Administrata Obama bëri thirrje për qetësi lidhur me rastin e Ebolës të diagnostikuar në SHBA.
Lisa Monaco, Këshilltare për Sigurinë Kombëtare, tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për ta përballuar krizën, si në vend ashtu edhe jashtë. Çdo shpërthim i Ebolës gjatë 40 viteve të fundit është frenuar, tha ajo.
SHBA po dërgojnë rreth 2.000 trupa në Liberi për të ndihmuar në frenimin e Ebolës, e cila u ka marrë jetën më shumë se 3.000 njerëzve në të gjithë Afrikën perëndimore.
Një shtetas i Liberisë, Thomas Duncan, është në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme në një spital të Teksasit. Ai e mori sëmundjen para se të nisej nga Liberia për në Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet e kanë ndihmuar familjen e tij për t’u vendosur në një zonë tjetër nga shqetësimet se virusi mund të përhapet.
Studim i ri për origjinën e Sidas
Një studim i ri ka arritur në përfundimin se Sida e ka origjinën në vitet 1920 në qytetin Kinshasa, të Afrikës Qendrore, aty ku sot shtrihet Republika Demokratike e Kongos.
Stdiuesit thonë se një sërë faktorësh “përgatitën terrenin për epideminë e HIV-it”, përfshirë transportin hekurudhor dhe ujor në Kongon e viteve 1960, lulëzimi i tregëtisë seksuale dhe përdorimi i gjilpërave pa pasterilizuara në klinikat shëndetësore.
Ekipi ndërkombëtar studimor e ndërtoi historinë gjenetike të HIV-it, duke përdorur kampione të arkivuara të kodit gjenetik të virusit.
HIV-i u njoh për herë të parë si infeksion në vitet 1980. Në gjithë botën, rreth 75 milionë vetë janë infektuar nga virusi. Rreth 36 milionë kanë vdekur.





