Shpërthimet me eksplozivë/ Policia e Shtetit operacione blic në katër qarqe të vendit

Sonja Caka

 

Policitë e qarqeve, FNSH dhe RENEA në aksion, shoqërohen 49 persona, zbulohet një bazë e përpunimit të drogës në Fier, në pranga shqiptarë e kosovarë

 

droga fierNjë superoperacion është zhvilluar gjatë gjithë ditës së djeshme në katër qarqe të vendit, duke bërë të mundur shoqërimin e rreth 49 personave dhe sekuestrimin e një arsenali armësh, 1.5 kg drogë e llojit heroinë dhe një shumë të konsiderueshme euro-sh. Në këtë operacion janë përfshirë rreth 640 forca policie, të cilat janë mbështetur edhe nga FNSH dhe forcat speciale RENEA. Gjatë kontrolleve të ushtruara, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier, policia ka zbuluar një bazë përpunimi droge, duke ndaluar shtetas shqiptarë dhe kosovarë. Operacioni do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërkohë që pritet të shtrihet edhe në qarqe të tjera. Ky plan masash u pa i nevojshëm nga policia pas ngjarjeve të fundit në vend, ku janë evidentuar vrasje, shpërthime me tritol, kapje personash në kërkim apo dhe arrestimin e disa personave të përfshirë në tregun e lëndëve narkotike.

 

Operacioni

Policia e Shtetit, që prej mëngjesit të ditës së djeshme, ka vënë në zbatim një plan masash me objekt kontrollin e ambienteve dhe personave të evidentuar për krime të rënda, armëmbajtje pa leje dhe të dyshuar për vepra penale lidhur me eksplozivët. Në këtë operacion janë përfshirë rreth 640 forca policore të Drejtorive të Policisë në Qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier, të mbështetura nga forcat Speciale RENEA, si dhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, Tiranë dhe Fier. Strukturat e policisë të përfshira në këtë operacion kanë ushtruar kontrolle të befasishme bazuar në informacionet e grumbulluara për persona të përfshirë në veprimtari të paligjshme. Po ashtu kontrolle po ushtrohen dhe në akset rrugore me pika kontrolli të lëvizshme, si dhe në ambiente të personave të dyshuar.

 

Sekuestrimi

Në kuadër të këtij operacioni, deri dje, nga strukturat e Policisë së Shtetit është ushtruar kontroll në 164 ambiente të ndryshme, si dhe janë shoqëruar në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme 49 persona. Gjatë kontrolleve të ushtruara dhe masave të marra nga strukturat e policisë është bërë i mundur sekuestrimi i sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike dhe të armëve të ndryshme, përkatësisht janë sekuestruar një sasi prej rreth 1.5 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë; është sekuestruar sasia prej rreth 700.000 euro; janë sekuestruar 4 armë zjarri tip kallashnikov; 2 armë zjarri pushkë; 1 armë zjarri snajper; 4 armë zjarri pistoleta; një pajisje për prodhimin e eksplozivëve; 2 granata dhe një sasi lëndë narkotike marijuanë, së bashku me një presë për presimin e lëndës narkotike marijuanë.

 

Kontrollet

Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, strukturat e policisë po vijojnë shërbimet sipas planifikimit, duke bërë kontrolle të njëkohshme dhe të befasishme në zona të ndryshme. Këto kontrolle do të vazhdojnë me intensitet dhe gjatë ditëve në vijim, me synim parandalimin e ngjarjeve dhe kapjen e vënien para drejtësisë të autorëve të veprave penale, personave të kërkuar, si dhe të personave që mbajnë armë apo eksplozivë.

 

Operacioni, zbulohet laboratori i drogës në Fier

Policia e Shtetit ka mundur të asgjësojë një bazë të përpunimit të drogës në qytetin e Fierit dhe ka sekuestruar 1.5 kg heroinë.  Gjithashtu, u arrestuan pesë persona mes tyre shqiptarë dhe shtetas kosovarë, ku nga të arrestuarit dy prej tyre rezultojnë drejtues të këtij rrjeti trafiku. Burime policore bëjnë me dije se sasia e heroinës së kapur ishte trafikuar më parë në Kosovë dhe është rikthyer sërish në Fier pasi ka patur pretendime për cilësinë e përzierjes së saj. Po të njëjta burime thanë se sasia e heroinës e sekuestruar ishte destinuar për tregun e brendshëm të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa po vazhdojnë hetimet për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në këtë trafik. Të njëjtat burime policore bëjnë me dije se katër persona u vendosën në pranga nga policia e Durrësit ndërkohe qe antidroga e Fierit sekuestronte 1.5 kg heroinë dhe zbuloi bazën ku bëhej përzierja e saj. Operacioni antidrogë nisi njëherësh në Durrës dhe në Fier, pas informacioneve për kalimin e një ngarkese droge nga Kosova në Shqipëri.

 

U sekuestruan

1.5 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë;

U sekuestrua sasia prej rreth 700.000 euro;

4 armë zjarri tip kallashnikov;

2 armë zjarri pushkë;

1 armë zjarri snajper;

4 armë zjarri pistoleta;

një pajisje për prodhimin e eksplozivëve;

2 granata;

një sasi lëndë narkotike marijuanë;

një presë për presimin e lëndës narkotike marijuanë

 

 

Itali

Arrestimi i Foto Dashit, ministri italian Alfano përgëzon policinë shqiptare

Operacioni i zhvilluar nga Policia e Shtetit nё bashkёpunim me Policinё Italiane pёr kapjen e tё shumёkërkuarit Foto Dashi, i cili ishte nё listёn e 100 tё kёrkuarve mё tё rrezikshёm nё Itali, ёshtё pёrshёndetur nga Ministri i Brendshёm Italian Angelo Alfano. Sipas agjencive italiane tё shtypit, Ministri i Brendshёm Angelino Alfano ka pёrgёzuar Drejtuesin e Policisё dhe Task Forcёn Italo-Shqiptare pёr operacionin e shkёlqyer qё çoi nё arrestimin nё Shqipёri tё Foto Dashi, i vendosur nё listёn e 100 tё kёrkuarve me rrezikshmёri  maksimale. Ky operacion, theksohet nё deklaratё, shёnon njё fazё tё rёndёsishme tё njё bashkёpunimi tё gjerё mes dy policive. 48 vjeçari duhet tё vuajё mbi 15 vite burgim pёr veprat penale tё reduktimit nё skllavёri dhe shfrytёzimit tё prostitucionit. Ai ishte nё kёrkim nga viti 1998. Aktualisht vijojnё proceduarat e ekstradimit tё tij drejt Italisё. Ky operacion ёshtё realizuar nё vijim tё krijimit tё task forcёs sё pёrbashkёt ndёrmjet policisё Shqiptare dhe Policisё Italiane, e ngritur nё kuadёr tё protokollit tё bashkёpunimit tё nёnshkruar ndёrmjet dy Drejtorёve tё Pёrgjithshёm tё Policisё Shqiptare dhe Italiane mё 30 janar nё Romё.

Share it :