Gëzim Saliu
Moro: Jeni në listën e vendeve të sigurta, mundësitë për të marrë azil politik janë të pakta në Francë
Hoffman: Azilkërkuesit kërkojnë azil për arsye ekonomike, nga 100 kërkesa vetëm 1 miratohet
Kërkesat e shumta për azil janë kthyer në shqetësim për Gjermaninë dhe Francën. Kryediplomatët e dy ndër vendeve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, të cilët edhe votuan për shtyrjen e vendimit të statusit kandidat për Shqipërinë në qershor, ambasadorët Helmut Hoffman dhe Christine Moro, bënë thirrje dje lidhur me këtë çështje, duke theksuar se shqiptarët nuk duhet të kërkojnë azil në këto vende, pasi nuk do të mund ta përfitojnë për shkak të rregullave të rrepta. “Në fund të vitit të kaluar, Shqipëria është vendosur në listën e vendeve të sigurta, kështu që një shqiptar që kërkon azil në Francë, ka shumë pak mundësi ta përfitojë atë. Ka një rritje të numrit të azilkërkuesve, nuk e kuptojmë pse. Askush të mos tentojë të kërkojë azil në Francë, s’do ta përfitoni, pasi rregullat për azil janë shumë të rrepta. Nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut në Shqipëri, azilkërkuesit kërkojnë azil për arsye ekonomike. Kush kërkon azil politik, nuk e merr!”, – tha ambasadorja e Francës.
Gjermania
Në të njëjtën linjë me homologen e tij franceze, ambasadori gjerman Helmut Hoffman në një takim me zëvendësministren e Brendshme Elona Gjebrea theksoi se kërkesat për azil nga shtetas shqiptarë janë të shumta, duke pohuar se vetëm pak nga këto kërkesa pranohen, pasi, sipas tij, shumica e azilkërkuesve janë emigrantë ekonomikë dhe jo të përndjekur politik. “Rritja e ndjeshme e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani ka krijuar shqetësim të madh. Ne jemi shumë krenarë në traditën tonë në procesin e miratimit të azilit. Kjo na kthen në përvojën tonë me regjimin totalitar. Të gjithë atyre azilkërkuesve që janë të përndjekur nga politika, ia miratojmë kërkesën. Është mjaft e qartë që shumica e këtyre janë emigrantë ekonomikë. Kjo është e qartë që sa më shumë emigrantë vijnë për arsye ekonomike, aq më i vështirë bëhet miratimi i kërkesës. Bëhet edhe më i vështirë miratimi për ata që janë të përndjekur politikë. Në qoftë se do të shikojmë numrin e azilkërkuesve në Gjermani ,do të shohim se vetëm një numër i vogël arrijnë të marrin azil në Gjermani. Po të shikojmë statistikat nga 100 azilkërkues, i miratohet kërkesa vetëm 1 personi”, – u shpreh ambasadori gjerman. Më tej, Hoffman theksoi se dukuria e gjakmarrjes luan një rol të madh në procesin e azilkërkimit. “Ne kemi një lutje për autoritetet shqiptare, që të ndëshkojnë ata që kërcënojnë me gjakmarrje dhe ata që janë viktima të kësaj dukurie t’i marrin në mbrojtje. Në qoftë se nga të dyja frontet bëhet progres, atëherë mund të marrim situatën e azilkërkimit në dorë. Duhet të them edhe që liberalizimi i vizave është një arritje shumë e madhe dhe kjo nuk duhet të cenohet nga zhvillime të tilla”, – nënvizoi kryediplomati gjerman në vend. Ndërkohë, në emër të qeverisë, zëvendësministrja Gjebrea u shpreh se Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera përgjegjëse do të koordinohen dhe intensifikojnë punën për të mbajtur nën kontroll liberalizimin e vizave. “Qytetarët shqiptarë të respektojnë rregullat “Shengen”. Do ngrihet task-forcë nga disa institucione”, – tha ajo. Rritja e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria përbën një problem jo vetëm në kuadër të liberalizimit të vizave, por edhe për marrjen e statusit kandidat. Që prej liberalizimit të vizave në 2010, Shqipëria nuk ka hasur problematika lidhur me rritjen e numirt të azilkëruesve për në shtetet e BE-së. Por muajt e fundit, disa nga vendet anëtare kanë shprehur shqetësime edhe për vendin tonë, gjë që ndikon drejtpërsëdrejti edhe në perspektivën evropiane të Shqipërisë.
Mekanizmi për pezullimin e vizave
Më 9 janar hyri në fuqi mekanizmi pezullues, sipas rregullores së ndryshuar të vizave që miratoi në dhjetorin e vitit 2013 Këshilli i BE-së. Vendimi siguron që një shtet anëtar t’i kërkojë Komisionit Evropian pezullimin e lëvizjes së lirë për një vend përfitues të regjimit pa viza, nëse përballet me një situatë emergjente, kur përgjatë 6 muajve vërehet: Rritje e menjëhershme dhe domethënëse e numrit të emigrantëve të paligjshëm; të kërkesave të pabazuara për azil; apo të refuzimit të kërkesave për riatdhesim, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pezullimi i regjimit pa viza nuk bëhet në mënyrë të menjëhershme me ankesën e një shteti anëtar. Pas vlerësimit, Komisioni dhe Këshilli, me pëlqimin e Parlamentit, mund të marrin vendim për pezullim 6-mujor të lëvizjes së lirë ndaj vendit problematik. Në mes të vitit 2015 hyn në fuqi dhe Sistemi Evropian i Azilit, që përcakton procedura dhe afate kohore të përbashkëta, si dhe një minimum të drejtash për azilkërkuesit sapo të kenë mbërritur në vendet e BE-së.
Integrimi
Moro: Statusi duhet merituar
Ambasadorja e Francës në vend, Christine Moro, deklaron se statusi i vendit kandidat në BE duhet fituar duke ecur përpara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në një takim me studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Moro theksoi se zgjedhjet ishin testi i pjekurisë së vendit, që u kalua me sukses nga pala shqiptare. “Për këtë ia vlen të përgëzoheni. Në të njëjtën kohë për marrjen e statusit vendi duhet të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe për këtë kërkohet një angazhim jo vetëm nga ana e autoriteteve shtetërore, por edhe e popullsisë. Statusi duhet merituar dhe për këtë ka rëndësi edhe roli juaj në këtë proces, sepse ju jeni pjesa më e arsimuar e shoqërisë civile dhe duhet të shpreheni rreth çështjeve të integrimit, si dhe të inkurajoni të gjithë aktorët e këtij procesi”, – tha ambasadorja. Sipas Morosë, çështja e integrimit varet nga politikat e Shqipërisë. “Vlerësimi do të varet nga kritere objektive. Ka pasur mjaft vonesa vitet e shkuara, të cilat lidhen me çështje të brendshme politike. Për ne është e rëndësishme të ketë bashkëpunim të klasës politike shqiptare”.
Eurodeputeti
Roucek: Mos “ndihmoni” skeptikët të fitojnë, shmangni mosmarrëveshjet
Eurodeputeti Libor Roucek kërkon nga klasa politike shqiptare që të bashkëpunojnë mes tyre për të bërë të mundur marrjen e statusit kandidat në qershor të këtij viti. Duke theksuar se jo çdo shtet anëtar i BE-së është entuziast për statusin e kandidatit për Shqipërinë, deputeti i PE-së deklaroi se do të ishte për të ardhur keq, nëse statusi dështon për shkak të mosmarrëveshjeve brenda klasës politike shqiptare. “Mesazhi im që është njëkohësisht mesazhi ynë, është që kërkohet bashkëpunim nga të gjitha partitë politike në Shqipëri për integrimin evropian, pavarësisht nga forca politike që është në pushtet. Unë mendoj, se është mirë që opozita ta mbështesë qeverinë, edhe pse ka probleme. E dimë që qeveria dhe opozita kanë përplasje për shumë çështje. Këto përplasje janë normale. Por kur vjen puna te integrimi evropian, duhet të arrihet konsensusi”, – tha ai në intervistën për “ABC News”. Ndërkohë sa i përket mundësive që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, eurodeputeti theksoi: “Unë mendoj se kemi arritur afër një konsensusi për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë. Do të ishte për të ardhur keq nëse kjo dështon për shkak të mosmarrëveshjeve në gjirin e klasës politike shqiptare. Kini parasysh, se jo çdo shtet anëtar është entuziast për statusin e kandidat të Shqipërisë. Kështu që politikanët shqiptarë duhet ta kuptojnë këtë. Mos ndihmoni skeptikët që të fitojnë sërish”.




