtu sikurse pleqtë e ditur që kënaqen me të rinjtë e pajisur me mendje të mbarë, dhe pleqëria e tyre bëhet më e lehtë kur përfillen dhe mirëpriten nga të rinjtë, ashtu edhe të rinjtë shijojnë mësimet e pleqve, që i drejtojnë te praktika e virtytit . Dhe unë e kuptoj se nuk jam më pak i dëshiruar për ju, se sa ju jeni për mua.

Shikoni se si pleqëria, jo vetëm që nuk është e mekur dhe e plogët, por është edhe punëdashëse dhe gjithnjë në veprim, në lëvizje, ashtu sikurse ka qenë përkushtimi i secilit në moshën e shkuar.

Çfarë mund të themi për të moshuarit që janë në gjendje të mësojnë gjëra të reja? Kështu, shohim Solonin që krenohej për vargjet e tij dhe thoshte çdo ditë, ndërsa plakej, mësonte diçka të re; të njëjtën gjë kam bërë edhe unë, që e kam njohur letërsinë greke në moshë të thyer; dhe jam zhytur tek ajo me kaq lakmi, sikur të synoja të shuaja një etje të gjatë, ndaj sot e zotëroj kaq mirë, siç e shihni tek e përdor në citimet e mia. Pasi dëgjova atë çka bëri Sokrati me qeste, do të kisha dashur ta bëja dhe unë, sepse të lashtët e studionin qesten, por pastaj iu kushtova tërësisht letërsisë.

Marrë nga “Arti i pleqërisë”

 

Share it :