“Sfida e fundit”/ Vrau ushtarin në 2005-ën, kapet i shumëkërkuari Shkëlqim Alushi

Anxhela Tato

 

 

 Gjykata e dënoi me 25 vjet burgim, plumbi rikoshet në kokë i mori jetën Arben Zgurit

 Alushi hapi zjarr ndaj Albert Gjokës pas konfliktit për borxh, plumbi kapi aksidentalisht viktimën

 

 

aksioni i arretsimit, sfida e fundit Shkëlqim AlushiI mori jetën aksidentalisht ushtarit, kapet i dënuari me 25 vjet burgim. Shkëlqim Alushi, i njohur me pseudonimin Reci, u kap në mjediset e banesës së tij në fshatin Zall-Herr. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim nr. 383,datë 14.4.2006, e ka dënuar këtë shtetas me 25 vjet burg për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim dhe mbajtjes pa leje te armëve luftarake”. Sipas vendimit të dënimit, mësohet se i dënuari është konfliktuar me shtetasin Albert Gjoka, i cili i kishte borxh një shumë prej 10 mijë lekësh. Pas debatit i arrestuari është kthyer në lokal i armatosur dhe i ka kërkuar Gjokës që t’i kërkonte ndjesë dhe të ngrihej në këmbë. Albert Gjoka nuk ka vepruar duke qëndruar indiferent dhe i dënuari Alushi ka hapur zjarr. Nga breshëria e automatikut ka mbetur viktimë ushtari Arben Zguri, i cili është goditur nga një plumb rikoshet në pjesën e kokës. “Me veprimet e kryera i pandehuri Shkëlqim Alushi, ka konsumuar plotësisht elementët e veprave penale “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave në bashkëpunim” dhe të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” parashikuar përkatësisht nga nenet 79/dh e 25 dhe 278/2 të Kodit Penal. Në këto kushte gjykata e gjen të drejtë kërkesën e prokurorit për dënimin e të pandehurit Shkëlqim Alushi me 25 vjet burgim për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga nenet 79.dh e 25 të K. Penal dhe me 3 vjet burgim për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 278.2 i K. Penal, në zbatim të nenit 55 të K. Penal, dënimin përfundimtar të pandehurit me 25 vjet burgim”, – thuhet në vendimin e dënimit të prillit të viti 2006.

 

Ngjarja

 I pandehuri Shkëlqim Alushi dhe i dëmtuari Albert Gjoka janë banor të fshatit Zall-Herr, Tiranë, dhe kanë pasur marrëdhënie shoqërie. I pandehuri Shkëlqim Alushi, i cili në fshat njihej me emrin Reç, merrej me transportin e materialeve të ndërtimit. Në datën 13.3.2005 rreth orës 21:00 i pandehuri Shkëlqim Alushi ishte ulur në lokalin e dëshmitarit Ardian Pëllumbi në Kodrën e Kuqe, përballë repartit ushtarak 1400 në Zall-Herr. Pas pak në lokal ka hyrë i dëmtuari Albert Gjoka, i cili po shkonte për t’u ulur në një tavolinë. I pandehuri Shkëlqim Alushi është çuar nga tavolina dhe e ka thirrur Albertin për të biseduar jashtë lokalit, për borxhin që ai i kishte të pandehurit në shumën 10.000 lekë. Pas debatit i pandehurit është larguar duke i thënë Albertit: “Kam për të futur plumbin”, ndërsa Alberti është kthyer në lokal. Alberti është ulur në një tavolinë nga fundi i kthyer me fytyrë nga dera e lokalit së bashku me disa të afërm të tij . Pas rreth 30 minutash në lokal ka hyrë Shkëlqim Alushi me një person tjetër të pa identifikuar, të cilët mbanin në dorë nga një automatik. Ata kanë bllokuar derën e lokalit, i cili ishte mbushur plot me njerëz dhe i pandehuri Shkëlqim i ka thënë Albertit: “Çohu në këmbë dhe kërko falje se do të vras”, por Alberti nuk është ngritur, i pandehuri Shkëlqim ka qëlluar me automatik në drejtim të Albertit i cili është shtrirë në tokë për t’u shpëtuar plumbave, por është plagosur në këmbë. Kur e ka parë Albertin të gjakosur, babai i tij, Kujtim Gjoka, është çuar nga një tavolinë e lokalit dhe i ka kërkuar të pandehurit që të mos qëllonte më, se për detyrimet e Albertit do të përgjigjej ai. Meqenëse Kujtim Gjoka është përpjekur për të mos e lejuar të pandehurin që të vazhdonte të qëllonte në drejtim të Albertit, i pandehuri e ka qëlluar Kujtimin me automatik në pjesën e mesit, ndërsa personi tjetër ka qëlluar në drejtim të Albertit, pasi edhe Kujtimi është rrëzuar përtokë, i pandehuri së bashku me personin tjetër janë larguar me shpejtësi me mjetin “Mercedes-Benz”, me targë TR 1918 E, pronë e të pandehurit. Po kështu gjatë hapjes së zjarrit në tavolinën që ndodhej pranë derës është goditur me një plumb në pjesën e kokës shtetasi Arben Zguri, ushtar në repartin 1400, i cili në ato momente ishte në lokal duke pirë një kafe, për shkak të kësaj goditjeje ai ka gjetur vdekjen.

 

 

I dënuar me 20 vjet burg për vrasje, kapet Albert Hoxha

 Në pranga ka përfunduar edhe autori i një vrasjeje të mbetur në tentativë, dënuar me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata në vitin 2012. I arrestuari i dytë Albert Hoxha u kap në mjediset e banesës së tij në fshatin Kashar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim të datës 3.5.2012, e ka dënuar këtë shtetas me 20 vjet burgim për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të kryer kundër dy ose më shumë personave, të mbetur në tentativë. “Sot më datë 20.3.2014 rreth orës 01:30, nga ana e efektivëve të sektorit të Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, pas një pune intensive operative-gjurmuese, u bë e mundur kapja e personit tjetër shumë të kërkuar Albert Hoxha, i cili u kap në ambientet e banesës së tij në fshatin Kashar, Tiranë. Ky shtetas ishte person në kërkim, pasi me datën 22.4.2007, në Kashar, pas një debati për motive të dobëta, në bashkëpunim me shtetasin Ilirjan Hajdari, kanë tentuar të vrasin me armë të ftohtë (thikë) shtetasit Nriçim Lleshi dhe Ilirjan Kamberi. Ndalimi i shtetasit Albert Hoxha është bërë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim të datës 3.5.2012, e ka dënuar këtë shtetas me 20 vjet burgim për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të kryer kundër dy ose më shumë personave, të mbetur në tentative”.

 

 

 

 

Lushnje

Makina bie në kanal, humbin jetën 2 persona

Një aksident tragjik i ka marrë jetën dy të rinjve në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Sipas policisë, në aksident është përfshirë një makinë tip “Peugeot 307”, e cila ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në kanal. Mjeti drejtohej nga Ermal Çuko, i cili ka gjetur edhe vdekjen. Aksidenti ka ndodhur në fshatin Savër në komunën Kolonjë të Lushnjes dhe viktima e dytë është identifikuar si, Orges Çerma. Nga të dhënat e para të uniformave blu bëhet me dije se automjeti ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi, çka ka sjellë humbjen e drejtimit dhe daljen nga rruga. Makina ka përfunduar në kanal dhe nga goditja e fortë dy të rinjtë kanë humbur jetën. Trupat e pajetë janë dërguar në morgun e spitalit, ku do t’i nënshtrohen ekspertizës mjeko-ligjore, e cila do të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Rritja e numrit të aksidenteve është një problem shqetësues për blutë. Nga statistikat rezulton se në pjesën më ët madhe të rasteve shkaku i aksidenteve automobilistike është mos respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor apo shpjetsha tej normave.

 

Lezhë

Tentuan të vrisnin kunetërit, pranga vëllezërve

 Dy vëllezër, Artur dhe Ardit Dedaj, përkatësisht, 34 dhe 23 vjeç, u arrestuan dje nga policia e Lezhës, pasi akuzohen se tentuan të vrisnin dy persona me armë zjarri. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë se qarkut Lezhë thanë se dy vëllezërit Dedaj, banues në fshatin Balldren i Ri, Komuna Balldren, u arrestuan pasi një ditë më parë, në fshatin Balldren, Lezhë, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri automatik vëllezërit e bashkëshortes se Arturit, Klaudio Gjoka, 39 vjeç, banues në lagjen “Besëlidhja” Lezhë dhe Rafaelo Gjoka, 21 vjeç, banues në fshatin Grykë-Zezë, Lezhë. Sipas policisë, njëri prej vëllezërve, ai më i madhi, Arturi, ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Dhunë në familje”, “Vrasje e mbetur në tentative në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake në ambiente publike”. Ky person në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike mbi bashkëshorten. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së rrethit Lezhë.

 

 

Itali

Kapen me 2.5 kg kokainë, arrestohen 2 shqiptarët

 Guardia di Finanza e Askolit ka ndaluar një automjet tip “Audi A8”, në të cilën ndodheshin 2 të rinj shqiptarë, të cilët mbanin me vete më shumë se 2.5 kg kokainë. Për këtë sasi të madhe e kokainës është duke u hetuar origjina, pasi policia tashmë ka hapur një hetim. Të dy trafikantët janë arrestuar, ndërsa një i mitur i cili ishte duke udhëtuar me ta është raportuar pranë Zyrës së Prokurorit Publik të fëmijëve të Ankonës. Mediat italiane, të cilat kanë publikuar lajmin, nuk i bëjnë të ditur emrat e 2 shqiptarëve. Policia ka deklaruar se droga u kap gjatë një aksioni rutinë, ndërsa është duke hetuar rreth personave që mund t’i kenë dërguar të rinjtë për ta transportuar drogën, pasi asnjëri prej tyre nuk ka qenë i skeduar më parë nga uniformat blu të Ankonës. Droga nëse shitej do t’i sillte një fitim prej të paktën 700 mijë euro.

 

 

Lezhë

Grabiti banesën në Sarandë, arrestohet autori

 Një person i shpallur në kërkim për vjedhje është arrestuar nga policia ditën e djeshme në Lezhë. Policia bën me dije se ka vënë në pranga Preng Nikollin i akuzuar për grabitjen me armë të një banese në Sarandë. Gjatë grabitjes Nikolli ka ushtruar dhunë edhe ndaj të pronarëve të banesës. Gjykata e Sarandës ka caktuar ndaj tij masën “Burg pa afat”. Policia sqaron se Nikolli u arrestua në Tale të Lezhës.

 

 

Share it :