Rrezikojmë anulimin e marrëveshjeve me BE/ Berisha: Gonzato sillet si ambasadori i Ramës
Nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi se ngjarjet e fundit, përfshirë rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e ministrit Balluku, rrezikojnë të mbyllin dyert e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Berisha tha se ky vendim i parlamentit, i marrë sipas tij si një akt “in ekstremis” nga Edi Rama për të shpëtuar veten, ka si viktimë madhore çdo qytetar shqiptar që aspiron integrimin europian.
“Edi Rama ndërmori këtë veprim, një akt in ekstremis për të shpëtuar lëkurën e tij. Por viktimë tjetër madhore, në qoftë se SPAK ishte viktimë direkte, viktimë tjetër madhore e këtij akti është çdo qytetar shqiptar, i cili ka për aspiratë integrimin e tij në BE.
Në të vërtetë, vendimet u morën në parlament me gjithë paralajmërimin më serioz të jo një, por disa vendeve anëtare të BE, se ato nuk mund të pajtohen kurrë me një vendim të tillë.
Dhe se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, jo vetëm që ndalon, por edhe mund të shpërbëhet nga alfa gjer në alfën ku ka filluar.
Kur themi këtë shpërbërje, do të thotë anulim i të gjitha marrëveshjeve të firmosura me BE-në, që nga viti 1992 që është marrëveshja e parë tregtare.– tha ai.
Në fjalën e tij, Berisha foli edhe për ambasadorin e BE në Tiranë, Silvio Gonzato, duke e akuzuar se sillet në Bruksel sikur të jetë ambasador i Edi Ramës.
Berisha tha se diplomati europian po përpiqet të shtrembërojë qëndrimet e Partisë Demokratike lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Ambasadori i BE në Tiranë, në Bruksel sillet në mënyrë absolute sikur të jetë ambasadori i Edi Ramës në Bruksel. Dhe unë, duke shprehur keqardhjen time më të thellë, u bëj thirrje vendeve anëtare të informohen direkt nga përfaqësitë e tyre, parlamenteve të vendeve anëtare të dërgojnë misione faktmbledhëse, sepse të shpallësh AKSHI-n problem kulturor të shqiptarëve në Bruksel, siç ka bërë zoti Gonzato, ky është shërbimi më i keq që u bën shqiptarëve dhe unë i them atij zotërie se pengmarrje nuk është kulturë e shqiptarëve. Dhe është një fyerje e rëndë që u bëhet shqiptarëve.
Ky zotëri, përpiqet të mjegullojë qëndrimet e PD në procesin e integrimit, e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë. Forca jonë politike, është forca që ka firmosur të gjitha marrëveshjet në procesin e integrimit, ka marrë rekomandimin për statusin e kandidat dhe përveç hapjes së negociatave, çdo marrëveshje tjetër. Është forcë politike që ka qenë dhe mbetet lokomotivë e procesit të integrimit.” – tha Berisha.




