Rrëmbimi mafioz i Metës’/ Blushi-Lamallarit: Burgjet makineri terrori institucional, Tirana më keq se Kremlini
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, zhvilloi një interpelancë me Ministrin e Drejtësisë në seancën plenare, ku ngriti akuza të forta ndaj qeverisë për atë që e cilësoi si “degradim sistematik të sistemit penitenciar” dhe “krim shtetëror” në rastin e ish-Presidentit Ilir Meta.
Në fjalën e tij, Blushi deklaroi se sistemi i burgjeve është shndërruar nga një institucion rehabilitimi në një “makineri dhune dhe terrori institucional”, duke pretenduar se të paraburgosurit dhe të dënuarit trajtohen në kushte çnjerëzore, ndërsa edhe punonjësit e sistemit përballen me mungesë shpërblimesh dhe pagesash për orët jashtë orarit.
Një pjesë e fjalës së tij iu kushtua arrestimit dhe paraburgimit të ish-Presidentit Ilir Meta. Blushi e cilësoi ndalimin e Metës më 21 tetor 2024 si “rrëmbim mafioz”, duke pretenduar se ka pasur shkelje procedurale në momentin e shoqërimit dhe komunikimit të akuzës. Ai tha se Meta është mbajtur në izolim ekstrem për më shumë se 15 muaj, pa prova penale dhe pa pasuri të sekuestruara.
Deputeti i Partisë së Lirisë akuzoi autoritetet për kufizim të paligjshëm të takimeve, telefonatave dhe komunikimit me median për Metën, duke iu referuar edhe 9 rekomandimeve të Avokatit të Popullit që, sipas tij, nuk janë zbatuar. Blushi përmendi dispozita të Kushtetutës dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se trajtimi i pretenduar bie ndesh me nenin 3 të KEDNJ-së që ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose degradues.
Gjatë fjalës së tij, ai krahasoi situatën në Shqipëri me raste ndërkombëtare, përfshirë trajtimin e figurave politike në Francë dhe Rusi, duke argumentuar se standardet e paraburgimit në vend janë përkeqësuar dhe se Shqipëria rrezikon kredibilitetin në aspiratën për integrim europian.
Blushi e cilësoi çështjen si një betejë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke kërkuar nga Ministri i Drejtësisë “përgjigje të qarta, llogaridhënie dhe masa konkrete” lidhur me situatën në sistemin penitenciar dhe trajtimin e ish-Presidentit.
Fjala e Blushit në Kuvend:
Zoti Ministër i Drejtësisë,
Ju kam thirrur sot në këtë interpelancë për të dhënë llogari për një krim të rëndë shtetëror, të kryer me vetdije dhe me qëllim të qartë politik, në funksion të instalimit të
Narkoregjimit policor dhe represiv, atë të degradimit sistematik të sistemit penitenciar, nga një institucion rehabilitimi, nën përgjegjësinë tuaj, në një makineri çnjerëzore dhune, frike dhe terrori institucional.
Në këtë sistem të kalbur penitenciar, të denjë për republikat e bananeve, viktima nuk janë vetëm të parabugosurit dhe burgosurit, të trajtuar në kushte poshtëruese dhe kafshërore, por edhe vet gardianët, që i keni shndërruar në skllevër të një administrata kriminale, që ju si Qeveri, e keni ndërtuar, ushqyer dhe inkurajuar.
Është tronditëse që në këtë shtet që funksionon si bandë dhe ku rrëmbimi i personit është kthyer në manual pune, narkopolicët që rrëmbëjnë një minoren dhe e fusin në burg shpërblehen me 300 euro, ndërsa gardianët e ndershëm nuk marrin asnjë shpërblim, nuk paguhen për orët jashtë orarit, dhe as nuk përfitojnë ushqimin dhe trajtimin minimal që u takon me ligj.
Kjo është fytyra reale e “shtetit të së drejtës” që ju pretendoni: një regjim që shpërblen dhunën dhe rrëmbimin dhe ndëshkon njerëzit e lirë, punën e ndershme dhe dinjitetin njerëzor.
Ky debat parlamentar nuk është thjesht i nevojshëm, por i pashmangshëm.
Është domosdoshmëri për të shpëtuar integritetin e një sistemi drejtësie fatkeqësisht të degraduar, në një vend që pretendon dhe aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Mbi të gjitha, ky debat është një akt mbrojtjeje për të drejtat themelore të njeriut, të sanksionuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në nenin 3 shprehet pa asnjë ekuivok: “Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as trajtimit apo dënimit çnjerëzor ose degradues.”
Për më tepër, ky debat është i pashmangshëm përballë një hipokrizie flagrante: nga njëra anë shpallni amnisti si mjet për të “shfryrë” mbipopullimin e burgjeve, ndërsa nga ana tjetër miratoni burgimin për “parkim dysh”, duke goditur qytetarët më të pambrojtur, të varfër, të thjeshtë e të ndershëm. E gjitha kjo ndodh në një realitet absurd, ku 251 drejtues dhe anëtarë të bandave më të rrezikshme enden sot të lirë, mes tyre edhe një killer serial që u largua me vrap nga spitali në Durrës, sepse ju ishit kujdesur që jo vetëm të mos ishte i shoqëruar me pranga, por edhe t’i ishin hapur të gjitha rrugët për arratisje.
Ky debat gjithashtu një domosdoshmëri politike, morale dhe kombëtare, sepse sot Shqipëria mban një rekord të zi dhe turpshëm: është i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politik.
Një realitet i errët që nuk fshihet më as pas propagandës, as pas retorikës “europiane”, sepse e pa e gjithë bota më 21 tetor 2024, kur ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në mbrojtje ligjore nga Garda e Republikës, u rrëmbye dhunshëm nga banditë të maskuar e të armatosur, pa emra dhe pa asnjë kartë me vete, u tërhoq zvarrë në mes të ditës dhe u fut me forcë në një automjet privat, duke u mbajtur për dy orë peng.
Fakt i certifikuar edhe nga vetë SPAK-u dhe gjykata, që provuan zyrtarisht se Z. Meta iu komunikua akuza nga Policia Gjyqësore në orën 14:16, ndërkohë që rrëmbimi i tij, që e pa e gjithë bota, ndodhi në ora 12:18.
Fiks për 2 orë i rrëmbyer dhe i marrë peng, bashkë me shoferin e tij, Artemis Peca, për të cilin nuk kishte asnjë urdhër ndalimi.
Një akt banditesk, i kryer nga çeta e Ergys Agasit, nën bekimin e drejtpërdrejtë të çirakut të tij në krye të Policisë së Shtetit, narkodrejtorit Ilir Proda, dhe nën heshtjen servile të ministrit të Brendshëm të kohës, Ervin Hoxha, të cilin ju e shpërblyet duke e bërë deputet, madje më të votuarin në burgjet e sigurisë së lartë në Tiranë, si shpërblim për mbylljen e syve ndaj një krimi të rëndë shtetëror.
Por Ervinit nuk i vë edhe shumë faj se ai veç targën dinte se operacionin kriminal e drejtonte dhe e udhëhiqte tjetër kush, më lart se ai, koordinatori special i lidhjeve të Ramës me bandat, Gys Agasi.
Pra kjo Qeveri bandë, që rrëmbimin e kundërshtarëve politikë, të qytetarëve dhe biznesmenëve të ndershëm e ka kthyer në manual pune, sot është dita të japë llogari, një më një dhe derimë një, për këtë krim shtetëror, të kryer ditën për diell, me urdhër dhe me porosi direkte të Kreut të Organizatës, Edi Rama.
Alexei Navalny, nga qelia e tij ku edhe humbi jetën nga regjimi autokratik i Putinit, paralajmëronte se frika është arma kryesore e tiranisë dhe se kur shteti ka frikë nga fjala e lirë, ai burgos trupin për të heshtur mendimin.
Një tjetër kundërshtar politik i Vladimir Putin, Mikhail Khodorkovsky, e ka thënë hapur se burgjet janë fotografia më e saktë e natyrës së një regjimi.
Dhe fotografia që del sot nga sistemi penitenciar që ju administroni është fotografia e një pushteti të kalbur nga krimi dhe korrupsioni, që jo vetëm ka frikë nga liria dhe e lufton atë me pranga dhe izolim, por që as formalisht nuk krahasohet dot me regjimin autokratik të Putinit.
Prej 3 muajsh, Avokati i Popullit ju ka lënë mbi tavolinë 9 rekomandime të detyrueshme për zbatim, në lidhje me dhënien fund të trajtimit kriminal dhe çnjerëzor të ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të cilin e rrëmbyet në mënyrë mafioze në 21 tetor 2024 dhe e mbani në izolim ekstrem prej më shumë se 15 muaj, pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë penale, me zero pasuri të paligjshme të sekuestruar dhe me zero qindarkë dëm financave publike.
Standardet e rrëmbimit, janë jo vetëm standardet e hetimit, por edhe të paraburgimit, siç i ka evidentuar edhe Avokati i Popullit.
Kufizimi i takimeve të Z. Meta në vetëm 4 të tilla në muaj, kur ligji parashikon ndryshe, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe KEDNJ.
Ndalimi i takimeve me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe eurodeputë, e fundit pak ditë më parë, është në kundërshtim flagrant me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.
Kufizimi i telefonatave të Z. Meta është thellësisht antiligjor.
Ka mbi një vit që numri im i regjistruar në mënyrë të ligjshme pranë IEPV “Jordan Misja” nuk mund të kontaktohet dot prej tij.
Sikundër u keni hequr, të gjithë deputetëve të Partisë së Lirisë, të drejtën për të folur lirshëm me Z. Meta.
Mohimi i lirisë së fjalës dhe e drejta e tij për të komunikuar me median është një tjetër shkelje shumë e rëndë e ligjit, e Kushtetutës dhe KEDNJ.
Shikoni rrëmbimin mafioz të Presidentit Meta dhe krahasoni arrestimin dhe kushtet e izolimit në të cilat u mbajt ish-Presidenti i Francës, Sarkozi për të kuptuar kriminalizimin e drejtësisë dhe në veçanti të sistemit penitenciar.
Shikoni si u arrestua Erion Veliaj dhe gjithë limonat e shtrydhur që Edi Rama i futi në burg me marrëveshje për të kuptuar se tmerri i Kreut të Organizatës nga Ilir Meta dhe të vërtetat e tij e detyroi të urdhëronte Gysin për të kryer atë rrëmbim që ju turpëron sot të gjithëve dhe ju vë para përgjegjësisë për heshtjen që keni zgjedhur të mbani përballë një krimi shtetëror, që as mund të mbulohet dhe që kurrë nuk do të amnistohet.
Edhe ne, edhe Franca kemi të njëjtat ligje.
Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut që mbizotëron mbi ligjet vendase është e njëjta edhe për Francën edhe për Shqipërinë.
Me Francën, jo e jo, por ne nuk krahasohemi dot as me Rusinë, jo vetëm për mënyrën se si u arrestua Navalny, por edhe me standardet e arrestimit dhe të paraburgimit.
Meqenëse e keni të vështirë të klikoni në internet, unë po ju tregoj sot dy intervista të Navalny dhe Khodorkovsky dhënë për mediat ndërkombëtare nga gulakët e Putinit.
Ndërsa këtu kërkesat e tre gazetarëve për intervista nuk marrin kurrë përgjigje edhe pse zyrtarisht janë miratuar nga SPAK.
Kjo është kërkesa e gazetarit, Andrea Danglli, që ka marrë miratimin e SPAK për realizimin e një interviste me Z. Meta por që Drejtoria e Burgjeve nuk e lejon me pretendimin skandaloz të ngarkesës institucionale.
Vladimir Putin nuk ia mohoi kurrë Alexei Navalnyt lirinë e shprehjes. Edhe nga burgu në Arktik, ku më pas humbi jetën, Navalny fliste lirshëm për mediat, denonconte kushtet çnjerëzore të trajtimit dhe kritikonte hapur regjimin autoritar.
Në Shqipëri ndodh e kundërta, Ilir Meta, i izoluar në ekstrem në burg, është privuar nga e drejta jo vetëm për t’u takuar me drejtuesit, anëtarët e simpatizantët e tij dhe të Partisë së Lirisë, por edhe për të komunikuar lirshëm me mediat, siç ju rekomandon edhe Avokati i Popullit.
Me urdhër të Edi Ramës, atij i është ndaluar liria e fjalës dhe është ndëshkuar dy herë vetëm pse arriti të komunikonte në mënyrë indirekte me gazetarët.
Edhe votimin e tij më 11 Maj e ndaluat duke mos lejuar as kameramanët e televizioneve ta filmonin edhe pse paraprakisht kishin marrë leje nga Drejtoria e Burgjeve.
Mohimi i lirisë së fjalës dhe së drejtës për të folur me mediat ndodh në një kohë kur kjo e drejtë u njihet edhe të dënuarve me burgim të përjetshëm.
Por kur Tirana sillet më keq se Kremlini, çdo retorikë për integrim europian bie dhe shndërrohet në hipokrizi.
Të gjithë të paraburgosurit e tjerë dalin dy herë jashtë në ajrim, ndërsa Ilir Meta është i vetmi që del vetëm një herë.
Ju rikujtoj se kufizimi i telefonatave, takimeve dhe kontaktit me mediat, cënon rëndë të drejtat dhe liritë kushtetuese të shprehjes, informimit dhe ushtrimit të funksioneve publike, të Presidentit Meta, të parashikuara qartë në :
Nenet 17, 18, 22, 23, 45 dhe 48 të Kushtetutës,
Si edhe në nenet 10, 11, 18 të KEDNJ dhe nenin 3 të Protokollit Nr.1 të Konventës.
Çdo ditë që kalon pa u zbatuar 9 rekomandimet e Avokatit të Popullit provon se ndalimi, hetimi dhe burgosja e Ilir Metës janë akte politike kriminale, të diktuara nga vullneti personal i Edi Ramës.
Beteja për lirinë e Ilir Metës është një betejë për liritë e të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor të çdo qytetari shqiptar, për respektimin e KEDNJ, të Kushtetutës e ligjit.
Përballë një drejtësie të politizuar dhe të kontrolluar nga pushteti dhe një shteti që funksionon si organizatë kriminale, nuk mbrohet thjesht një lider politik, por parimi se askush nuk duhet dhe nuk meriton të jetë viktimë e një sistemi të kalbur dhe të komanduar politikisht nga krimi dhe kartelet e drogës.
Kjo nuk është një betejë politike, por një luftë e pakompromis për demokraci, për shtetin e së drejtës dhe për Shqipërinë europiane që meritojmë.
Kjo interpelancë është ushtrim i drejtpërdrejtë i kontrollit parlamentar, në shërbim të transparencës, llogaridhënies dhe interesit publik.
Dhe për këtë arsye, Zoti Ministër, sot kërkoj nga ju përgjigje të qartë, llogari të drejtpërdrejtë dhe masat konkrete që keni marrë për t’i dhënë fund këtij krimi shtetëror.
Keqtrajtimi në qeli është alarm, jo vetëm për Ilir Metën, por për çdo qytetar.
Nëse sot një ish-President i Republikës trajtohet në mënyrë diskriminuese, imagjinoni se çfarë ndodh me këdo tjetër, pa zë dhe pa mbrojtje publike.
Drejtësia fiton besimin e qytetarëve vetëm atëherë kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë, si brenda ashtu edhe jashtë qelisë.
Llogaridhënies dhe së vërtetës nuk mund t’u shmangeni, sepse liria nuk burgoset, nuk fshihet dhe as mund të zhduket dot në errësirë, siç u ndodhi me kantinën e verërave “Romanée-Conti” të Gys Agas




