Seanca me dyer të mbyllura/ Kostandin Xhuvani, i vetëm në Gjykatë, braktiset nga familjarët dhe avokati

Sonila Mesareja

 konstandin xhuvani veshtrimi i vrasesit gjyq gjykate sakteSeanca me dyer të mbyllura/ Njihet me akuzat, hesht para togave të zeza. Gjykata i lë në burg të dy, të dyshuarin për vrasjen e 4-fishtë dhe Erald Sidën. Xhuvani me avokat kryesisht, Sida me avokat nga familja

 Nën masa të rrepta sigurie, me pranga në duar edhe në momentet e para të seancës, u shoqërua dje në Gjykatën e Tiranës për t’iu komunikuar akuzat dhe caktuar masa e sigurisë Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida, të akuzuar për vrasjen e katërfishtë të ndodhur në lokalin “Ante Grand” pak ditë më parë. Shoqërimi i tij është bërë rreth orës 10:25 të paradites së djeshme, ndërsa gjyqtarja Enkela Bajo Vlora ka lejuar vetëm në minutat e para median për të qenë e pranishme, më pas ka vendosur që të vijojë me dyer të mbyllura. Por, para se të largoheshin, gazetarët kanë kërkuar nga gjykata të zbatohet ligji lidhur me të akuzuarin për vrasje, pasi brenda kafazit të hekurt vijonte të qëndronte në pranga, shkelje kjo që u pranua dhe u kërkua nga policët heqja e tyre para se të fillonte seanca e masës së sigurisë. Më pas u vijua me seancën, e cila zgjati vetëm disa minuta, pasi i akuzuari Xhuvani heshti para togave të zeza, ndërsa avokati kryesisht e ka lënë në çmim të gjykatës masën që do caktonte ndaj klientit të tij.

 

Seancat

Kostandin Xhuvani është gjendur i vetëm dje në sallën e gjyqit, pa familjen dhe pa avokatin e tij, i cili e asistoi në dy gjyqet e mëparshme, përkatësisht për vrasjen e Alfred Musabelli dhe goditjen e gardianit të burgut. Para se të fillonte seanca e masës, ai kundërshtoi caktimin e një avokati kryesisht, duke kërkuar të mbrohet nga avokati i tij Ardian Leka. Por, Leka nuk është paraqitur në sallë, edhe pse dje ka qenë i pranishëm në ambjentet e gjykatës. Ai iu përgjigj interesimit të medias se nuk do ta mbrojë Kostandin Xhuvanin, nuk është më avokati i tij pasi nuk është kontaktuar as nga familjarët e këtij të fundit. Pas caktimit të avokatit kryesisht, e ka marrë fjalën prokurori, i cili ka lexuar dinamikën e ngjarjes, provat që disponojnë dhe akuzat kundër Xhuvanit, konkretisht “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Më pas seanca ka vijuar me mbrojtjen e Xhuvanit nga avokati kryesisht Violen Çelniku, ndërsa mësohet se të vetmet fjalë të Xhuvanit kanë qenë dhënia e gjeneralitetet dhe asnjë fjalë rreth ngjarjes për të cilën akuzohet. I akuzuari refuzoi të japë detaje rreth akuzës apo versionin e tij për ngjarjen e rëndë, ndërsa avokati kërkoi të respektohen të drejtat ligjore të klientit të tij, pavarësisht krimit të kryer. Më pas është shoqëruar Erald Sida, i cili është njohur me akuzat në prani të avokatit të zgjedhur nga familja e tij, Vladimir Gërmenji. Sida nuk ka folur para gjykatës duke autorizuar avokatin për mbrojtjen e tij. Avokati pretendoi se Sida ndodhej në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar dhe ka ndihmuar shokun e tij Arbër Demiraj. Në përfundim të seancës me dyer të mbyllura, Sida, i cili akuzohet “për moskallëzim krimi” dhe “ushtrim prostitucioni”, mbeti në qeli me masën e sigurisë “burg pa afat”. Të dy të dyshuarit u shoqëruan më pas drejt ambienteve të paraburgimit.

 

Akuza

Sipas kërkesës së lexuar para gjykatës nga prokurori, rezulton se më datë 04.11.2014, rreth orës 04:20 është njoftuar Salla Operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë se në vendin e quajtur Rruga e Elbasanit në lokal “Ante Grand” ka ndodhur një konflikt i armatosur. Pas këtij momenti, autopatrulla e Komisariatit të Policisë nr.1 , e cila ka qenë në afërsi, ka shkuar në afërsi të lokalit ku në rrugën kryesore ka konstatuar një automjet Mercedes ML me targa TR0250N në të cilin po hipnin disa persona. Nga ana e autopatrullës është bërë bllokimi i mjetit tip Benz ML dhe në këtë moment një person i veshur me kostum dhe tuta gri ka dalë nga automjeti dhe është larguar me vrap, duke mbajtur një pistoletë në dorë. Ky person është ndjekur nga punonjësi i policisë, i cili pas rreth 50 metrash e ka neutralizuar personin e veshur me tuta gri. Pas shoqërimit në polici dhe verifikimit te identitetit ka rezultuar se ky person është shtetasi Kostandin Gjergj Xhuvani, 26 vjeç. Nga kqyrja ka rezultuar se vendi i ngjarjes është Bar “Ante Grand” në rrugën e Elbasanit, përballë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Vendi i ngjarjes është lokali i sipërcituar i cili, në një bodrum i përshtatur si lokal nate. Për të hyrë në lokal janë shkallët zbritëse. Në ambientin e brendshëm, përballë shkalleve janë gjetur të shtrirë me shpina ngjitur njëra-tjetrës kufomat e dy shtetasve dhe konkretisht të Edison Jahaj dhe Enea Xhaj. Pranë kufomave është gjetur një armë zjarri pistolete model 54 me një fishek në fole dhe gjashtë fishekë me krehër të kalibrit 7.62mm. Gjithashtu, në ambientin e brendshëm të lokalit janë gjetur të shpërndara në formë të çrregullt gjashtë gëzhoja dhe predha të dëmtuara. Nga kqyrja e ambientit janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gota qelqi, shishe birre, paketa cigaresh, bishta cigaresh, të cilat mendohet se janë konsumuar nga personat e dyshuar dhe viktimat. Në ambientet e jashtme të këtij lokali dhe konkretisht në anën veriore të rrugës së Elbasanit, përballë hyrjes së lokalit, është gjetur një automjet me targa TR0250N, me dyer të hapura, ku në ndënjësen e pasme është gjetur i pajetë trupi i shtetasit Arbër Demiraj. Po kështu, në distancë 52 metra nga hyrja e lokalit në oborrin e Fakultetit Ekonomik, është gjetur e hedhur në tokë një armë zjarri pistoletë, model 54 me numra të fshirë në mënyrë mekanike, me krëhër të vendosur dhe pa fishekë. Vendi ku është gjetur pistoleta korrespondon me vendin ku është bërë neutralizimi i shtetasit Kostandin Xhuvani.

 

Konflikti

Nga aktet hetimore ka rezultuar se shtetasit Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Sida e Alban Ballcaj kanë shkuar në lokal ku janë ulur në tavolinën e fundit të tij, e cila rezulton se ishte pranë një kolltuku në të cilin ishin ulur shtetasit Edison Jaho e Enea Xhaj. Mes shtetasve Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Side e Alban Ballcaj dhe shtetasve Edison Jaho e Enea Xhaj ka patur një konflikt. Gjatë këtij konflikti, shtetasit Kostandin Xhuvani e Arbër Demiraj kanë patur edhe armë zjarri me vete. Pas ndërhyrjes së shtetasit Anton Binaku, roje sigurie në lokal, shtetasit e sipërcituar kanë dalë nga lokali dhe janë futur menjëherë në lokal me pistoleta në duar. Nga dëshmitë e shtetasve ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjarri ka qenë shtetasi Kostandin Xhuvani dhe si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj, i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij, dhe më pas në spital edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola.

 

Reagimi

Në përfundim të seancës, jashtë ambjenteve të gjykatës kanë reaguar njëri pas tjetrit dy avokatët e të akuzuarve. Avokati mbrojtës i Kostandin Xhuvanit, Violent Çelniku tha për mediat se vërejti shkelje procedurale, pasi i akuzuari për 4 vrasjet u mbajt i lidhur me pranga gjatë kohës që qëndronte brenda kafazit të hekurt. Avokati sqaron ndër të tjera, se i ka këshilluar 26-vjeçarit të mos flasë për ngjarjen, ashtu si edhe ka rezultuar. “Nuk ka rëndësi ka vrarë 4 apo 400, avokati ka bërë betim që të mos i shkelet asnjë e drejtë procedurale. Xhuvani i kishte prangat vënë, kjo është shkelje procedurale. Unë si avokat i rekomandova të mos jepte asnjë shpjegim si ndodhi ngjarja” përfundoi Çelniku. Më pas ka reaguar avokati i Erald Sidës, Vladimir Gërmenji, i cili u shpreh se klienti i tij nuk ka qenë prezent në momentin e vrasjeve. Ai akuzohet për “moskallëzim krimi” dhe “ushtrim prostitucioni”, pasi ka deklaruar se në tavolinë ndodhej me një femër, të cilën e kishte paguar për të kryer marrëdhënie seksuale. Mbrojtja madje ka këmbëngulur se Sida ka tentuar t’i vijë në ndihmë viktimës, Arbër Demiraj duke e nxjerrë nga lokali. “Mbrojtja kishte qëndrim të kundërt me akuzën. Klienti im Erald Sida është gjendur në kohën dhe vendin e gabuar nuk ka fare të bëjë me akuzat nuk ka parë ngjarjen as autorin. Nuk ka pse caktohet masë ndaj tij” tha avokati i tij në fund të seancës, duke ritheksuar të njëjtin qëndrim që mbajti edhe brenda sallës së gjyqit.

 

 

Share it :