Shembja e obeliskut/ PD proteston në Kavajë: Ata që hoqën “dy gishtat” do të rrëzohen, akt vandal e primitiv

Paloka: Rama dhe baballarët e tij do të përfundojnë në koshin e plehrave të historisë. Bumçi: Klimë urrejtje. Doda: Rilindja e kuqe duhet penguar. Imami: U plotësua ëndrra e Alisë

obelisku i prishur Shembja e obeliskut në sheshin kryesor të qytetit të Kavajës mblodhi dje deputetë të Partisë Demokratike dhe qytetarë të ndryshëm në një protestë për të kundërshtuar aktin që u cilësua si vandal, hakmarrës dhe primitiv nga ana e qeverisë së majtë. Sipas deputetëve demokratë, me këtë veprim, Kryeministri dhe mazhoranca nxitën edhe më shumë klimën e urrejtjes mes palëve politike në vend. PD shprehu bindjen në vazhdimësinë e protestave deri në kthimin e monumentit të “dy gishtave” në sheshin “Demokracia”. “Rama ka ardhur me një qëllim të vetëm, të hakmerret ndaj demokratëve, të hakmerret për babain e tij shpirtëror. Kush mendon se na ka shembur simbolin, se na ka thyer shpirtin, e ka shumë gabim. Kush mendon se do të na shtypë, e ka gabim dhe do ta paguajë të gjithë këtë revansh që ka ndërmarrë jo vetëm ndaj demokratëve, por të gjithë shqiptarëve. Jemi këtu për t’i treguar atij zotërisë se nuk do ta ketë lehtë ta rikthejë Enverin në Shqipëri. Demokracia do të triumfojë prapë dhe Rama do të jetë ai që së bashku me baballarët e tij do të përfundojë në koshin e plehrave të historisë”, – tha kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.

 

Reagimet

Në foltoren e ngritur pranë monumentit të prishur, deputeti demokrat Aldo Bumçi theksoi se me vendimin për të hequr monumentin e demokracisë në Kavajë, Kryeministri nxit urrejtjen mes palëve politike në vend. “Po sikur demokratët të vinin në pushtet me 1/100 e urrejtjes që ka ardhur sot Edi Rama, çfarë do të ndodhte në Shqipëri? As majtas, as djathtas nuk e duan këtë klimë urrejtjeje që ky njeri po nxit sot pas 24 vitesh. Edi Rama erdhi dhe rrëzoi simbolin e lirisë, por nuk mund të rrëzohet simboli i lirisë, do rrëzohet ai që guxoi të dilte kundër këtij simboli”, – tha ai. Ndërsa deputetja Mesila Doda tha se u takon qytetarëve të Kavajës, më së pari, të frenojnë atë që ajo e cilësoi si rilindja e kuqe. “Nëse ka dikush që mendon se na ka futur frikën, e ka gabim. Krimi i vjetër në bashkëpunim me krimin e ri, sallat e pionierit bashkë me thasët e drogës i keni këtu prapa nesh. Kjo është fytyra që solli vota e rilindjes së kuqe. Askush nuk ka frikë t’i thërrasë në emër kriminelët e vjetër dhe të rinj, por ne së bashku duhet të marrim një aksion moral të madh në vend. Sot u takon qytetarëve të Kavajës, më së pari, t’i thonë boll kësaj monstre me fytyrë njerëzore. Rilindja e kuqe do të duhet të ketë një pengesë. Nuk është puna e shembjes së një obelisku, por goditja e simbolit të lirisë”. Në të njëjtën linjë me të, deputeti Arben Imami pohoi në fjalën e tij se heqja e obeliskut përbën një akt vandal dhe primitiv. “Kulturalisht ky është një akt vandal dhe primitiv, politikisht është një akt revanshi dhe hakmarrjeje ndaj demokracisë shqiptare. Asgjë më shumë nuk do të kishte dashur dhe nuk do kishte ëndërruar Ramiz Alia edhe të gjithë komunistët në pushtet atë kohë sesa shembjen e simbolit të demokracisë në qytetin e demokracisë”. Ndërkaq, në një intervistë televizive dy ditë më parë, kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, tha se shembja e obeliskut ishte e pashmangshme, për shkak të ndërtimit të qendrës së re të Kavajës. Nga ana tjetër, ai premtoi një monument tjetër në bronz që, sipas tij, do të përurohet bashkë me sheshin e ri.

 

 

Share it :