Shkodër/ Akuza për abuzime me legalizimet, Apeli liron Rudi Becin

Ish-përgjegjësi i zyrës së Legalizimeve: Ndërtimet e legalizuara nuk kishin pengesa ligjore. Më parë pashë lejen studimore

 Shkodër

gjyq Gjykata e Apelit në Shkodër rrëzoi dje masën e sigurisë “Arrest me burg” që kolegët e shkallës së parë dhanë pak kohë më parë ndaj ish përgjegjësit të zyrës së legalizimeve Rudi Beci. Ai së bashku me ish-drejtorin Besnik Kastrati që pritet të dalë në apel ditën e enjte, akuzohen se në vitin 2013 legalizuan dy objekteve në kundërshtim me ligjin. Në seancën e djeshme, avokati parashtroi të gjitha pretendimet e tij para gjyqtarëve, Fjoralba Prifti, Astrit Kalaja dhe Luan Dervishi, pasi më herët kishte lexuar akuzën prokurori Brahim Dragjoshi. Në fjalën e tij, avokati Anton Kosteri i quajti pretendimet e ngritura nga prokuroria dhe akuzat si të paarsyetuara ai theksoi se masa “Arrest me burg” nuk i përgjigjet asnjë kushti, prandaj kërkoi shfuqizimin e këtij vendimi.

 

Dëshmia

Më pas ishte vetë i akuzuari Rudi Beci, që u pyet nga togat e zeza nëse kishte ndonjë pengesë për legalizimin e këtyre dy objekteve, njëri në Shkodër dhe tjetri në Mjedë. Ai u shpreh për togat e zeza se nuk kishte, pasi më parë ai ka parë lejen studimore. Gjithashtu, sipas Becit, akti i kualifikimit pasi është firmosur nga vetë ai, kalon në duart e drejtorit të zyrës së ALUIZNI-t, e ky i fundit më pas vendos. “Në formularin e vetëdeklarimit janë të specifikuara të gjitha”, – shtoi ai. Lidhur me objektin e dytë, personi nën hetim Beci argumentoi se në rastet e kalimit të pronësisë, nuk është përgjegjësi e tij asnjë veprim. Ai thjesht mban përgjegjësi për të dhënat që shkruhen nga specialistët e tjerë të ALUIZNI-t. I pyetur sërish nga gjykatësja se a kishte pengesa të tjera për legalizim, kur dihet që me planin rregullues kjo zonë nuk lejon ndërtime mbi 10 kate, Beci shtoi se kjo nuk qëndron, pasi përballë këtij pallati ka të tjera ndërtime me 11 deri në 13 kate. Ish përgjegjësi i zyrës së legalizimeve shkoi më tej kur tha që ndërtimet janë kryer përpara vitit 2009, ndërsa vetë bashkia ka hartuar planin rregullues pas këtij viti dhe madje disa herë që është kërkuar, ai nuk i është dorëzuar zyrës së legalizimeve.

 

Reagimi i akuzës

Më pas reaguar prokurori i çështjes, të cilit nga trupa gjykuese ju kërkua argumentimi ligjor se cilin nen dhe ligj ka shkelur Beci, mbi të cilin ky organ ka ngritur edhe akuzat. Pasi nuk arriti të ishte i qartë në këtë pikë, vërejtje që ju tërhoq prokurorit edhe nga kryesuesja e trupës gjykuese, u bë tërheqja për marrjen e vendimit. Në fund pas shqyrtimit të të gjitha provave dhe mbi akuzat e ngritura, gjykata apelit vendosi vetëm masën “Detyrim paraqitjeje” për Rudi Becin. Vendimi u prit me ovacione nga familjarët e tij, ndërkohë që të enjten do të merret vendimi për ish-drejtorin e tij Besnik Kastrati.

 

Share it :