Sonja Caka
Ministria e Drejtësisë përcakton rregullat e marrëveshjes ndërmjet palëve për pranimin e fajësisë dhe për dëshminë e të pandehurit
Ministria e Drejtësisë ka bërë dje publike disa shtesa, ndryshime apo risi në Kodin e Procedurës Penale, i cili pritet që së shpejti të kalojë për diskutim në Komisionin e Ligjeve. Një nga risitë e këtyre ndryshimeve është përfshirja në të e një kreu të veçantë për “Marrëveshjet mes prokurorit dhe të pandehurit”, i cili parashikon rregulla për marrëveshjen e arritur ndërmjet palëve për pranimin e fajësisë dhe për dëshminë e të pandehurit. Kështu, përveç zgjidhjes gjyqësore të çështjes, u jepet mundësia palëve të zgjidhin çështjen me marrëveshje në çdo fazë të procedimit penal. Kjo është një risi pasi është një zgjidhje alternative, e cila ndihmon në zvogëlimin e çështjeve penale që çohen për gjykim, shpenzimet e hetimit dhe shkurtim afatesh për shqyrtimin e çështjeve.
Marrëveshja për pranimin e fajësisë
Në nenin 332/1 parashikohen detaje për arritjen e marrëveshjes mes prokurorit dhe të pandehurit. Marrëveshja për pranimin e fajësisë mund të arrihet mes prokurorit dhe të pandehurit që nga momenti i regjistrimit të procedimit deri në momentin kur të pandehurit i kërkohet të deklarohet për akuzën në gjykim. Në momentin e arritjes së marrëveshjes, i pandehuri duhet të ketë mbrojtës. Marrëveshja e bërë më shkrim paraqitet nga prokurori dhe shqyrtohet nga gjyqtari i caktuar sipas nenit 278, nëse bëhet gjatë hetimit paraprak, ose nga kryetari i trupit gjykues, nëse bëhet gjatë gjykimit. Nëse marrëveshja arrihet para se të dërgohet çështja në gjyq, prokurori do t’i bashkëngjisë asaj edhe kërkesën për gjykim, e cila përbën një pjesë thelbësore të marrëveshjes. Në bazë të nenit 332/2, marrëveshja përmban a) përshkrimin e veprës penale që përbën objekt akuze; b) pohimin e të pandehurit që ai ka kryer veprën penale, së cilës i referohet pika a) e këtij neni; c) marrëveshjen në lidhje me llojin dhe minimumin e maksimumin e dënimeve penale kryesore dhe plotësuese; ç) marrëveshjen për shpenzimet procedurale, konfiskimin e pasurive për pagimin e gjobës dhe dëmit civil, nëse është paraqitur padi civile dhe, nëse është rasti, marrëveshjen për konfiskimin e produkteve të veprës penale; d) deklarimin e palëve për heqjen dorë nga e drejta e ankimit kundër vendimit të gjykatës, me të cilin pranohet marrëveshja, përveç rastit kur çështja penale duhet të pushohet; dh) nënshkrimet e palëve dhe avokatit mbrojtës. Në nenin 332/3 parashikohet vendimi për marrëveshjen e pranimit të fajësisë, i cili merret nga gjyqtari i caktuar sipas nenit 278, nëse bëhet gjatë hetimit paraprak, ose nga kryetari i trupit gjykues, nëse bëhet gjatë gjykimit. Vendimi merret në seancë publike, në të cilën thirren prokurori, i pandehuri dhe mbrojtësi i tij. Marrëveshja nuk pranohet nga gjyqtari vetëm nëse nuk është marrë në formën e përcaktuar nga nenet e këtij Kodi, si dhe kur i pandehuri i njoftuar rregullisht nuk paraqitet në seancë dhe nuk arrin të justifikojë mungesën.
Kur pranohet ose rrëzohet marrëveshja nga Gjykata
Gjykata pranon marrëveshjen dhe deklaron të pandehurin fajtor me vendim te arsyetuar, nëse çmon se a) i pandehuri ka pohuar kryerjen e veprës ose veprave penale që janë objekt akuze me dijeni dhe vullnet të plotë; b) i pandehuri është i ndërgjegjshëm për të gjitha pasojat e marrëveshjes së arritur, veçanërisht heqjen dorë nga e drejta për gjykim dhe kufizimin e të drejtës për të bërë ankim kundër vendimit të dhënë mbi bazën e marrëveshjes; c) provat e tjera që janë mbledhur nuk vijnë në kundërshtim me pohimin e të pandehurit se ai e ka kryer veprën penale; ç) dënimi kryesor dhe plotësues, për të cilët është rënë dakord nga prokurori dhe i pandehuri janë në përputhje me ligjin penal. Ndërkohë që Gjykata rrëzon marrëveshjen me vendim të arsyetuar, nëse çmon se a) ekziston një shkak për pushimin e procedimit; b) nuk janë plotësuar një ose më shumë nga kriteret e përcaktuara në nenin 332/5. Kur vendimi i dhënë sipas paragrafit të parë të këtij neni merr formë të prerë, marrëveshja dhe çdo fashikull i krijuar në lidhje me të shkatërrohen në prani të gjyqtarit që ka marrë vendimin, veprimet shënohen në procesverbal dhe procedimi kthehet në fazën, në të cilën ndodhej para se të arrihej marrëveshja. Gjyqtari që ka rrëzuar marrëveshjen nuk mund të marrë më pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje.
Marrëveshja për dëshminë e të pandehurit
Marrëveshja për dëshminë për veprat e krimit të organizuar mund të arrihet mes prokurorit dhe të pandehurit që nga momenti i regjistrimit të veprës penale deri në momentin që i pandehuri deklarohet për akuzën në gjykim. Marrëveshja mund të arrihet me të pandehurin që ka pohuar në mënyrë të plotë se ka kryer një vepër penale, me kusht që rëndësia e dëshmisë së tij në zbulimin, provueshmërinë dhe parandalimin e veprave penale të listuara në paragrafin e parë të këtij neni tejkalon pasojat e veprës penale që ai ka kryer si bashkëpunëtor. Marrëveshja për dëshminë nuk mund t’i propozohet të pandehurit që dyshohet se ka qenë në rolin e organizatorit të një grupi të organizuar kriminal. Në momentin e arritjes së marrëveshjes, i pandehuri duhet të ketë mbrojtës. Marrëveshja për dëshminë bëhet me shkrim dhe i paraqitet gjykatës para se të mbyllet shqyrtimi gjyqësor. Kjo marrëveshje përmban a) përshkrimin e veprës penale që përbën objekt akuze; b) deklarimin e të pandehurit se ai pohon në mënyrë të plotë kryerjen e veprës penale, se do të dëshmojë për gjithçka që di në lidhje me veprën penale dhe se nuk do të heqë asgjë nga dëshmia; c) marrëveshjen në lidhje me llojin dhe minimumin e maksimumin e dënimeve penale kryesore dhe plotësuese; ç) marrëveshjen për shpenzimet procedurale, konfiskimin e pasurive për pagimin e gjobës dhe dëmit civil, nëse është paraqitur padi civile dhe, nëse është rasti, marrëveshjen për konfiskimin e produkteve të veprës penale; d) deklarimin e palëve për heqjen dorë nga e drejta e ankimit kundër vendimit të gjykatës, me të cilin pranohet marrëveshja, përveç rastit kur çështja penale duhet të pushohet; dh) nënshkrimet e palëve dhe avokatit mbrojtës. Vendimi mbi marrëveshjen e pranimit të fajësisë merret nga gjyqtari i caktuar sipas nenit 278, nëse bëhet gjatë hetimit paraprak, ose nga kryetari i trupit gjykues, nëse bëhet gjatë gjykimit. Vendimi merret në sallë, në praninë e prokurorit, të pandehurit dhe mbrojtësit të tij. Gjykata e pranon marrëveshjen me vendim të arsyetuar, nëse çmon se a) i pandehuri, me dijeni dhe vullnet, pranoi të dëshmonte në kushtet e përcaktuara nga neni 332/8. b) i pandehuri është krejtësisht i ndërgjegjshëm për pasojat e marrëveshjes së arritur dhe, veçanërisht, për heqjen dorë nga e drejta për t’u ankuar kundër vendimit të dhënë nga gjykata mbi bazën e marrëveshjes; c) dënimi penal kryesor ose plotësuar është në përputhje me ligjin penal.
Pyetja e të pandehurit bashkëpunëtor
I pandehuri bashkëpunëtor është i detyruar të tregojë të vërtetën dhe të mos heqë asgjë nga ato që di për objektin e gjykimit. Gjykata mund të vendosë që seanca e pyetjes së të pandehurit bashkëpunëtor të bëhet me dyer të mbyllura. Gjykata e shkallës së parë dhe gjykatat më të larta janë të detyruara të zbatojnë marrëveshjen në marrjen e vendimit për dënimin penal, shpenzimet procedurale, konfiskimin e pasurive për pagimin e gjobës dhe dëmit civil dhe konfiskimin e produkteve të veprës penale. Gjykata anulon marrëveshjen me vendim të arsyetuar, nëse i pandehuri bashkëpunëtor nuk ka plotësuar detyrimet e marrëveshjes”.




