Në shortin e hedhur të hënën, djemtë e detit do të përballen me verilindorët e Kukësit që duan të rrëmbejnë të paktën një trofe.
Skënderbeu në krahun tjetër do të ketë përballë rivalët e Flamurtarit. Të dyja ekipet këto vitet e fundit kanë pasur përballje shumë të forta që kanë sjellë edhe probleme
Është hedhur të hënën shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Tashmë turneu ka kaluar në një fazë tepër vendimtare, ku ka mbetur edhe një raund nga finalja e madhe. Skuadrat e kualifikuara për më tej në këtë raund ishin Teuta, Skënderbeu, Flamurtari dhe Kukësi. Korçarët nuk donin shumë mend që do të shkonin më tej pasi janë skuadra që bëjnë ligjin në futbollin shqiptar. Ndërsa Teuta është parë që në fillim të sezonit që ka pasur skuadrën e duhur për të bërë surprizën këtë sezon dhe po ecën mirë si në kampionat dhe në kupë. Ekipi Kukësit ka pasur shuam probleme pas atij sezonit të mrekullueshëm që bëri vitin e kaluara. Ndërsa kësaj radhe duket se për verilindorët kupa është synimi kryesor për triumf pasi për kampionat duket e pamundur. Flamurtari ka qenë gjithmonë me një rrugë me ulje ngritje ndërsa vlonjatët janë të vendosur që të bëjnë edhe pse janë pak më inferior se rivalët. Kujtojmë që para një viti finalja e madhe ishte ajo midis Laçit dhe Bylisit. Një sfidë mjaft e diskutuar dhe që u përfundua me shumë polemika. Triumfues doli Laçi. Ndërkohë që ekipi ballshiot e konsideroi si të padrejtë rezultatin. Kjo, pasi sipas tyre pati disa parregullsi në gjykim që favorizuan laçianët. Ndërsa kësaj radhe të dyja skuadrat nuk bëjnë pjesë pasi u eliminuan një fazë më parë. Të katra skuadrat nuk e patën të lehtë të arrinin deri këtu kjo pasi përballë patën tre kundërshtarë ndaj të cilët dolën triumfator. Ja se si ka shkuar rruga e të katra skuadrave drejt gjysmëfinales.
Teuta
Skuadra e djemve të detit pati si kundërshtar të parë skuadrën e Besëlidhjes. Teuta arriti që të triumfonte ndaj kavajasve, duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 4 me 1. Ndërsa kundërshtari i dytë ishte Shkumbini. Më i lehtë si kundërshtar por arritën që të fitonin vetëm me rezultatin 2 me 0. Ndërsa në çerekfinale përballë kishin Lushnjën. Sfida ndaj myzeqarëve ishte e thjeshtë pasi blutë arritën t’i shkatërronin me rezultatin 7 me 4.
Skënderbeu
Ekipi korçar nuk e pati të vështirë që të kalonte për në fazën e gjysmëfinaleve. Kjo pasi përballë kishin Ilirinë e Fushë Krujës. Një skuadër të cilën e mundi me rezultatin e thellë 11-1 dhe brenda të cilës nuk pati më shumë histori përveç dominimit të korçarëve. Ndërsa në fazën e dytë ekipi i Josës pati përballë Mamurrasin që e mundi me rezultatin thellë 6 me 1. Në çerekfinale ishte një përballje e veçantë pasi kishte si kundërshtar mbajtësit në fuqi të kupës, Laçin. Por edhe kjo ndeshje nuk pati shumë emocione pasi skuadra e Nices fituan me rezultatin 3 me 0.
Flamurtari
Në turin e parë labët mposhtën Gramshin e Kategorisë së Dytë me rezultatin 5 me 0 duke pasur mjaft të thjeshtë dhe pa shumë komplikime të dyja sfidat. Ndërsa e njëjta histori u përsërit edhe në sfidën me Tomorin e Beratit. Vlonjatët e mposhtën me rezultatin 6 me 2 duke i dhënë vetes biletën për çerekfinale. Në këtë fazë djemtë e Gjokës kishin përballë Vllazninë. Edhe pse me një rezultat të ngushtë jugorët arritën që të mposhtnin shkodranët duke siguruar kështu edhe gjysmë finalen.
Kukësi
Ekipi verilindor i Kukësit ka pasur këtë vazhdimësi gjatë aventurës së kupës. Në sfidën e parë është përballur me Naftëtarin. Blutë e mundën skuadrën e Kategorisë së Parë me rezultatin 6 me zero. Ndërsa në fazën e dytë kuksianët patën përballë Apoloninë. Fierakët ishin dhe viktima e radhës që i dha mundësinë ekipit të Gjicit për të kaluar në fazën e tretë. Në çerekfinale u përball me finalistët e Bylisit ndaj të cilëve arritën që të dilnin fitimtar me golavarazhin 4 me 1.
Pas ndeshjes u prononcuan presidenti i Kukësit Gjici dhe presidenti i Skënderbeut Takaj. Presidenti i verilindorëve u shpreh se ekipi kuksian i ka të gjitha mundësitë që të kaloj në fazën tjetër dhe më pas pse jo që të fitojë kupën. Kurse drejtuesi i korçarëve u shpreh mjaft i bindur se ekipi i tij do arrijë që të fitojë në këtë ndeshje dhe ka shumë shanse që të fitojë edhe kupën. Kujtojmë se trofeu i kupës sjell edhe një benefit të madh financiar te ekipet. Kjo, sepse klubi që e fiton merr një bonus prej 218 milionësh. Jo shumë po të krahasohet me shifrat e futbollit evropian, por që këto para do të ndikonin shumë në arkat e ekipeve tona.
Kryeqyteti, përsëri pa kupë
Kupa e Shqipërisë përsëri do të dalë jashtë kryeqytetit. Tirana është skuadra e fundit e kryeqytetit që e ka fituar këtë trofe në vitin 2012, kur mundi Skënderbeun në finale. Një sezon më parë, finalja ishte Laçi-Bylisi, ndërsa tashmë gjërat duken më “dramatike” për skuadrat e Tiranës. As bardheblutë dhe as Partizani nuk kanë arritur të kualifikohen në çerekfinale. Prej të paktën dy sezonesh, në skenë kanë dalë skuadrat e rretheve që luftojnë fort në këtë trofe. Kështu, Laçi, Bylisi, Flamurtari, Skënderbeu apo edhe ekipe të tjera arrijnë të kualifikohen rregullisht në çerekfinale apo dhe më tej.
Shqipëria U 17 nis përgatitjet për Elite Round
Shqipëria U-17 do të luajë në fundin e muajit mars tri ndeshjet e saj në Elite Round, grupi i katërt, në Republikën Çeke. Ekipi i drejtuar nga Xhemal Mustadanagiç, që është kualifikuar në këtë fazë të Kampionatit Evropian, duke u renditur i dyti në grupin eliminator të kryesuar nga Rumania dhe duke lënë pas Bjellorusinë e Finlandën, pas një jave do të nisë përgatitjet. Ekipi do të grumbullohet pas një jave, më datë 17 mars dhe për një javë do të përgatitet për t’u ndeshur në Elite Round. Më 24 mars, skuadra do të udhëtojë drejt Republikës Çeke, ku sipas kalendarit do të ndeshet me Italinë, Anglinë dhe ekipin vendas. Ekipi kombëtar U-17, është kualifikuar për dy edicione radhazi në Elite Round, duke treguar cilësi mjaft të mira të futbollit të kësaj moshe.




