Shqipëria nuk është më në krizë, por në rrëshqitje të lirë
Nga Franci Nuri
Çmimet janë jashtë çdo logjike ekonomike, ndërsa të ardhurat mbeten ndër më të ulëtat në Europë. Familjet shqiptare po përballen me recesion dhe mbijetesë. Dhe simboli më i qartë i kësaj katastrofe është çmimi i karburanteve.
Sot, çmimi i naftës diesel në Shqipëri arriti në gati 2.3 euro për litër, më shtrenjtë se në Itali, Greqi, Francë apo Gjermani. Në vende ku qytetarët fitojnë disa herë më shumë sesa Shqiptarët.
Taksat, tatimet dhe tarifat e larta e të papërballueshme mbi karburantin, e bëjnë Shqipërinë një nga vendet më të shtrenjta në Europë dhe Botë për karburantin. Ndërkohë që vendet e tjera kanë ndërhyrë për të lehtësuar qytetarët, këtu koston e mbajnë vetëm konsumatorët.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, i ashtuquajturi “bord i monitorimit të karburanteve”, i ngritur nga Edi Rama, po funksionon si një mekanizëm që nuk zgjidh problemin, por po trondit tregun. Brenda 24-orëve, sot 28 Mars, çmimi me pakicë i naftës diesel për qytetarët u rrit me 15 lekë për litër. Një vendim i menjëhershëm, pa transparencë, pa analizë publike të kostove mbi çmimet dhe jetesën.
Çfarë do të thotë kjo? Një zinxhir i pashmangshëm rritjesh. Rriten kostot e transportit. Rriten çmimet e ushqimeve. Shtrenjtohen çmimet e shërbimeve. Pra shtrenjtohet gjithçka. Nga ana tjetër Leku forcohet përditë ndërsa valutat e huaja si Dollari dhe Euro etj., vetëm dobësohen duke rrënuar eksportuesit apo kursimet e Shqiptarëve, Dhe në fund, faturën e paguan qytetari, konsumatori.
Por problemi është më i thellë se kaq. Shqipëria nuk ka më një ekonomi funksionale prej vitesh. Vendi nuk prodhon. Nuk eksporton. Nuk krijon vlerë reale. Ekonomia mbahet në këmbë sot nga betoni, ndërtimi pa kriter, pastrimi i parave dhe nga para që nuk vijnë nga prodhimi dhe ekonomia reale. Kullat shtohen, vilat dhe resortet rriten kudo, ashtu si inflacioni, por mirëqenia bie, shtresa e mesme goditet.
Në sfond, përfliten gjithnjë e më shumë sektorë informalë dhe ilegalë që ushqejnë këtë model të sëmurë ekonomik: droga, bastet e paligjshme, prostitucioni, mashtrimet me call centera etj…
Shqipëria është kthyer në një vend që jeton nga importi. Ushqimet, ilaçet, produktet bujqësore dhe industriale, gjithçka vjen nga jashtë.
Pasojat janë të dukshme: varfëri në rritje, shtresa e mesme e rrënuar, pensione të pamjaftueshme dhe një valë emigrimi që nuk ndalet prej të paktën vitit 2016! Të rinjtë po largohen çdo ditë. Shqipëria po zbrazet dhe po plaket.
Dhe përballë kësaj situate, Kryeministri Edi Rama vazhdon të flasë për suksese imagjinare: integrim në BE për 2-3 vite, satelitë, Ministra virtualë, fanar ndriçues për Europën dhe Botën! Por qytetarët nuk ushqehen me propagandë dhe përrallat e Kryeministrit nuk paguajnë faturat në fund të muajit! Ata jetojnë me çmime, me kosto, me tarifa të larta. Dhe çmimet sot në Shqipëri janë të papërballueshme.
Ky është realiteti: një ekonomi që nuk prodhon, një treg i deformuar, një qeveri që nuk mbron qytetarin.
Dhe kur një vend arrin në këtë pikë, reagimi publik duhet të jetë i pashmangshëm.
Prandaj, protesta e Partisë Demokratike më 17 Prill nuk është thjesht një thirrje politike. Është një domosdoshmëri qytetare.
Sepse Shqipëria nuk mban më.
Sepse qytetarët nuk durojnë më.
Sepse Edi Rama nuk ka më çfarë t’i japë këtij vendi.




