Seanca për zëvendësimin e masës/ Veliaj lë qelinë
Kryebashkiaku Erion Veliaj, ka lënë mëngjesin e kësaj të diele, ambjentet e paraburgimit të Durrësit, për tu nisur drejt Gjykatës së Posaçme, në Tiranë, aty ku pritet të shqyrtohet kërkesa e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Veliaj ka kërkuar zëvendësim të masës “arrest me burg”, të dhënë tashmë prej gati një viti, e cila do të shqyrtohet nga gjyqtare Etleva Deda.
Përpos Veliajt, të pranishëm në sallë janë edhe dy prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado. Për këtë të fundit Veliaj depozitoi pak ditë më parë një padi, ku kërkonte shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Dados si prokuror, me argumentin se ishte emëruar pa përfunduar shkollën e magjistraturës.
Hetimet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfunduan më 10 shtator 2025, ndërsa Veliaj është arrestuar që më 10 shkurt 2025. Për gjykim janë dërguar gjithashtu edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona të tjerë dhe shoqëri të përfshira në dosjen e njohur si “Veliaj”.
SPAK ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, përfshirë: korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg. Sipas prokurorisë, shumica e akuzave lidhen me korrupsion pasiv, në 9 raste që përfshijnë disa kompani, të cilat sipas SPAK kanë dhënë përfitime të parregullta në formën e parave dhe pasurive të paluajtshme, duke marrë më pas leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, në të njëjtin kontekst si bashkëshorti i saj.




