Në mënyrë që intervistat e punës të jenë të suksesshme, duhen ndjekur disa hapa, duke filluar që nga veshja deri tek mënyra se si duhet përgjigjur. Në shumicën e intervistave, do t’ju thuhet të prisni në korridor ose në dhomën e intervistave derisa intervistuesi të jetë gati t`ju takojë. Mos harroni se në momentin që hyni në ndërtesë, sjellja juaj po vëzhgohet, kështu që jini të vetëdijshëm për ato që thoni dhe bëni. Mund t`ju ofrohet një pije ndërkohë që prisni. Gjithmonë përgjigjuni me ‘Po’ kësaj pyetjeje pasi mund t`ju ndihmojë edhe për intervistën. Së pari mund t`ju qetësojë dhe se dyti mund t`ju japë kohë të mendoheni para se ti përgjigjeni një pyetje. Në momentin që ju thërrasin në dhomën e intervistës do prezantoheni me intervistuesin/intervistuesit. Mos u ulni deri në momentin që do ju thonë të uleni. Tregohuni të sjellshëm dhe mos harroni se përshtypja e parë ka shumë rëndësi. Kjo do të thotë që të jepni një shtrëngim duarsh konfident. Asnjëherë mos puthni intervistueset që janë femra në faqe pavarësisht se në çfarë vendi jeni. Pasi të jeni ulur, sigurohuni të jeni rehat dhe mos luani me duar gjatë intervistës. Në ambientin konkurrues të sotëm, shumë intervistues marrin parasysh shumë elemente nga një kandidat, duke përfshirë gjuhën e trupit. Intervistat e para nuk janë asnjëherë njësoj, kështu që duhet të keni gjithmonë parasysh se në çfarë kompanie do intervistoheni dhe natyrën e punës për të cilën po aplikoni. Ndonjëherë mund t`ju bëhen pyetje të vështira si ‘Cilat janë pikat tuaja më të dobëta?’ ose a jeni gati të bëni teste gjatë intervistës. Por ka edhe raste kur intervista mund të jetë shumë e shkurtër dhe pa asnjë lloj testi. Mos harroni se niveli i konkurrencës është aq i lartë sa ju mund të jeni përballë një konkurrenti shumë më të aftë për atë pozicion që ju po kërkoni, prandaj kini parasysh të jeni të respektueshëm, të sinqertë dhe të sjellshëm gjatë intervistës. Mund të keni shumë pak ose fare eksperiencë e cila mund të jetë diçka kundra jush. Prandaj luani me pikat tuaja më të forta si për shembull projektet për të cilat keni punuar në universitet. Është shumë e rëndësishme të merrni kohën tuaj para se t’i përgjigjeni një pyetjeje. Mund të duket sikur intervistuesit e duan menjëherë përgjigjen por nuk është kështu. Ata duan që ju të mendoheni me kujdes para se të përgjigjeni. Në fund të fundit, përgjigjet e pamenduara nuk do ju japin asnjë pikë. Gjithmonë bëni pyetje në fund të intervistës pasi kjo tregon se keni interes për kompaninë. Kjo gjë gjithashtu do e bëj intervistuesin t`ju japë pika shtesë.
Para intervistës
-Bëni një kërkim për kompaninë.
-Rregulloni CV-në tuaj. (Mundësisht përmblidheni në një faqe)
-Mbani një bllok shënimesh, një stilolaps dhe dy kopje të CV-së suaj.
-Vishuni siç duhet dhe shmangni bizhuteritë e mëdha.
-Bëni një tualet natyral dhe flokët mbajini të thjeshta dhe jo në fytyrë. Disa nga stilet e preferuara të flokëve janë topuzet e balerinës dhe bishti i ulët.
-Gjatë rrugës për në intervistë, dëgjoni këngën tuaj të preferuar që të keni energji dhe vetëbesim.
-Fikni celularin dhe hiqni çamçakëzin.
-Të jeni në kohë (por jo shumë herët, 10 minuta para është më e mira).
-Të jeni gati ti përgjigjeni pyetjeve për veten tuaj.
Gjatë intervistës
-Të jeni të sjellshëm me të gjithë në kompani. Asnjëherë nuk i dihet se kush punon në kompani dhe se kush mund t`ju intervistoi.
-Jepni një shtrëngim duarsh konfident.
-Buzëqeshni. Duhet të jeni të afrueshëm dhe kjo do ju qetësoj nervat.
-Të jeni të sjellshëm dhe energjik.
-Mbani një strukturë trupi të mirë.
-Mos flisni shumë – nuk duhet të dukeni llafazan, por sigurisht mos iu përgjigjni pyetjeve me dy ose tre fjalë. Gjithashtu, mos ndërprisni personin që po ju interviston.
-Mos harroni të bëni pyetje në fund të intervistës.
-MOS bëni pyetje për rrogën gjatë intervistës së parë.
-Në fund të intervistës, pyesni se kur do merret një vendim.
-Para se të dilni, sigurohuni t’i falënderoni për kohën që ju kushtuan.




