Shifrat krahasuese/ Ekspertët: Rritje e numrit të vrasjeve, ulje e zbulueshmërisë. Trafiku i drogës, 300% më shumë

Gëzim Saliu

ristani pd Ristani: U shkarkuan 403 policë dhe 51 shefa. Haklaj: Vjedhjet e banesave 41% më shumë

 Kaso: 9 tonë më shumë drogë drejt Italisë, 13 tonë e 500 kg më shumë drejtë Greqisë

Partia Demokratike organizoi dje konferencën “300 ditë Rama-Meta, rilindje e krimit, rënie e rendit”, me pjesëmarrjen e specialistëve, njohësve të fushës së sigurisë, aktorëve të shoqërisë civile dhe organizatave partnerëve. Në këtë tryezë, ekspertët bën të ditur se treguesit e rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri në këto 300 ditë, janë përkeqësuar ndjeshëm. Veli Haklaj, ekspert i fushës, pohoi pas hulumtimit mbi shifrat e publikuara nga vetë ministria e Brendshme se krimet ndaj jetës, ndaj pronës, dhe aksidentet në rrugë janë rritur në mënyrë dramatike. Po ashtu ai bëri të ditur se zbulueshmëria e këtyre veprave ka rënë. “Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vrasjet dhe viktimat janë rritur, vjedhjet me dhunë janë 7-fishuar, vjedhjet e banesave kanë qënë 41 për qind më shumë, krimet ndaj pronës janë dyfishuar, dhe zbulueshmëria e policisë ka rënë me 14.5%”, – u shpreh eksperti Haklaj. Po ashtu një tjetër fenomen që është rritur ndjeshëm tek shqiptarët në këto 300 ditë ka qenë edhe vetëvrasje, ku duke krahasuar 6-mujorin janar-qershor 2013 me atë të vitit 2014 rezulton se janë 54% më shumë. Ndërkaq lidhur me faktorët e dështimit të qeverisë për rendin e sigurisë, Haklaj në hulumtimin e tij përmendi emërimet dhe promovimin e punonjësve të policisë në shkelje të hapur të ligjit, lirimet e paligjshme të më shumë se 700 policëve si edhe uzurpimin e kompetencave të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nga ministri i Punëve të Brendshme.

 

Shkarkimet në polici dhe trafiku i drogës

 Duke u përqendruar tek strukturimi i Policisë së Shtetit, deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, vlerësoi dje në konferencë se ka pasur shkarkime të padrejta dhe të pamotivuara ligjërisht, si dhe emërime të paligjshme, me kritere politike, duke sjellë rënie të profesionalizmit dhe rënie të rendit. Sipas ligjvënësit demokrat, karakteristika e aktivitetit të Policisë së Shtetit këto 300 ditë ka qenë: paligjshmëria, shndërrimi i saj në polici të partisë, klientelizmi, mungesa e profesionalizmit si edhe mungesë përvoje dhe humbje e lidhjeve me terrenin. “Deri në janar, janë shkarkuar 403 punonjës policie të kualifikuar, nga drejtuesit më të lartë deri tek stafi civil, janë shkurtuar 80 funksione në strukturën e posaçme të policisë, janë hequr 51 shefa komisariatesh, dhe janë emëruar 12 drejtues të policisë në qarqe dhe 21 shefa komisariati që nuk përmbushin gradën që kërkon ligji”, – tha Ristani. Nga ana tjetër, duke analizuar trafikun e drogës, juristi Ivi Kaso tha se në këto 300 ditë, janë riaktivizuar kanalet e trafikimit dhe grupet kriminale, çka ka sjellë sipas tij rritje të drogës shqiptare që mbërrin në Evropë në masën mbi 300 për qind. Me statistika, rezultoi se trafikimi i kanabis sativa me Italinë ka pësuar një rritje prej 9 tonësh e 350 kg krahasuar me periudhën janar-qershor 2013. Ndërsa trafikimi i kësaj lëndë narkotike drejt Greqisë rezultoi 13 ton e 570 kg më shumë se në të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë. “Sasia e drogës që ka kaluar përmes kufijve tanë në vendet fqinje, është 4 deri në 5 herë më e madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Është e dënueshme sjellja e qeverisë e cila nuk tregoi transparencë para denoncimeve dhe shqetësimeve të opozitës dhe opinionit publik, në lidhje me rritjen e trafikut të drogës dhe futjes edhe të mjeteve si avionë në këtë fenomen”, – deklaroi Kaso.

 

 

Share it :